AktualitetPolitikëTë fundit

“Borxhi ka shkuar 107 %”, Berisha: Shqiptarët kanë sot pagat dhe pensionet më të ulëta

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot në një takim me qytetarët në Kukës, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Kukës, Admir Sinamati se, shqiptarët kanë sot pagat dhe pensionet më të ulëta.

“Çfarë ndodhi nga 2014 e deri sot. Nga 2014 e deri sot, ne përfunduam të fundit për rroga e pensione. Prandaj dhe rënkimet për vështirësi ekonomike sot, dëgjohen në çdo votër. Çdo pensionist, çdo familje, prandaj dhe shqiptarët ikin dhe vetëm ikin, sepse ai që merr një rrogë 500 mijë lek në muaj. Nga vjet deri sivjet, brenda 1 viti vetëm për rritje të çmimeve, merr 430 mijë lekë më pak, në 1 vit. Pra jo që nuk merr rrogën e 13 që e pat premtuar Rama në 2013, por në fakt humbet rrogën e 12. Në fakt është me 11 rroga. Kjo për atë që merr 500 mijë. Po ai që merr pension, 170-200 mijë, ai humbet dy pensione. Pra kjo është vetëm në 1 vit, ky ndryshim është vetëm në 1 vit”, tha ai.

Berisha theksoi se, sot shqiptarët janë qytetarët më të vjedhur ndoshta të planetit, dhe se borxhi ka shkuar 107 %.

“Para ka. Taksat i ka dyfishuar. Borxh ka marrë 5 miliardë euro. Borxhin e ka rritur nga 62.6 në 107 %. Ku shkojnë paratë. Paratë shkojnë në xhepat e zyrtarëve dhe qeveritarëve. Sepse 1 km rrugë ndërtohet 24 mln euro në fushë. Kudo 1 km rrugë ndërtohet me 2 milion euro, se 1 km rrugë e segmentit Ibë-Farkë në Tiranë, ka kushtuar dyfishin e 1 kilometër tunel në Kalimash. Sepse 1 km rrugë anësore, në autostradën Shkëmbi i Kavajës-Fier, kushton 7.2 milionë euro, ndërkohë që autostrada ka kushtuar 2 milionë euro kilometri. Sepse një shkollë në Tiranë ndërtohet me 6 milionë euro, ndërkohë që ajo po në Tiranë, por e ndërtuar nga PNUD-i, kushton 670 mijë euro, sepse ka manuale ndërtimi, ka çmime. Këta vjedhin në mënyrën më të papërmbajtur”, theksoi Berisha.

Ai u ndal dhe te inceneratorët, ku u shpreh se djegësi i Tiranës iu kushton qytetarëve 1.2 miliardë euro pas 30 vitesh.

“Këta rendin për tu bërë miliardierë. Vetëm djegësi i Tiranës, përllogaritjet e fundit, pas 30 vitesh u kushton qytetarëve të Tiranës, 1.2 miliardë euro. Të gjitha shkojnë në sipërmarrjen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Këta vjedhin”, tha Berisha.

Berisha vuri në dukje se është koha të ngrihemi, të mos pranojmë këtë rrënim, këtë shkretim të Shqipërisë për shkak të varfërisë.

“Qarku i Kukësit, është qarku me burimet më të pallogaritshme pasurie. Ka kaskadën, një pasuri përrallore e cila prodhon qindra e qindra milionë euro në vit, në buxhetin kombëtar. Ka bjeshkët tuaja, ka Alpet, ka rezerva ujore të pafundme, ka çdo gjë. Po pse ikin që të gjithë nga kjo trevë? Sepse nuk ka investime, sepse koha është ndaluar, sepse njerëzit nuk paguhen, sepse jetën nuk e ndërtojnë. A duhet ta pranojmë më këtë situatë. 14 maji shënon fillimin e fundit të tyre të shpejtë”, deklaroi Berisha.