AktualitetTë fundit

Raporti: 17 policë të arrestuar në 3 muajt e parë të vitit!

Në tre muajt e parë të këtij viti, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar 17 punonjës policie, të akuzuar për vepra të ndryshme penale, nga të cilat dominon akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Për 12 efektivë është caktuar masa “arrest në burg”, 4 janë lënë në “arrest shtëpie” dhe një tjetër u lirua në “detyrim paraqitje”.

Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar në prokuroritë e rretheve në të gjithë vendin 40 punonjës policie për t’u hetuar në gjendje të lirë, kryesisht për ankesa që kanë ardhur nga qytetarë të pakënaqur me shërbimet.

Rasti më i bujshëm i këtij tre mujori të parë të vitit 2023 ishte arrestimi i Shefit të Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, Altin Morina, të cilit iu gjetën 113 mijë euro në makinë.

Ai akuzohet për pastrim parash dhe lidhje me grupet kriminale në vend. Për të Gjykata e Tiranës caktoi masën “arrest në burg” pa afat dhe hetimet do të qartësojnë rolin e tij dhe origjinën e parave që iu gjetën në sediljen e përparme të pasagjerit në “Audin” me të cilin ishte në lëvizje.

Ndërkohë, në muajin mars AMP dhe SPAK nisën hetime për Sektorin e Krimeve Ekonomike në Policisë e Tiranës, pasi kanë dyshime të forta se disa efektivë janë përfshirë në skema korruptive. Këto hetimeve vijojnë akoma dhe vijnë pas arrestimit të oficeres Arta Nazif që gjykata e la në “arrest shtëpie” me akuzën se ka marrë 5 mijë euro nga dy motra për të mbyllur çështjen dhe t’u ktheheshin materialet e sekuestruara në klinikën estetike që kishin në pronësi.

Nisur nga këto zhvillime tek Krimi Ekonomik, kryepolici Muhamet Rrumbullaku vendosi të pezulloj deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit të gjithë drejtuesit vendor në të gjitha qarqet të Krimit Ekonomiko-Financiar, për shkak të mungesës së efikasitetit kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit.

 

Fraksion.com