Balluku: Rruga e vjetër Fier-Vlorë, gati javën e parë të qershorit
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ecurinë e punimeve për rehabilitimin e rrugës së vjetër Fier-Vlorë, ku deri më tani janë kryer 70 % e punimeve.
Zv/kryeministrja bëri të ditur se ecuria e mirë e punimeve premton se rruga do të përfundoja para afatit të parashikuar në kontratë.
“Kjo është një rrugë në të cilën punimet janë kryer shtatorin e vitit të kaluar dhe parashikohej të mbylleshin në harkun kohor të një viti, por me sa duket ecuria ka qenë e mirë dhe punimet mund të mbyllen para afatit”, tha Balluku.
Kreu i ARRSH-së Evis Berberi, i cili shoqëronte zv/kryeministren gjatë këtij inspektimi, informoi se punimet parashikohet të mbyllen në javën e parë të muajit qershor dhe se hapja e saj për qarkullim do t’i japë një frymëmarrje të madhe zonës nga Fier-Levan e deri në Vlorë, në të cilën për një kohë të gjatë nuk u ndërhy. “Përfundimi i rrugës së vjetër Fier-Vlorë i vjen në ndihmë bujqësisë dhe agroturizmit të zonës”, deklaroi Berberi.
Më tej, zv/kryeministrja Balluku theksoi se kjo rrugë u ofron drejtuesve të mjeteve mundësinë të zgjedhin midis autostradës nga bajpasi i Fier-Levanit për të vazhduar në Vlorë, apo për të kaluar në këtë rrugë.
Balluku bëri të ditur se vëmendje i është kushtuar edhe eliminimit të pikave të zeza.
“Në kuadër të këtyre punimeve po kryhet rikonstruksioni i urave, tombinove, riparimi dhe ndërtimi i mureve mbajtëse, rregullimi i kthesave duke e rikthyer për përdorim me standardet e një rruge bashkëkohore, plotësuar me sinjalistikë dhe të gjitha parametrat e sigurisë rrugore”, deklaroi ajo. Rruga, sipas saj, do të jetë pa pagesë.
Fraksion.com