AktualitetTë fundit

Trafikonin heroinë dhe kokainë: Goditet grupi kriminal, arrestohen 2 anëtarë dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë

Policia e Fierit ka goditur një grup kriminal që trafikonte lëndë të forta narkotike. Si rezultat i operacionit të koduar “Unik” u arrestuan Klejdi Çela, 27 vjeç dhe Zhanri Hajdari (Gjini) 33 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim Marsel Korresh, 33 vjeç (i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale) dhe Selim Koçi, 29 vjeç.

Policia bën me dije se këta persona kishin përshtatur një lokal për këtë aktivitet kriminal.

Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit proaktiv, rezultoi se këta 4 shtetas ushtronin në formën e grupit, veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta dhe kanabisit, në një ambient (lokal) në lagjen “Kadri Qystri”, Lushnjë, i cili administrohej nga shtetasi i Çela.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal, u gjetën 120 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 39 gram lëndë e dyshuar narkotike heroinë, si dhe dhjetëra doza të dyshuara lënde narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan së bashku me 9 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike. Gjithashtu, lokali ku kryhej kjo veprimtari kriminale, u bllokua nga shërbimet e Policisë.

 

 

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. A., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap në lokal, duke blerë lëndë narkotike.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.

 

Fraksion.com