AktualitetBota+Të fundit

Kryeministri japonez: Pashë me sytë e mi agresionin e Rusisë në Ukrainë

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, theksoi rëndësinë e rendit të bazuar në sundimin e ligjit, duke kujtuar vizitën e tij javën e kaluar në Ukrainë, ku Rusia vazhdon sulmet e saj.

Kryeministri Kishida foli lidhur me krizën Rusi-Ukrainë në video-mesazhin që dërgoi në “Samitin e 2-të të Demokracisë” të organizuar nga SHBA-ja, Kosta Rika, Holanda, Koreja e Jugut dhe Zambia.

Duke premtuar se do të marrë rol udhëheqës në mbrojtjen dhe forcimin e rendit ndërkombëtar bazuar në sundimin e ligjit si kryesuesi i G7, Kishida kujtoi atë që pa në Ukrainë javën e kaluar.

“Kam parë provat e agresionit të Rusisë me sytë e mi dhe kam dëgjuar drejtpërdrejt nga ata që i kanë përjetuar këto mizori”, tha Kishida.

Në mesazhin e tij, kryeministri japonez u zotua se vendi i tij do të luajë rol në trajnimin e më shumë se 1.500 gjyqtarëve dhe zyrtarëve administrativë nga vende dhe rajone të ndryshme, veçanërisht nga Azia.

Samiti i Liderëve të G7, i organizuar nga Japonia, do të mbahet në maj në qytetin e Hiroshimës në pjesën jugperëndimore të vendit.

 

Fraksion.com