Dezerton oficeri i shërbimit të sigurisë të Putinit: Presidenti rus është kriminel lufte
Më 14 tetor, një inxhinier rus i quajtur Gleb Karakulov hipi në një avion pasagjerësh për të udhëtuar nga Kazakistani drejt Turqisë së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Ai fiku telefonin për të ndalur prurjen në rritje të mesazheve urgjente dhe të zemëruara. Ai i tha kështu lamtumirë jetës së tij në Rusi dhe u përpoq të qetësonte zemrën që i rrihte fort.
Por, ky nuk ishte thjesht një rus i zakonshëm që po largohej nga vendi. Zoti Karakulov ishte oficer në shërbimin elitë të sigurisë personale të Presidentit Putin. Ai është një ndër rusët e paktë që largohen dhe flasin publikisht, dhe që për shkak të gradës që mbante kishte edhe njohuri nga afër të jetës së zotit Putin, apo ndoshta edhe qasje tek informacione të klasifikuara.
Zoti Karakulov, i cili mbulonte sektorin e komunikimeve të sigurta, tha se kundërshtitë morale ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë dhe frika se mund të gjente vdekjen atje, e shtynë që të fliste publikisht, megjithë rrezikun për atë vetë apo për familjen e tij. Ai tha se shpreson të frymëzojë edhe rusë të tjerë që të ngrenë zërin.
“Presidenti ynë është bërë një kriminel lufte”, tha ai. “Është koha që t’i japim fund kësaj lufte dhe të ndalim heshtjen”.
Rrëfimi i zotit Karakulov përputhet përgjithësisht me rrëfimet e personave të tjerë që e paraqesin presidentin rus si një udhëheqës dikur karizmatik por që vazhdon të bëhet gjithnjë e më i izoluar, i cili nuk përdor celularin apo internetin dhe këmbëngul që të ketë qasje tek televizioni shtetëror rus kudo që shkon. Ai gjithashtu ofron detaje të reja për paranojën e zotit Putin, që duket se është thelluar që kur mori vendimin për të sulmuar Ukrainën në shkurt 2022. Ai thotë se zoti Putin tashmë preferon të shmangë avionët dhe se udhëton me një tren të posaçëm të blinduar, si dhe se udhëroi në tetor ngritjen e një bunkeri në ambasadën ruse në Kazakistan, të pajisur me një linjë të sigurtë komunikimi – hera e parë kjo që zoti Karakulov pati përcjellë një kërkesë të tillë.
Krahas informacionit për zotin Putin, rrëfimi i zotit Karakulov ofron edhe një pamje nga afër të vendimit që ai mori për t’u arratisur – pa i thënë nënës së tij, e cila ai thotë se vazhdon të jetë një mbështetëse e fortë e zotit Putin. Kjo ngre pikëpyetje thelbësore se sa i rrënjosur mund të jetë pranimi nga publiku rus i luftës, dhe se si kundërshtarët e zotit Putin në Perëndim dhe më gjerë mund të mobilizojnë opozitën e heshtur.
Megjithëse nuk iu referua drejtpërdrejt këtij rasti, një zyrtar sigurie nga një vend i NATO-s tha se arratisja e një personi si zoti Karakulov mbart “një nivel të madh interesimi”. Ai foli në kushte anonimiteti për çështje të tilla delikate të natyrës politike.
“Kjo do të shihej si një goditje shumë serioze për vetë presidentin, pasi ai është shumë i vëmendshëm për sigurinë e tij, dhe siguria e tij është kompromentuar”, tha ai. “Kjo është diçka për të cilën ai do të ishte shumë i pakënaqur – në veçanti nëse kompromentimi ka të bëjë me komunikimet, tek të cilat ai mbështetet së tepërmi”.
