Rama: Prodhuesit shqiptarë të verës për herë të parë në stendën e Open Balkan
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Verona, Itali, së bashku me Presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”.
Kryeministri Rama, Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski zhvilluan një takim mes tyre, në përfundim të të cilit dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
“Jemi të tre këtu sepse ia kemi dalë të jemi pjesë e një prej manifestimeve më të mëdha në Europë të prodhimit të verës në Itali, në Verona. Për herë të parë, prodhuesit tanë po përfshihen në këto panaire që janë në nivelin e ligës së kampionëve dhe jemi këtu falë nisjes, më së pari, të Panairit të Verës në Beograd vitin e kaluar që do të përsëritet; natyrisht do jetë shumë më i madh dhe me më shumë vëmendje gjatë këtij viti”, u shpreh Rama.
“Do jetë një mundësi e shkëlqyer për të folur për bujqësinë tonë, për prodhimin e verërave, për sfidat dhe ambiciet tona dhe po ashtu do jetë mundësi e jashtëzakonshme për prodhuesit tanë që të krijojnë kontakte, të vihen në kontakt me ata që janë më të mirët e prodhimit dhe tregtimit të verës në Europë dhe më gjerë në botë.
Nga ana tjetër, kjo ishte një mundësi për të ndarë pikëpamje dhe për të paraprirë takimet e tjera. Do të takohemi në fund të majit dhe më pas do kemi panairin e bukës në Shqipëri, në fillim të vjeshtës dhe më pas panairin e verërave.
Ndërkohë, kemi nisur të organizojmë atë çka është shpallur kohë më parë, kupën e parë verore të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme me ekipet më të mira. Qysh tani e dimë se Serbia do të fitojë, por megjithatë siç thuhet, nuk ka rëndësi të fitosh, por ka rëndësi të marrësh pjesë.
Ndërkohë, jam i sigurt që duke përjetuar këtë përvojë, fëmijët do të mësojnë nga njëri-tjetri dhe fëmijët tanë në Shqipëri do të mësojnë nga më të mirët në këtë lloj sporti dhe nuk e kam kuptuar kurrë se pse serbët janë më të mirë kur bëhet fjalë për të pasur një top, për ta ndjekur topin, për të qarkulluar me të, për ta hedhur topin në kosh, në rrjetë, por do na duhet të përshtatemi.
Ndoshta me kohën do t’i ruajmë këto përvoja si thesar por kushedi”, u shpreh Kryeministri Rama.
Shqipëria prezantohet me 75 etiketa vere në panairin më të madh të verërave në botë, “Vinitaly 2023” që po mbahet në Verona të Italisë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, tha se “Vinitaly në Verona, është një ndër ekspozimet më prestigjioze të verës dhe kantinave në Evropë. Mes 4900 ekspozuesve, disa qindra njohësve profesionistë dhe dhjetëra mijëra dashamirës të verës”.
“Në stendën “Wine vision by Open Balkan”, do të promovojmë së bashku me prodhuesit tanë shijet, territorin, karakteristikat dhe autenticitetin e verës ekselente shqiptare”, u shpreh ministrja.
Panairi mbledh më të mirët në prodhimin e verërave më të mira, vreshtarëve, mjeshtrave të qilarëve, enologëve, somelierëve dhe tregtarëve të verërave, si dhe ekspozues të verës nga disa prej kantinave më të famshme në botë dhe synon të promovojë edhe rajonin si destinacion turistik.
Në stendën e Shqipërisë 20 prodhuesit më të mirë të verës, ekspozojnë verërat “made in Albania” me etiketa tashmë marka të njohura në tregun ndërkombëtar ku ekportojnë prej vitesh. Ata prezantohen në këtë event të rëndësishëm, me synimin pë vendosjen e bashkëpunimeve të mundshme për hapjen e tregjeve të reja të eksportit të verës “made in Albania”.
Krifca e cilësoi pjesëmarrjen në këtë panair si një mundësi të artë për të ndarë eksperiencën e tyre dhe për të zhvilluar bashkëpunimet me kompani nga e gjithë bota.
Për 55 vjet “Vinitaly 2023” ka qenë sinonim i përfshirjes së të gjithë zinxhirit global të furnizimit të verës. Katër ditë të këtij manifestimi i kushtohen zhvillimit të marrëdhënieve midis prodhuesve, blerësve dhe palëve të interesuara për të shkëmbyer përvoja dhe aftësi.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po mbështet zhvillimin e industrisë së verës, si një nga produktet tradicionale nga më të hershmet në vendin tonë, që e ka bërë Shqipërinë të njihet për varietetet autoktone të rrushit, prej nga prodhohen një sërë verërash cilësore.
Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11.2%, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë/vit. Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi për ekonominë dhe eksportet shqiptare.