AktualitetBota+Të fundit

Arabia Saudite i bashkohet organizatës së sigurisë të udhëhequr nga Kina

Arabia Saudite ka rënë dakort t’i bashkohet Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait, në rolin e një “partneri për dialog”, njoftuan mediat zyrtare të mërkurën. Ky është treguesi më i fundit i lidhjeve më të afërta politike të këtij vendi me Kinën.

Organizata e Bashkëpunimit të Shanghait u themelua në vitin 2001 si një organizatë politike, ekonomike dhe e sigurisë, për të rivalizuar institucionet perëndimore.

Krahas Kinës, ndër tetë vendet anëtare janë India, Pakistani, dhe Rusia, si dhe katër vende të Azisë Qendrore: Kazakistani, Kirkistani, Uzbekistani dhe Taxhikistani.

Kabineti saudit miratoi vendimin gjatë një takimi të kryesuar nga Mbreti Salman, njoftoi Agjencia Saudite e Shtypit.

Ky vendim do t’i japë Riadit “statusin e partnerit për dialog në Organizatën e Bashkëpunimit të Shanghait”, thuhet në njoftim.

Ndër vendet e tjera, me status vëzhguesi apo partneri për dialog, janë Egjipti, Irani dhe Katari.

Vendimi i Riadit për t’iu bashkuar këtij blloku vjen vetëm tre javë pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kina për ripajtimin me Iranin dhe rivendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, të cilat u ndërprenë shtatë vite më parë.

Rivalë të ashpër dhe të hershëm, Irani me shumicë shiite dhe Arabia Saudite kryesisht sunite janë angazhuar në disa konflikte nëpërmjet palëve të treta në rajon, si në luftimet e zgjatura në Jemen.

Riadi ka thënë se megjithëse ishte angazhuar në bisedime të mëparshme dypalëshe me Teheranin, procesi i paqtimit u fillua nga oferta e Presidentit Xi Jinping vitin e kaluar për të shërbyer si një urë mes dy vendeve me peshë në Lindjen e Mesme.

Roli i zotit Xi shkaktoi habi për shkak të partneritetit tradicionalisht të afërt të Arabisë Saudite me Uashingtonin, megjithëse marrëdhënia është testuar rishtazi për shkak të mosmarrëveshjeve për të drejtat e njeriut dhe për prodhimin e naftës.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, nuk i kushtoi shumë rëndësi pasojave të vendimit të Arabisë Saudite, duke thënë se pritej prej kohësh.

“Çdo vend ka marrëdhëniet e tij”, tha zoti Patel.

Presidenti kinez Xi gjatë një telefonate të martën me Princin saudit të Kurorës Mohammed bin Salman, djali i Mbretit Salman dhe drejtuesi de facto i vendit, lavdëroi atë që e quajti ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Në komentet e tij të para publike që kur u njoftua se ishte arritur marrëveshja Arabi Saudite-Iran, zoti Xi tha se dialogu i mbështetur nga Kina do të “luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e unitetit dhe bashkëpunimit rajonal”.

 

Fraksion.com