Amsterdami ndalon avionët privatë dhe fluturimet e natës
Më së voni deri në fund të vitit 2025 në aeroportin e Amsterdamit nuk do të ketë më fluturime gjatë natës. Në aeroportin Schiphol të Amsterdamit do të ndalohen gjithashtu edhe avionët privatë. Aeroporti njoftoi se kjo do të çojë në “aviacion më të qetë, më të pastër dhe më të mirë”. Gradualisht do të ndalohen gjithashtu edhe avionët që bëjnë shumë zhurmë, si Boeing 747.
Në parim në aeroportin e Schipholit nuk do të lejohen të ulen më as avionë privatë, sepse ata shkaktojnë “ndotje akustike në mënyrë disproporcionale të lartë dhe emetime të dioksidit të karbonit CO2 për pasagjer”, njoftoi aeroporti. Grupet mjedisore dhe banorët vendas reaguan pozitivisht.
Në të ardhmen nuk do të lejohen avionë që do të nisin nga aeroporti i Amsterdamit fluturimin nga mesnata deri në orën 6 të mëngjesit. Po ashtu deri në orën 5 të mëngjesit nuk nuk do të lejohen më avionë që të ulen në Amsterdam. Sipas aeroportit prej këtyre masave preken rreth 10,000 fluturime nate.
Qeveria holandeze kishte vendosur para disa kohësh që për shkak të zhurmës dhe ndotjes së mjedisit aeroporti i Amsterdamit duhet të reduktojë deri vitin e ardhshëm numrin e fluturimeve nga maksimumi 500,000 në 440,000 në vit. Nga nëntori do të zbatohet fillimisht një kufi maksimal prej 460,000 fluturimesh.
Shoqëritë ajrore dhe operatorët turistikë reaguan me kritikë ndaj njoftimeve. Shoqëria ajrorore holandeze KLM, me seli në Schiphol, dhe katër linja të tjera ajrore ngritën padi kundër këtij vendimi./dw
Fraksion.com