AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Ibrahimaj: Për Rindërtimin pas tërmetit, u akorduan 101.9 miliardë lekë nga buxheti

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se 101.9 miliardë lekë u akorduan nga buxheti i shtetit për transferta tek individët dhe projekte investimi publik për procesin e rindërtimit për periudhën 2019-2023.

Në interpelancën e thirrur nga deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ministrja u shpreh se nga këto, 73 miliardë lekë është realizimi faktik për 2019-2022 dhe 5 miliardë lekë është plani për vitin 2023.

Sipas saj, janë 8.8 miliardë lekë fonde të akorduara nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirave të strehimit të përkohshëm të familjeve të dëmtuara, nga të cilat 500 milionë lekë është plani 2023. Ajo shtoi se 2.5 miliardë lekë janë grante të huaja, ndërsa, nuk është marrë asnjë kredi deri në këtë moment.

Ibrahimaj foli për transformim të lagjeve të tëra pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë mëngjesin herët të 26 nëntorit të vitit 2019.

“Dua ta falënderoj Deputeten Tabaku, që kërkoi këtë interpelancë, të cilën po e shoh si një mundësi për të bërë një pasqyrim të asaj se çfarë kemi bërë në këto 3 vjet e pak, sesi arritëm të transformonim lagje të tëra dhe t’ju jepnim jo thjesht një strehë qindra e qindra familjeve, por edhe shpresën e një të ardhmeje më të mirë. Sepse ne, qeveria Rama, e kemi treguar këtë. Në këto 10 vite qeverisje kemi treguar se kontrata me qytetarët, pa dallim përkatësie partiake është për ne e shenjtë, është detyra jonë kryesore, është angazhimi ynë, është ajo që na motivon në rrugën drejt reformave të transformimit dhe integrimit. Ne nuk qeverisim vetëm për ata që na votuan, ne qeverisim me shqiptarët dhe për shqiptarët”, theksoi Ibrahimaj.

Sipas ministres, tërmeti masiv i 26 nëntorit, ndikoi fort në jetën dhe pronën e rreth 202 291 qytetarëve shqiptarë.

“Ndikimi në aspektin social dhe ekonomik të vendit ishte mjaft negativ. Për fatin tonë të keq humbëm jetë njerëzish, pati shumë lëndime, pati shumë dëmtime. Vendi humbi kapital fizik. Një ndër vlerësimet që u krye lidhur me këtë, llogariste një dëm total prej rreth 1 miliard euro ose rreth 120 miliardë lekë, që është afërsisht rreth 40% e investimeve totale që ekonomia gjeneron gjatë një viti, ose rreth sa gati dy vite investime publike”, vuri në dukje ajo.

Në kushtet e emergjencës, theksoi ministrja, Qeveria u angazhua tërësisht përmes mekanizmit të Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit.

“U ndërmorën një sërë masash të menjëhershme, në seri kohore të ndryshme. Një fond prej 200 milionë lekë u akordua, me qëllim rikonstruksionin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Një fond prej 270 milionë lekë u akordua me qëllim sigurimin e akomodimit të përkohshëm në hotele për të dëmtuarit në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Një fond prej 70 milionë lekë, u akordua për përballimin e shpenzimeve për inspektimin dhe vlerësimin e dëmeve”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo nënvizoi se një kosto të konsiderueshme financiare, mbuluar tërësisht nga buxheti i shtetit, ka sjellë edhe politika e subvencionimit të qirasë për strehimin e familjeve të dëmtuara.

“Në vitin 2020, numri i familjeve përfituese në politikën e strehimit ishte rreth 14 100, ndërsa sot janë 8 400 familje që marrin bonus qiraje me një vlerë mesatare prej 20 mijë lekësh në muaj. Përgjatë 2020-2022 janë përdorur rreth 8.4 miliardë lekë që janë financuar për këtë qëllim. Për vitin 2023 janë planifikuar 500 milionë lekë”, deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se aktualisht nuk ka fatura të papaguara apo detyrime të krijuara nga rindërtimi.

Ministrja iu përgjigj edhe akuzave të Tabakut për kosot më të lartë të projekteve të realizuara nga ana e qeverisë se sa për ato të realizuara nga donatorët, duke e konsideruar atë si akuzë të pavërtetë.

“Programi ynë i Rindërtimit ka në thelbin e tij një dimension të qenësishëm social, ku përfitues kanë qenë 38 500 përfitues nga nën programi “grante rikonstruksioni” (DS1-DS4); dhe rreth 1800 përfitues nga nën programi “grante rindërtimi” (DS5).

Ibrahimaj bëri të ditur se me qëllim realizim e projektit, u ofrua mbështetje edhe për biznesin, për atë që operon në fushën e ndërtimit e që lidhet me lehtësi fiskale, siç ishte përjashtimi nga TVSH-ja i furnizimeve të lidhura me rindërtimin.

“Pra, produkti për rindërtimin, i porositur nga entet shtetërore apo strukturat e pushtetit lokal, është përjashtuar nga 20 % i TVSH-së, çka nënkupton uljen e kostove të ndërtimit”, tha ajo.

Ministrja iu përgjigj edhe akuzave për marrjen e Eurobondit dhe paaftësi për tërheqjen e kredive të siguruara në konferencën e Donatorëve, mbajtur në 2020-ën në Bruksel.

“Kreditë e marra apo premtuara në konferencën e Donatorëve janë me norma variabël interesi që negociohen vit pas viti. Tre vite më parë norma e interesit ishte negative dhe marrja e atyre kredive mund të dukje pozitive, por sot pas tre vitesh, po ato kredi janë me norma më të larta se eurobondi që u sigurua me normë interesi 3.75 %, pasi merret me normë fikse dhe krijon qëndrueshmëri më të madhe. Pra nuk kemi marrë borxh me të shtrenjtë. Urgjenca dhe nevoja për të nisur procesin e rindërtimit ndikoi edhe zgjedhjen e financimit me buxhet, pasi procedurat nga BE apo donatorët zgjasin”, shtoi ministrja.

 

Fraksion.com