PUTINI “THJESHT KA FRIKË”
Si inxhinier në njësinë në terren të departamentit të komunikimeve presidenciale në Shërbimin Federal të Mbrojtjes (FSO), zoti Karakulov ishte përgjegjës për ngritjen e komunikimeve të sigurta për presidentin rus dhe kryeministrin, kudo ku ata shkonin. Megjithëse nuk ishte një person i afërt i Presidentit Putin, zoti Karakulov i shërbeu atij për vite të tëra, duke e vëzhguar atë nga afër, nga viti 2009 deri në fund të vitit 2022.
Zoti Karakulov, bashkëshortja e tij dhe vajza kanë kaluar në ilegalitet, dhe nuk ishte i mundur bashkëbisedimi i drejtpërdrejtë me ta, për shkak të kufizimeve të sigurisë.
Një grup investigativ me seli në Londër, “Qendra Dossier” (“The Dossier Center”), e financuar nga opozitari rus Mikhail Khodorkovsky, e intervistoi zotin Karakulov disa herë, dhe i ndau videot dhe transkriptet e mbi gjashtë orë intervistave me agjencinë e lajmeve Associated Press, si dhe Korporatën Daneze të Transmetimeve DR, Televizionin Suedez SVT, si dhe Korporatën Norvegjeze të Transmetimeve NRK. Qendra Dossier konfirmoi autenticitetin e pasaportës së zotit Karakulov, dokumentin e tij të identifikimit si punonjës i Shërbimit Federal të Mbrojtjes (FSO), si dhe vërtetoi detajet e biografisë së tij me të dhënat qeveritare ruse, të dhënat personale të dala në publik, si dhe me postimet në mediat sociale.
Agjencia e lajmeve Associated Press i shqyrtoi materialet nga Qendra Dossier dhe në rrugë të pavarur konfirmoi identitetin e zotit Karakulov me tre burime në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, të cilët nuk ishin të autorizuar për të folur publikisht. Po ashtu, agjencia verifikoi në rrugë të pavarur numrat e pasaportave të anëtarëve të familjes Karakulov, datat dhe vendet e lindjes, dy adresa të regjistruara, si dhe emrat dhe moshat e anëtarëve të familjes, por nuk arriti të verifikojë detajet e arratisjes së tij.
Agjencia konfirmoi gjithashtu se zoti Karakulov figuron si person në kërkim në listën publike të Ministrisë së Brendshme ruse për të dyshuarit për krime. Ministria filloi një hetim penal ndaj zotit Karakulov më 26 tetor për dezertim në periudhë mobilizimi ushtarak, sipas dokumentave të marra nga Qendra Dossier dhe me të cilat u njoh agjencia.
FSO-ja është një ndër degët më sekrete të shërbimeve ruse të sigurisë.
“Edhe kur e lënë detyrën, nuk flasin ndonjëherë. Por, ata dinë shumë detaje të jetës private të presidentit dhe të kryeministrit”, thotë Katya Hakim, studiuese në Qendrën Dossier.
Kremlini nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Po kështu nuk folën as babai apo vëllai i zotit Karakulov.
Ai udhëtonte si pjesë e një ekipi pararojë, shpesh me sasi të mëdha paisjesh të specializuara komunikimi të ngarkuara në një kamion të madh të tipit Kamaz. Ai tha se ka qenë në mbi 180 udhëtime me presidentin rus, dhe se në kundërshtim me çfarë po spekullohet gjerësisht, zoti Putin duket se është në formë më të mirë se shumica e njerëzve të moshës së tij. Presidenti rus ka anulluar pak udhëtime për shkak të sëmundjeve dhe bën kontrolle të përvitshme mjekësore, tha ai.
Në dallim nga kryeministri, Presidenti Putin nuk e ka të nevojshme qasjen e sigurtë në internet gjatë udhëtimeve të tij, tha zoti Karakulov.
“Gjatë gjithë periudhës sime të shërbimit, nuk e kam parë ndonjëherë me celular”, tha ai. “Të gjithë informacionin e merr nga njerëz të afërt. Pra, ai jeton në një lloj vakumi informativ”.
