Rama: Asnjë shërbim kompanive që nuk shpërblejnë si duhet punonjësit
Kryeministri Edi Rama ishte sot në një kompani që operon në sektorin e shërbimeve hoteliere, ku theksoi se, garantimi i kapitalit njerëzor mbetet sfidë.
Rama theksoi se, “pagesa e punonjësve është investim”.
“Kjo nuk është më çështje rritje pagash në sektorin privat, por çështje kundër shfrytëzimit. Ky është shfrytëzim. T’i japësh sot njerëzve paga minimale dhe ndërkohë vetë të vazhdosh të blesh vila, ky është shfrytëzim. Kjo nuk duhet të ndodhë, dhe ne do të marrim masa”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, qeveria nuk mund të vendosë pagat në sektorin privat, por ajo që mund të bëjë është rritja e pagës minimale.
“Por ama ne nuk do t’i japim asnjë shërbim kompanive që nuk shpërblejnë si duhet punonjësit. Ne nuk do të pranojmë që të futen në tenderë të shtetit, me paratë e shtetit, kompani ndërtimi që deklarojnë se i paguajnë punëtorët me pagë minimale. Gënjejnë, sepse nuk ka punëtor ndërtimi që hipën në skelë dhe merr pagë minimale. Ato që i paguajnë në të zezë duhet të deklarohen, sepse u marrin të ardhmen”, tha Rama.
Kryeministri tha se, nuk mundet t’u japim leje ndërtimi askund kompanive që duan të bëjnë pallate me punëtorë që nuk marrin një pagë dinjitoze.
“Po punojmë, po vendosim kushte dhe do ta shtrijmë këtë edhe me kompani të tjera që marrin shërbime nga shteti. Nuk kanë për t’i marrë. Ne nuk mund t’i mbështesim me paratë e qytetarëve kompani që shfrytëzojnë shqiptarët”, tha ai.
Kryeministri renditi po ashtu edhe disa nga arsyet se pse me rritjen në rreth 85 mijë lekë deri në fund të vitit, pagat e punonjësve të kësaj kompanie i afrohen pagave të kamerierëve që punojnë në Gjermani.
“Nëse merrni autobusin paguani shumë më pak se dikush në Gjermani dhe jetoni në shtëpitë tuaja ose të prindërve. Por të gjitha këto barazohen me zero nëse paga nuk është e arsyeshme”, tha ai.
Fraksion.com