“Po e filloj nga Luljeta dhe Nexhmija”, Rama: Rritja e pagave për punonjësit e administratës, në 2 hapa brenda 1 viti
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot rritjen e pagave për punonjësit e administratës, ku theksoi se “rritja e pagave do të behet me dy hapa, në harkun e një viti pra do të fillojmë tani dhe pjesën tjetër do ta shtojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe pastaj do të vazhdojë”.
Në fjalën e tij gjatë një takimi me punonjës të Kryeministrisë, Rama tha se “u bënë kaq vite që punojmë së bashku, që të gjithë ju kontribuoni këtu me përkushtim dhe pa orar, besoj që e keni merituar prej shumë kohësh, por mundësia për ta bërë të mundur është krijuar vetëm tani”.
“Ju e dini shumë mirë sa shumë vështirësi na është dashur të kalojmë dhe sa shumë punë na është dashur të bëjmë për ta krijuar këtë bazë dhe tani është koha të bëjmë një rrije rrogash shumë domethënëse. Për të pasur një ide të domethënies kam marrë disa raste konkrete duke dashur të përfitoj nga rasti edhe për të falënderuar me mirënjohje disa prej jush që janë legjenda të këtij institucioni”, tha Rama.
“Monika është drejtore njësie prej 26 vjetësh, Rizai që është jurist i departamentit ka 37 vjet, Vjollca përgjegjëse e sektorit 43 vjet punë, Zenajda përgjegjëse sektori, 28 vjet , Luljeta që është specialiste, 41 vjet, Nexhmija që ka 44 vjet punë. Për shkak të pagës minimale që e kemi rritur korrektimet do fillojnë nga lart poshtë dhe unë po filloj nga poshtë lart për të thënë sa do jetë paga e Luljetës dhe Nexhmies në fund. Paga e Luljetës do shkojë 135 mijë lekë dhe paga e Nexhmijes 125 mijë lekë. Pastaj Zenajda përgjegjëse sektori do t’i shkojë paga 158 mijë , Vjollca përgjegjëse sektori do ta ketë 149 mijë lekë, Rezari 280 mijë lekë dhe Monika 249 mijë lekë”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kjo është rritja e pagave që do të përfshijë gjithë administratën juve sipas pozicioneve, pasi i dëgjuat kini parasysh si do jetë paga juaj sipas kategorive. Kini parasysh që nëse për zonjat këtu u desh kohë relativisht e gjatë që të arrinin një pagë plotësisht dinjitoze për ju më të rinjtë po punuat sa gjysma e këtyre do merrni më shumë sepse dihet ne fund të ditës për ju të rinjtë po punojmë”.
Rama bëri të ditur dje detaje nga plani i qeverisë për rritje të pagave në vend, ku tha se plani ambicioz për rritje pagash, synon që të mundësojë në harkun e këtyre dy viteve, 2023-2024, ngritjen e Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit.
“Ky plan synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Jemi në kushtet e një mundësie të re që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve dhe familjeve”, theksoi Rama./atsh
Fraksion.com