Për shkak të punës, zoti Karakulov ka qëndruar në hotele luksoze për takimet ndërkombëtare, në vila pushimi në Kubë, në jahte, si dhe në trenin e blinduar të pajisur posaçërisht për presidentin rus.
Treni i Presidentit Putin i ngjason çdo treni tjetër, i lyer në ngjyrën gri dhe me një vizë të kuqe, për të mos u dalluar nga vagonat e tjerë në Rusi. Presidentit Putin nuk i pëlqente fakti që avionët mund të gjurmohen, duke preferuar më mirë që të udhëtojë në një vagon treni me pamje si të gjithë vagonat e tjerë, tha zoti Karakulov.
“E kuptoj se është thjesht i frikësuar”, tha ai.
Presidenti Putin filloi ta përdorë rregullisht trenin përpara fillimit të sulmit në Ukrainë në shkurt 2022, tha zoti Karakulov. Madje edhe gjatë vitit të kaluar, zoti Putin vazhdonte të këmbëngulte për masa të rrepta për COVID-in, dhe punonjësit e FSO-së bënin karantinë dyjavore me radhë, në mënyrë që gjithnjë të kishte personel të gatshëm për të udhëtuar me zotin Putin në tren, tha ai.
Zoti Putin ka ngritur zyra identike në disa vendndodhje të ndryshme, me detaje të njëjta, duke filluar që nga tryeza dhe deri tek pikturat në mure, dhe njoftimet zyrtare thonë se ai ndodhet në një vend, ndërkohë që ai është realisht diku tjetër, sipas zotit Karakulov dhe njoftimeve të mëparshme në një media ruse. Kur zoti Putin ishte në Sochi, zyrtarët e sigurisë do të shtireshin qëllimisht sikur ai po largohej, duke sjellë një avion dhe duke nisur një autokolonë makinash, kur në fakt ai vazhdonte qëndrimin, tha zoti Karakulov.
“Çunat flisnin për këtë, duke qeshur”, tha ai. “Mendoj se kjo është një përpjekje pikë së pari për t’i ngatërruar shërbimet e zbulimit dhe së dyti për të shmangur ndonjë përpjekje për atentat”.
FYTYRA LUFTËTARËSH
Dezertimi i zotit Karakulov është një kthesë befasuese për një familje të rrënjosur në një traditë patriotike ushtarake.
I lindur në Dagestan, zoti Karakulov u rrit duke qenë i gatshëm për luftë, me besimin se ishte detyra e tij e shenjtë që të mbronte atdheun. Pasi u diplomua nga një akademi ushtarake, ai arriti të bëhej pjesë e FSO-së.
“Të gjendesh pranë presidentit – tingëllonte shumë interesante”, tha ai.
Babai i tij është ish-ushtarak, që ka punuar edhe si fotograf profesionist, ndër disa punë të tjera. Ai po punon me një projekt të titulluar “Fytyra luftëtarësh”, një seri portretesh elegante që lartësojnë ushtarët dhe veteranët rusë.
Vëllai i tij është punonjës në qeverisjen vendore, tregojnë të dhënat, dhe shërbeu si pika e kontaktit për një projekt rajonal të mbështetur nga qeveria, të kushtuar “patriotizmit qytetar” dhe që nderon “Heronjtë e Atdheut”.
Puna e zotit Karakulov e prezantoi me një botë përtej familjes së tij. Edhe ndërsa babai dhe vëllai i tij marshonin në parada patriotike ushtarake, dyshimet e tij vazhdonin të thelloheshin. Atë e tmerron mendimi se mund të kishte dalë në mbështetje të gërmës Z në favor të luftës në Ukrainë, nëse puna e tij nuk do ta kishte mësuar që të shikonte përtej gënjeshtrave të televizionit shtetëror rus.
“Falë punës në FSO, kam parë se si shtrembërohet informacioni”, tha ai.
