AktualitetPolitikëTë fundit

Kovaçevski: Ballkani i Hapur po jep rezultate në ekonomi! Kufijtë janë budallallëk i madh

Kryeministri i Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”, u shpreh se kjo paraqitje vërtetoi që Ballkani i Hapur po jep rezultate për njerëzit dhe bizneset.

“Ka vërtetuar atë çka kemi përsëritur gjatë tërë kohës që Ballkani i Hapur nuk është nismë politikë, por në të kundërt është një nismë ekonomike e cila mbështetet në katër liritë mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian, lëvizja e lirë e mallrave, e njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Dhe provohet përmes shifrave siç e tha Aleksandri dhe Edi dhe unë do të përmend disa shifra të tjera, se tregtia e Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë në 2022 krahasuar me 2019 është rritur me 53%”, u shpreh ai.

“Po kështu dhe tregtia serbe ndaj Maqedonisë së Veriut është rritur. 40% është rritur vëllimi tregtar drejt Shqipërisë dhe po kështu edhe nga Shqipëria është rritur vëllimi tregtar drejt Maqedonisë së Veriut. Kjo provon që barrierat jo tarifore që ne kishim në kufi ishin pikërisht ato që ndalonin qytetarët dhe bizneset tona të punonin sëbashku. Me zbatimin e korsive të gjelbra, me vetëm një kontroll fitosanitar ne përmirësuam, rritëm dhe përshpejtuam tregtinë midis vendeve”, tha Kovaçevski.

“Ne jemi vende pa kufij dhe jemi të vetmet vende me kufi në Europë. Kur shkon në veri në Serbi deri në Skandinavi nuk ka kufi. Kur shkon nga perëndimi i Serbisë deri në Portugali nuk ka kufi dhe të vetmit kufi janë në Ballkan dhe të dhënat që presidenti Vuçiç ndau me ne, që 70% e transportit kalohet në kufi, janë të dhëna të cilat ndahen edhe nga Banka Botërore. Kështu që nuk kemi nevojë për këta kufij sepse po i ndalin njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin”, vijoi ai.

“Ky panair verërash është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut gjithashtu sepse jemi eksportuesi i dytë më i madh i verës në rajon, ndaj pas Greqisë ne jemi eksportuesi më i madh me 60 milionë euro eksporte gjatë vitit. Pra, sot do të shihni verëra me shumë cilësi nga vreshtat më të mira të Maqedonisë së Veriut, së bashku në stendë me ato nga Shqipëria dhe Serbia”, u shpreh Kovaçevski.

“Duam t’i tregojmë të gjithëve se ky bashkëpunim rajonal që kemi, jo vetëm ndihmon qytetarët në vendet tona, por ndihmon të gjithë qytetarët në të treja vendet tona për ta pozicionuar veten ndërkombëtarisht në një prej panaireve më të mëdha të botës. Kjo po kështu do të jetë një mundësi për të tërhequr ekspozuesit që të vijnë tek panairi ynë i verërave, i Ballkanit të Hapur që do të zhvillohet sërish në Beograd”, theksoi ai.

Kovaçevski njoftoi se u ra dakord “të kemi festivalin tonë të filmit që do të zhvillohet në Shkup dhe do të nisim përgatitjet për të”.

“Do të organizojmë lojra sportive për kampionatët e shkollave të mesme e fillore në vendet tona për të konkuruar me njëri-tjetrin sepse aty janë fëmijët, aty janë prindërit kështu që, mund të bëjmë që qytetarët tanë të afrohen më shumë me njëri-tjetrin”, vijoi ai.

“Në fund do ta përmbyll duke thënë se kjo nismë është tanimë diçka organike, origjinale dhe e mbështetur në vullnetin e mirë, në mirëbesimin dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis tri vendeve tona. Të dhënat që kemi ndarë përfitimet që kemi ndarë dhe përfitimet që do të vijnë në të ardhmen e afërt, me sistemin e përbashkët të pagesës së tarifave rrugore elektronike midis Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë dhe me kartën e identitetit të hapur, përmes të cilës çdo punonjës mund të punojë nga njëri vend në tjetrin, nuk ka motiv më të madh dhe provë më të madhe për vendet e tjera të rajonit që të vijnë e të bashkohen me Ballkanin e Hapur sepse nëse ka një gjë që ka rezultuar e drejtë, është se nëse jemi së bashku, jemi gjithmonë më të fortë”, tha Kovaçevski.

 

Fraksion.com