Avokati: Donald Trump, gati për betejën ligjore
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është gati për betejën e tij ligjore në një çështje që ka të bëjë me pagesa të fshehta, tha avokati i tij. Ish presidenti përgatitet të shkojë në gjykatë të martën ku do t’i lexohet aktpadia kundër tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim procesit ligjor, i pari në histori ndaj një ish presidenti.
Avokati i ish-presidentit Donald Trump, Joe Tacopina, foli rreth synimeve të ekipit mbojtës, kur u pyet në kanalin ABC se si ndihet klienti i tij për procesin që do të zvillohet të martën
Ajo që shpresoj është të hyjmë dhe të dalim në gjykatë sa më shpejt të jetë e mundur. Zakonisht në raste të tilla, dalim para gjykatësit dhe deklarojmë pafajësinë. Vendosim afatet për të paraqitur mocionet, apo procedura të tjera dhe ecim përpara”.
Akuzat nuk janë bërë ende publike, por ekspertët ligjorë thonë se ato mund të përqendrohen në falsifikimin e supozuar të të dhënave financiare të kompanisë, që kanë të bëjnë me një pagesë për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels.
Avokati Tacopina mendon se çështja ligjore është e dobët dhe e motivuar politikisht, por nuk ndan shqetësimet e zotit Trumpit se gjyqtari kryesor nuk do të jetë i paanshëm.
“A mendoj se gjyqtari është i njëanshëm? Sigurisht që jo. Si mund të pajtohem për këtë, kur nuk kam pasur asnjë ndërveprim me gjyqtarin, që do të më bënte të besoja se ai është i njëanshëm”, tha avokati.
Ish-presidenti ka shprehur gjithashtu kritika të forta ndaj prokurorit Alvin Bragg, i cili ngriti aktakuzën. Kjo mund ta dëmtojë Donald Trumpin, tha ish-prokurori i qarkut të Manhattan, Cyrus Vance Jr. , kur u intervistua në emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC.
“Kjo quhet ndërhyrje, ose kërcënim i funksionimit të qeverisë. Nëse e shton si akuzë dhe e paraqet para jurisë, kjo mund të ndryshojë mendjen e jurisë për seriozitetin e çështjes që po gjykon”.
Por nuk ka gjasa që gjykatësi ta detyrojë zotin Trump të mos flasë në publik për këtë çështje, apo për hetimet e tjera penale me të cilat përballet, tha avokati i tij në çështjen e dokumenteve të klasifikuara, Jim Trusty.
“Mendoj se do të ishte shumë e vështirë për një gjykatës që të vendosë një urdhër të tillë për një person që kandidon për president dhe me një ndikim të thellë në këtë vend”.
Avokatët e Trumpit thanë se Shërbimi Sekret do të përfshihet si pjesë e masave të rrepta të sigurisë brenda dhe rreth gjykatës të martën, kur ish-presidentit pritet t’i merren shenjat e gishtërinjve dhe të fotografohet përpara se t’i lexohen akuzat me të cilat përballet.
Zyra e zotit Trump thotë se ai pritet të mbajë një fjalim në pronën e tij në Mar-a-Lago të martën në mbrëmje. Donald Trumpi ndërkohë po bën fushatë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024./VOA
Fraksion.com