“Ulje apo heqje e disa taksave”, Këlliçi: Paketa jonë u kursen para qytetarëve
Transporti urban falas për qytetarët, ulja e taksave, përmirësimi i furnizimit me ujin e pijshëm dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, ishin disa nga pikat e programit, të cilat kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi i shpalosi me banorët e njësisë Nr. 2 në Tiranë.
Gjatë takimit me banorët, Këlliçi theksoi se, miliona euro që sot jepen për inceneratorët fantazëm, nesër do t’u kthehen qytetarëve duke u garantuar transportin publik falas.
“14 milionë euro që shkojnë për inceneratorin fantazëm të Tiranës, nuk do të shkojnë më fantazëm për t’u vjedhur, nuk do të shkojnë më offshore, parajsa fiskale, por do shkojnë te qytetarët, të cilëve unë pas 14 majit do t`i përgjigjem me një modernizim dhe një shërbim falas të transportit publik urban, që përdoret nga 200 mijë qytetarë në ditë”, u shpreh ai.
Sipas Këlliçit, shërbimi i transportit publik falas për 200 mijë qytetarë është i realizueshëm.
Madje, ai shpjegoi se, një nga përfitimet kryesore të bërjes së transportit publik falas, do të jetë ulja e kostove të jetesës për banorët e kryeqytetit.
“A e kuptoni që me një zgjidhje të tillë, me vetëm 6.8%, ne i japim një zgjidhje shumë problemeve të qytetit duke nisur nga trafiku, nga kostot e jetesës. I kursejmë çdo familje të paktën 50 mijë lekë në muaj, që ato 50 mijë lekë shtresat në nevojë, pensionistët, mund t’i kenë për ilaçe, studentët mund t’i kenë për të përballuar jetesën në Tiranë, shtresat në nevojë mund t’i kenë për të mbyllur fundin e muajit, sepse ky shërbim, ky alokim taksash, i shërben atyre që janë në nevojë”, u shpreh ai.
Një tjetër pikë e programit të Këlliçit është ajo e uljes apo heqjes së disa taksave dhe tarifave vendore për biznesin.
Ai u shpreh se, në këtë rast, do të veprohet njësoj si në vitin 2008, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, dhe zbatoi taksën e sheshtë, e cila solli formalizim të biznesit dhe rritjen e arkëtimeve në buxhetin e shtetit.
“Është shqetësuar Erion Veliaj pse kam thënë unë që do të ulë taksat për biznesin e vogël. Po do t’i ul, sepse duke ulur taksat, duke përgjysmuar tarifat, do bëjmë të mundur atë që bëri Partia Demokratike pas vitit 2005, taksa e sheshtë. Dhe çfarë ndodhi, futi taksën 10% të sheshtë, u zgjerua gama e bizneseve që paguanin, u futën në sistem të gjithë bizneset se e kishin të përballueshme, dhe u rritën, u dyfishuan rrogat dhe pensionet. E kemi bërë ne njëherë këtë ushtrim”, u shpreh Këlliçi.
Këlliçi tha se, do të punohet që qytetarëve t`u garantohet deri në 17 orë ujë në ditë. “Ja u garantoj që në çdo vend që kam qenë nuk kanë më shumë se 1 apo 2 orë. Ja u garantoj që jemi i vetmi kryeqytet në Europë që paguajmë 3-4 herë për një shërbim që nuk na hyn në punë, për ujin e pijshëm. Nuk u premtoj mrekulli, por një qytet të jetueshëm. Mund të bëj që realisht që ju të keni 12 deri në 17 orë, targeti që ne kemi vënë është 20 orë, por minimalisht gjysmën e ditës ju të keni ujë”, u shpreh ai.
Belind Këlliçi u shpreh gjithashtu se, do të ketë dhe një plan rregullues, për 20 vitet e ardhshme. “Tirana ka nevojë për herë të parë të ketë një plan rregullues, për një dekadë, për 20 vite, se këtu për hir të së vërtetës drejtohet sot për nesër. Për hir të së vërtetës e kemi ruajtjen e trashëgimisë kulturore një nga pikat kyçe. Ajo që ka ndodhur, mjafton të përmendim “Radio Tiranën”, e kanë lënë në mjerim, të shkatërrohet qëllimisht, rrezik do t’i vënë dhe zjarrin. Ky fenomen do të marrë fund njëherë e mirë pas 14 majit”, u shpreh Këlliçi
Fraksion.com