Ai filloi gjithashtu të ngrejë pikëpyetje për shpenzimet e tepruara të udhëheqësve kryesorë të Rusisë. Ai tha se i shikonte zyrtarët ndërsa mblidhnin delegacione të mëdha në vila luksoze ku një natë kushtonte më shumë se e gjithë rroga e tij e një muaji. Ata merrnin pjesë në një seancë të shkurtër informimi, dhe pastaj qëndronin për një javë, tha ai.
“Nëse është nga buxheti, atëherë pikëpyetja është ‘mos ndoshta është e tepruar të harxhohen para të tilla për një person?’,” tha ai. “Nëse nuk është nga buxheti, atëherë është krejtësisht korrupsion”.
Ai thotë se sulmi i Rusisë në Ukrainë ishte pika vendimtare. Ai i tha bashkëshortes se donte të largohej. Nuk donte që vajzës së tyre të vogël t’i shpëlahej truri në kopsht, ku fëmijët përshëndesnin ushtarakisht dhe ku u flitej për bomba.
“Kjo nuk është e ardhmja që do të dëshiroja për fëmijën tim”, tha ai.
Me valën e mobilizimit ushtarak në shtator, zoti Karakulov kuptoi se nëse do të linte punën, gjasat ishin që do të rekrutohej për një luftë ku nuk dëshironte të merrte pjesë. Por edhe nëse do të qëndronte në punë, sërish mund ta dërgonin në front.
Ai mësoi se disa prej kolegëve të tij ishin dërguar në Ukrainë dhe ishin vrarë. Ai pa fotografi të njësive të FSO-së që ishin shkatërruar nga raketat ukrainase, me ndoshta dhjetëra të vrarë.
Në tetor, një seri takimesh zyrtare në Astana, kryeqyteti i Kazakistanit, i dhanë zotit Karakulov mundësinë për t’u larguar. Ai dhe gruaja e tij paketuan gjithë jetën e tyre në tre valixhe. Ai fluturoi më 6 tetor me pjesën tjetër të njësisë së tij. Gruaja dhe vajza iu bashkuan dy ditë më vonë, ndërsa qëndronin në një hotel tjetër.
Por çdo ditë, zoti Karakulov gjente një arsye tjetër për të mos ikur.
Në ditën e fundit të qëndrimit të delegacionit, më 14 tetor, ai e kuptoi se nuk mund ta shtynte më. Bashkëshortja mori valixhen e tij nga dhoma e hotelit për të mos ngritur dyshime. Ai u largua pas drekës, duke u thënë kolegëve se po shkonte për të blerë dhurata.
Mori një taksi së bashku me gruan dhe vajzën dhe u nis për në aeroport rreth orës 15:00.
“Nga aty e në vazhdim, ishte vetëm çështje e nervave të mia”, tha ai.
Zoti Karakulov kaloi kontrollin dhe filloi të merrte mesazhe nga kolegët që e pyesnin se ku ishte. Fluturimi u vonua me një orë. Ai e ndjente nga larg se si shtohej zemërata ndaj tij. Në orën 17:00 kuptoi se njerëzit kishin filluar ta kërkonin.
“Ti, i poshtër”, thuhej në një mesazh që mori.
Pesëmbëdhjetë minuta përpara nisjes, e fiku telefonin.
Gruaja e tij ishte shumë e mërzitur. E kaluan fluturimin prej pesë orësh e gjysëm duke pritur që diçka të shkonte keq.
Kur më në fund kaluan kontrollin e pasaportave në Turqi, zoti Karakulov tha se ishte sikur një peshë e madhe t’i ishte hequr nga shpirti.
Ai tha se e di se shumë njerëz do ta akuzojnë se nuk u tregua patriot, por ai nuk është dakord.
“Patriotizëm është kur e do vendin tënd”, tha ai. “Në këtë rast, atdheu ynë duhet të shpëtohet, sepse diçka e çmendur dhe e tmerrshme po ndodh në vendin tonë. Duhet ta ndreqim këtë”./VOA
Fraksion.com