Tabaku: Nuk pati transparencë për fondet e rindërtimit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në interpelancë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj për fondet e rindërtimit deklaroi se ende nuk ka një raport të qartë të kostove dhe ndërtimit në fushën e rindërtimit.
Në fjalën e saj në Kuvend, Tabaku tha se në vitin 2019, një tërmet tragjik goditi vendin dhe 51 shqiptarë humbën tragjikisht jetën ndërsa mbi 3000 të tjerë u plagosën.
“Qeveria shqiptare morri pjesë në fillim të 2020 në një konferencë donatorësh organizuar nga Bashkimi Europian dhe jo vetëm për të përfituar një shumë prej 1.15 mld eurosh nga të cilat 295 mln euro në formën e granteve dhe 853 mln euro në formën e kredive të buta. Ndërsa kryeministri fillimisht vuri si kufi kohor vitin 2021 për të përfunduar procesin e rindërtimit, ndërkohë që ish-zv.kryeministri Ahmetaj në një interpelancë me kolegun Xhaferri deklaroi se në vitin 2022 procesi i rindërtimit ka përfunduar. Pas fatkeqësisë, qeveria shqiptare ngriti ministrinë e rindërtimit për të mbarëvajtur procesin e rindërtimit. Ndërkohë që flasim as ministria e rindërtimit dhe as ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk kanë një raport të qartë të kostove dhe ndërtimit në fushën e rindërtimit. Sot, shqiptarëve u themi që procesi i premtuar i përfundimit të rindërtimit është i gënjeshtër”, deklaroi Tabaku.
Ajo tha se raporti i OSBE-ODIHR vuri në dukje se procesi i rindërtimit u bë pis pasi u përdor për interesa elektorale ndërkohë që transparenca për këtë proces dhe fondet e alokuara për të është shumë e lartë.
Po ashtu Tabaku shtoi se ne, nuk kemi asnjë informacion se kur pritet të përfundojë procesi i rindërtimit.
“Në buxhetin e shtetit ka një fond prej 5 mld lekësh të alokuar për një proces që dukshëm është shumë larg përfundimit (siç edhe do të tregohet më vonë). Sikundër na mungojnë informacione në lidhje me kostot totale të këtij procesi; Sa është fatura e rindërtimit në total? Sa është vlera totale e fondeve që janë alokuar me VKM? Në tre vjet e gjysmë pas rënies së tërmetit ne nuk kemi arritur të kuptojmë realisht sa është vlera pasi ish ministri i financave dhe ekonomisë dhe përgjegjës për sektorin e rindërtimit ka deklaruar më herët që ky është një proces dinamik. Sot, a mendon njësoj ministrja Ibrahimaj? A mendon dhe ajo që ky është një proces dinamik që ndryshon nga çasti në çast apo ka për shqiptarët një përllogaritje të saktë të vlerës që do të marrë dhe ka marrë deri më tani rindërtimi? Në vitin e katërt pas Fatkeqësisë (mars 2023), Qeveria ka Buxhetuar, Alokuar dhe Konsoliduar total 75 miliardë lekë. Konkretisht në 2020 u konsoliduar 16.6 miliard lekë, në 2021 janë 29.5 miliard dhe në vitin 2022 janë 28.9 miliard lek shpenzime të realizuara. Viti aktual 2023 ka një Plan të Buxhetuar për Programin e Rindërtimit në masën 5 miliard lekë”, tha ajo.
Ne vijim, Tabaku tha se qytetarët janë sot në errësirë të plotë në lidhje me shumën e parave që është përdorur nga fondi i thuajse 300 mln euro grante që ka përfituar vendi.
“Në raportin e buxhetit 2020 shkruhet që qeveria ka nënshkruar 277 mln euro nga grandet por sot e kësaj dite nuk kemi asnjë detaj për këto grante. A janë përkthyer në investime për qytetarët shqiptarë në procesin e rindërtimit grandet që raporti i buxhetit faktik 2020 pretendon se janë marrë në vlerën e 277 mln eurove?A janë raportuar këto grante të marra, sipas buxhetit faktik 2020, në raportin e investimeve vjetore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë? Përpos situatës me donacionet dhe grandet nga konferenca një tjetër situatë interesante na shfaqet në buxhetin e shtetit. Në buxhetin e shtetit për vitin 2021 në tabelën e treguesve fiskalë të buxhetit të konsoliduar pjesa e fondit të rindërtimit është parashikuar në vlerën e 29 mld lekëve për vitin 2021 dhe në vitin 2022 janë parashikuar 6 mld lekë ndërsa për vitin aktual 0 lekë”, tha Tabaku.
Fraksion.com