AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Vuçiç: Qarkullim më i lehtë përmes kufijve përpara nisjes së sezonit veror

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”, u shpreh mirënjohës për diskutime mjaft të frytshme për çështjet reale, çështje që nënkuptojnë jetën reale të qytetarëve të vendeve të Ballkanit të Hapur gjatë takimit me Kryeministrin Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

“Ajo çka diskutuam ishte sesi të ndihmojnë qytetarët e zakonshëm që të heqin të gjitha pengesat e barrierat e mbetura në tregtinë e lirë dhe në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në vendet e Ballkanit të Hapur. Diskutuam shumë çështje konkrete dhe besojmë se do të përgatisim gjithçka përpara nisjes së sezonit veror që do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të qarkullojnë përmes kufijve të secilit prej vendeve tona dhe besoj që njerëzit do ta vlerësojnë këtë shumë”, u shpreh Vuçiç.

Ai theksoi se u diskutuan edhe të gjitha çështjet e tjera që kishin të bënin me qasjet fito-sanitare, veterinare, të gjitha qasjet e tjera që lidhen me sigurinë ushqimore, si dhe pasjen e qasjes më të lehtë tek vendet e tjera.

“Ajo që diskutuam së bashku ishte që bashkë me Maqedoninë e Veriut do t’u japim të gjithë qytetarëve tanë ato karta elektronike për pagesën e tarifave rrugore, janë gjëra të vogla, por këto gjëra të vogla nënkuptojnë përparime reale për standardet e jetesës së qytetarëve. Diskutuam, po kështu, pranimin dhe njohjen e kartave të reja të identitetit që do të sigurojnë edhe ulje të mëtejshme për njerëzit, qytetarët, në shitjet me pakicë, në hoteleri për të tre ne vendet dhe besojmë që do ta realizojmë këtë në muajt që vijnë”, vijoi Vuçiç.

“Bëmë thuajse gjithçka lidhur me përfundimin e procesit për lëshimin e lejeve të punës dhe kjo besoj do jetë gur themeli real apo themeli për bashkëpunimin ekonomik të të gjithëve ne. Diçka shumë e rëndësishme është që kemi rritur nivelin e tregtisë, të paktën Maqedonia e Veriut e ka bërë me ne dhe ne me ta, ndërkohë që vlerësimi është rreth 50%, pak a shumë gjatë 3 viteve të fundit”, tha ai.

“Megjithatë, pengesa jonë më e madhe, në tërë Ballkanin, jo vetëm në Ballkanin e Hapur, është kur ke një kamion që transporton  diçka, produkte ushqimore të themi, shpenzojnë 70% të kohës së tyre në kufi; pra, koha e transportit është 30% ndërsa koha e pritjes në kufi është 70%. Pra, ka shumë gjëra për t’u tejkaluar”, vijoi Vuçiç.

“Edi do të organizojë panairin e bukës në Shqipëri, do të kemi panairin e verës, do kemi sërish panairin e festivalit, festivalin e filmit së bashku. Fëmijët tanë do të organizojnë kupa verore dhe shumë gjëra të tjera tek të cilat duam të angazhohemi me njëri-tjetrin”, tha Presidenti serb, Vuçiç.

 

Fraksion.com