AktualitetPolitikëTë fundit

Financimet ruse, Gogu: Të nisë urgjent hetimi për Kryemadhin, cenim i sigurisë kombëtare

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Toni Gogu i bëri thirrje sot  drejtësisë që të nisë hetimin për deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi pas akuzave ndaj saj për lidhjet me oligarkët rusë.

“I bëjmë thirrje që të fillojnë urgjentisht hetimin. Kryemadhi mund të heshtë, por prokuroria jo se është cenuar siguria kombëtare dhe Shqipëria është njollosur”, tha Gogu.

Gogu u shpreh se “dokumentet tregojnë që Kryemadhi ka bërë transaksione me oligarkë rusë. Ky është një alarm për sigurinë kombëtare të vendit, pasi e dimë që qëllimi i Rusisë është të krijojë zona ndikimi pro ruse në Ballkan. Këto transaksione tregojnë vulnerabilitetin e Shqipërisë dhe tregojnë se fijet ruse në Ballkan tani janë shtrirë. Është e rëndësishme që sot të shqetësohemi të gjithë”.

“Shqipëria është aleat i vendeve që sot po ruajnë territorin e Ukrainës dhe si pasojë të gjitha këto vende janë në një siguri të lartë ndaj këtij sulmi. Kryemadhi duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve. Pse nuk i ka deklaruar këto pagesa. Së dyti çfarë lidhje ka Kryemadhi me oligarkë që janë sponsorë të partisë së Putinit. Si mundet gruaja e presidentit të ketë kompani offshore. Si mund të pranosh pagesa nga ata që minojnë demokracinë ne vendet europiane , të cilët sot janë në një sulm frontal ndaj demokracive në vendet europiane”, nënvizoi Gogu.

Të dhëna të publikuara nga media tregojnë për lidhje të Kryemadhit me financime dhe pagesa të dyshimta nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës.

 

Fraksion.com