“14 maji, vëmendja e ndërkombëtarëve”, Përfaqësuesja e ODIHR: Do lemë të flasin faktet
Përfaqësuesja e ODIHR, e cila do të vëzhgojë zgjedhjet e 14 majit në vendin tonë, Audrey Glover në një deklaratë për mediat u ndal në pikat kyçe ku do të jetë vëmendja e ndërkombëtarëve.
Ajo tha se ata janë profesionistë të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe se nuk u intereson rezultati, por nxjerrja e tij në mënyrë të rregullt.
Ajo tha se po ashtu në fokus do të kenë financimin gjatë fushatës si dhe nëse media do të pengohet në ndonjë farë formë gjatë raportimit të procesit të zgjedhjeve.
“Do doja të theksoja fjalën vëzhgojmë, pra kemi parasysh monitorimin e zgjedhjeve, të standardeve ndërkombëtare, vëzhgim para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me autoritete vendase, do doja të shprehja falënderimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, KQZ po ashtu. Do kemi 13 ekspertë të vendosur në Tiranë, që përfshijnë analistë politikë, ligjor, dhe një për zgjedhjet, dy analistë mediash, një për pakicat kombëtare dhe koordinatorë, ekipet e vëzhguesve afatgjatë, ekspert për burimet njerëzore, sigurinë dhe financat, dhe po ashtu zëvendësi im. Do kemi edhe 24 vëzhgues afatgjatë.
Para zgjedhjeve do kemi ekspertë dhe monitorues afatshkurtër që do të informohen në Tiranë dhe do shpërndahen në qendrat e votimit në vend. Në ditë e zgjedhjeve bashkë me ne do jetë një delegacion nga Parlamenti i BE. Kemi ardhur këtu pa pasur asnjë ide paraprake apo axhendë fikse. Jemi këtu të vëzhgojmë duke parë performancën e tyre. Do lemë të flasin faktet.
Do u kushtojmë rëndësi punës së administratës zgjedhore dhe organeve qeveritare dhe zbatimit të rekomandimeve të lëna më parë nga ODIHR. Do t’i kushtojmë vëmendje mjedisit të fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor, si dhe pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësimin e pakicave kombëtare.
Do të shohim edhe regjistrimin e zgjedhësve dhe kandidatëve, dhe si do raportojë dhe a do të pengohet media gjatë raportimit. Do të shohim me kujdes financimin e fushatave zgjedhore dhe zgjidhjen e konflikteve në lidhje me zgjedhjet. Implementimi i ligjit është i rëndësishëm dhe varet nga vullneti për ta zbatuar atë. Misioni i vëzhgimit do nxjerrë një raport para zgjedhjeve dhe do ketë konferencë pas zgjedhjeve. Raporti përfundimtar do jetë 8 javë pas zgjedhjeve. Ditën e konferencës pas zgjedhjeve do kemi dhe deklaratë me konkluzionet paraprake. Ne nuk jemi të interesuar për rezultatin, por të sigurohemi që procesi është transparent. Po ashtu të shohim nëse është në përputhje me angazhimet e OSBE. Na intereson që rezultatet të shpallen në mënyrë korrekte”, tha ajo.
Fraksion.com