AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Gjysma e parave të fushatës do të përdoren për mbjellje fidanësh

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit “FESTA” – E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri, organizuar në Tiranë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit.

“Sot i afrohemi 1/4 së vendit si zonë e mbrojtur. Kemi hedhur një hap shumë të madh me Vjosën, një park kombëtar, që përshkon të gjithë vendin praktikisht, imagjinojeni një park kombëtar që përshkon Francën, dhe do të vazhdojmë kështu”, tha Rama, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve.

“Përpara se ta përmbyll dua t’ju them se jemi para zgjedhjeve shumë shpejt dhe do të marrim vendim që duke qenë se gjysma e fushatës sonë përkon me periudhën e fundit të mbjelljeve, të gjitha takimet tona, të gjitha mitingjet tona do të jenë vetëm për mbjellje dhe paratë e fushatave do të shkojnë për mbjellje”, theksoi Rama.

“Mendoj që kjo do të jetë një fushatë me zero karbon për gjysmën e saj. Ju ftojmë që të na ftoni për gjysmën e fushatës, se pastaj do të bëjmë gjysmën tjetër”, u shpreh Rama.

“Kështu që, me këtë lajm që duke qenë se fushata fillon në 14 prill dhe mbaron në 14 maj, por duke qenë se nga 14 prilli, deri në fund të prillit është koha e fundit për të mbjellë fidanë, paratë e fushatës për regjira, për podiume, për mitingje, për mikrofona, për ndotje akustike do t’i vëmë në dispozicion të blerjes dhe të mbjelljes së fidanëve. Pastaj dy javët e fundit do bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Siç i thashë edhe Fransit, mbase do ta marrin edhe në vendet e Europës këtë model që gjysmë fushate ta bëjnë me “zero carbon emissions in political life””, tha Rama.

“Shijojeni vendin tonë dhe me Shqipërinë ka një gjë, që nuk duhet ta harroni kurrë: është një vend ku nuk duhet të shkoni kurrë, sepse mund të vriteni, mund të vidheni sigurisht, mund të rrëmbeheni dhe shumë gjëra të tjera mund t’ju ndodhin, por nëse do guxoni të shkoni një herë, do doni gjithmonë të ktheheni”, përfundoi Rama.

Kryeqyteti mikpriti sot Forumin Ndërkombëtar të Turizmit “FESTA” – E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, i cili për 3 ditë, do të bashkojë në Tiranë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës, si një platformë për një sërë diskutimesh mes politikëbërësve, sipërmarrësve, operatorëve turistikë dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në formësimin e një industrie kaq të rëndësishme, siç është ajo e mikpritjes.

Në çeljen e forumit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO (Organizatës Botërore të Turizmit) Zurab Pololikashvili, zv/presidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian Frans Timmermans, ministra të Turizmit nga më shumë se 10 vende, investitorë, drejtues kompanish, drejtues të agjencive të turizmit etj. Forumi është konceptuar në 7 panele tematike, në të cilat 70 folës do të diskutojnë tema të rëndësishme, lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.