AktualitetPolitikëTë fundit

7 sportistë elitarë marrin gradën kolonel në FA, Peleshi: Pika e përbashkët dashuria për vendin

Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë i bashkohet sot elita kombëtare e sportit shqiptar.

Në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se janë 7 sportistë elitarë që gradohen kolonel i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në ceremoninë e posaçme të gradimit, parakaluan në tapetin e kuq: Luiza Gega e cila fitoi vendin e parë në kampionatin e Atletikës në Mynih, Gjermani gusht 2022, Briken Calja i cili mori vendin e parë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan dhjetor 2021,
Erkand Qerimaj i cili mori vendin e  parë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Tiranë maj 2022, Alban Beqiri i cili zuri vendin e parë në Kampionatin Ballkanik të Boksit në Beograd, nëntor 2022.

Po ashtu, trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi dhe xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova edhe zyrtarisht tashmë me gradën kolonel janë pjesë e Ushtrisë Shqiptare.

Peleshi vuri në dukje se ky konkretizim nisi si një angazhimi i Kryeministrit vitin e kaluar, duke u kthyer në ligj.

“Sot ky ligj po zbatohet duke dhënë gradën e lartë Kolonel për 7 sportistët tanë elitarë. Është dhe një plejadë e sportistëve të tjerë që në bazë të këtij ligji fitojnë gradat major, nënkolonel”, shtoi Peleshi.

Peleshi u shpreh se, “ka një të përbashkët ndërmjet sportistëve elitarë, misionit të tyre dhe misionit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Kjo pikë e përbashkët është flamuri i Shqipërisë dhe dashuria për vendin. Kjo na bashkon sot këtu dhe i jep legjitimitet dhe mbështetje morale të jashtëzakonshme këtij gjesti të qeverisë shqiptare dhe Kuvendit, pra dhënies së gradave të larta të sportistëve elitarë që me flamurin e Shqipërisë kanë arritur rezultatet më të larta kudo në botë”.

“FA e valëvisin flamurin e Shqipërisë dhe mbajnë atë lart dhe dinjitoz në 7 misione në botë dhe janë 7 kolonelë që në 7 raste flamurin shqiptar e kanë ngritur më lart se gjithë flamujt e tjerë të gjithë botës”, u shpreh Peleshi.

“Ne sot po ndërtojmë bazën e parë taktike të NATO-s në Kuçovë për gjithë rajonin e Ballkanit. Jemi të parët e të vetmit në Ballkan që kemi një prezencë të forcave të SHBA për Ballkanin në Shqipëri. Ne po projektojmë një nga portet dhe bazat ushtarake detare krahas portit të ri të Porto Romanos afër Durrësit, duke e kthyer Shqipërinë në një portë hyrëse drejt krahut lindor aq shumë të cenuar së fundmi për shkak të konfliktit në Ukrainë. Ne sot po forcojmë njësinë ushtarake të mbrojtjes kibernetike, ku po shtojmë çdo ditë specialistët tanë për këtë mbrojtje. Sot po i japim rëndësinë e merituar arsimit ushtarak duke rimodeluar dhe duke ngritur një Akademi pothuajse të re. Kemi hapur Kolegjin e Mbrojtjes në kuadrin e arsimit ushtarak. Po shtojmë modernizimin dhe kapacitetet tona të mbrojtjes”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

“FA janë rruga e duhur edhe për një karrierë individuale. Ne u japim ushtarakëve tanë sot një trajtim dinjitoz, sot çdo ushtarak trajtohet financiarisht me pagë 40% më shumë se vitin e kaluar”, theksoi Peleshi.

 

Fraksion.com