Bregu në Kuvend: RCC synon afrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik të BE-së
Është Procesi i Berlinit, Samitin e radhës të së cilit, do ta organizojë Shqipëria, ndërsa Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), është institucioni që koordinon agjendën e tij, që ka rikthyer Majlinda Bregun sot, në Kuvendin e Shqipërisë.
E ftuar në statusin e Sekretares së Përgjithshme të RCC-së, në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, (një strukturë e konceptuar që në 2015-ën, nën kujdesin e vizionin e saj, që prej skepticizmit të fillimit se mos po i shtohej një tjetër hallkë procesit të integrimit e deri në formatimin e plotë të tij, si një instrument funksional), Bregu theksoi që në fillim të fjalës së saj se në agjendën rajonale kryefjala sot është Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal; rëndësinë e faktit se Shqipëria ka qenë e para që ka ratifikuar 3 Marrëveshjet e Lëvizshmërisë së Lirë, gjatë Procesit të Berlinit; si dhe besimin që ajo ka pasur që në krye të herës se parlamentet kanë një rol esencial në këtë proces.
“KKIE u mundëson të gjithë aktorëve të diskutojnë bashkarisht për prioritetet e procesit të integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, i cili është i domosdoshëm si ushtrimi i vetëm përmes të cilit ne do të kuptojmë e do të mund të përgatitemi për çdo fazë tjetër të procesit të afrimit me BE. Mesa duket anëtarësimi do të zgjasë aq sa askush nuk di ta thotë më, ndaj ajo ç’ka është më shumë e rëndësishme është forcimi i Tregut të Përbashkër Rajonal, për t’u qasur kështu përmes politikave konkrete me tregun europian.”- tha Bregu duhe shtuar se RCC synon që në Samitin e ardhshëm të Berlinit në Tiranë të paraqesë një skicë të qartë se si rajoni ynë mund t’i afrohet më shumë BE-së në 3 vjeçarin e ardhshëm.
“Duke menduar e gjetur mekanizmin se si, Ballkani Perëndimor mund të përfshihet në buxhetin e BE-së, duke ruajtuar politikën e kushtëzimit, me të cilin përballen shtetet anëtare. Sikur BE të mbështesë me 1% më shumë, në nivelin e PBB-së në vit, pra duke e kaluar në 2% mbështetjen, (e cila gjithsesi mbetet ende shumë më poshtë se mbështetja që marrin vendet e Europës qendrore e lindore), kjo do të rriste me 14% PBB-në në Ballkanin Perëndimor.”
Sipas Bregut rritja e potencialeve të rajonit do të kërkojë edhe burime të reja, dinamizëm të ri dhe plane konkrete, të realizueshme përmes së cilave mund të kapërcehen sfidat e thella sociale, institucionale dhe mjedisore. Për të siguruar të ardhmen që dëshirojmë për rajonin tonë do të duhen politika të forta të arsimimit, qeverisje më e mire, sundimi i ligjit, një mjedis i pastër dhe ekonomi dinamike, që ofrojnë më shumë mundësi.
Bregu renditi më pas disa nga arritjet e RCC-së dhe nismave të Tregut të Përbashkët Rajon si ulja drastike e kostove të komunikimit mes vendeve të rajonit, përmes reduktimit në 0 të tarifave roaming “Fol si n’shpi”; nënshkrimi në Tiranë i Deklaratës së Operatorëve të Telekomit në prani të Presidentes së Komisionit Von Der Lyen, Presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, udhëheqësve të BP-rë, Komisionerit Varheley dhe RCC- së për uljen e tarifave roaming edhe mes BE- BP duke nisur nga 1 tetori i këtij viti; vendosja për herë të parë e korsive të gjelbërta që gjatë pandemisë lejoi furnizimin e pa pengesa të mallrave esenciale dhe ilaçeve e që tani janë shtrirë edhë në vendet anëtare si Italia, Kroacia, Greqia e mandej do të mundësohen edhe në Hungari; miratimi nëntorin e shkuar në Samitin e Berlinit, i tre marrëveshjeve të lëvizshmërisë: për Lirinë e Lëvizjes me Kartë Identiteti brenda Ballkanit Perëndimor, për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Doktorët e Mjekësisë, Stomatologët dhe Arkitektët.
“Miratimi i këtyre 3 marrëveshjeve ka sjellë përfitime për profesionistët, studentët, studiuesit dhe profesorët. Është gjithashtu një mundësi e shtuar për të ndaluar largimin e të rinjve nga shtëpia e tyre, rajoni. Kostoja vjetore e humbur si rezultat i largimit të të rinjve të arsimuar nga rajoni varion nga një minimum prej 840 milionë euro në 2,46 miliardë euro. Kjo nënkupton një ulje të mirëqenies për ekonomitë e Ballkanit Perendimor që kushton rreth 3 miliardë rritje vjetore të PBB-së. Fatkeqësisht nëse vazhdohet me ritmin aktual, vlerësohet se rajoni jonë do të humbasë deri në 50% te talentit rinor në dekadat e ardhshme”- tha Bregu.
Por cilat mund të jenë disa nga rezultatet e prekshme për Samitin e ardhshëm të Tiranës? “Presim hyrjen në fuqi të reduktimeve të tarifave të roaming ndërmjet BE-BP; fillimin e zbatimit të paktën të 2 marrëveshjeve: atë të lëvizjes me ID dhe për kualifikimin e edukimit të lartë; aprovimin e marrëveshjes MRA 2 për 4 profesione të tjera: mamitë, kirurg veterener; infermiere dhe farmacistë dhe e fundit, por jo nga rëndesia Tregu i Përbashkët Rajonal po hyn gradualisht në fazën e vet përfundimtare duke përmbushur një cikël të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal” sqaroi Bregu duke e vënë theksin në fundin e fjalës së saj, edhe një herë më shumë tek synimi që RCC do të ketë që së bashku me organizatat e tjera rajonale, të arrijë të ketë në Samitin e ardhshëm piketat kryesore sesi do të jetë kuadri bashkëpunues rajonal, i cili përpos integrimit të rajonit, duhet të synojë aksesin e Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik të BE-së.
Fraksion.com