Ukrainë: “Kompania tregtare Metro sponsorizon Rusinë”
Duke argumentuar futjen e Metro-së në listën e saj të ashtuquajtur listë e sponsorizuesve ndërkombëtarë të luftës, agjencia shkroi në Twitter, se manaxherët e Metros nuk kanë ndaluar “së financuari agresionin rus”, dhe se “aksionieri kryesor Daniel Kretinsky, është i lidhur ngushtë me naftën, gazin dhe sektorin bankar të ekonomisë së Rusisë. ”
Kretinsky është oligark çek që ka 29,99 përqind të aksioneve të Metros, dhe është po ashtu pronar i EPH, një kompani holding çeke që ka pasur fitime të mëdha në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, falë aktiviteteve të mëdha të biznesit me gazin rus.
Drejtori i përgjithshëm i Metros, Steffen Greubel duke mbrojtur vendimin e kompanisë për të qëndruar në Rusi deklaroi, se vendimi është marrë pranverën e vitit të kaluar. Por edhe tani, pas më shumë se një viti që kur forcat ruse u futën në kufirin me Ukrainën, kompania qëndron e palëkundur në vendimin e marrë për të vazhduar atje aktivitetet e biznesit.
Në një deklaratë me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i kompanisë tha: “Metro dënon pushtimin rus të Ukrainës.”
Ai e mbron vendimin e kompanisë për të vazhduar biznesin në Rusi duke thënë: “Pasi bëmë me kujdes një shqyrtim të brendshëm ne vendosëm të mbajmë aktivitetin e filialit tonë në Rusi, duke mbajtur po ashtu përgjegjësi për 10 mijë kolegët e atjeshëm dhe shumë nga klientët tanë që e marrin ushqimin e tyre prej nesh.” Në vitin fiskal 2021/2022 Metro rriti volumin e biznesit në Rusi duke arritur në një vlerë totale prej 2,9 miliardë eurosh.
Edhe kompani të tjera ushqimesh në listën e NACP
Që nga 16 marsi, Metro u është bashkangjitur 16 entiteteve të tjera që agjencia NASP, i ka futur si sponsorizes lufte në bazën e të dhënave që monitorohet nga grupi londinez London Stock Exchange Group. Kompani të tjera mallrash konsumi të përfshira në listë janë Proctor & Gamble me bazë në SHBA dhe Auchan me bazë në Francë.
Një studim i bërë nga Universteti St. Gallen në Zvicër ka nxjerrë se më pak se 9 përqind e kompanive europiane dhe kompanive të G7 që kanë filiale në Rusi, janë larguar prej andej deri në nëntor të 2022. Sipas studimit, pjesa më e madhe e kompanive që kanë qëndruar e kanë qendrën në Gjermani.
Sipas faqes së internetit të NACP, Metro është veçuar si sponsorizues lufte për shkak të vazhdimit të partneritetit me Sberbank, një kompani ku shumicën e ka shteti rus, angazhimit të tij në një projekt franchise me një zinxhir dyqanesh ushqimore në Rusi me emrin Fasol, dhe pranimit të pagesës së parave me Mir.
Filialet e Metros në Turqi i pranojnë pagesat me Mir, një sistem pagimi krijuar nga Manka Qendrore ruse dhe bllokuar në një numër vendesh, pasi SHBA kërcënoi shtatorin e kaluar se do të vendosë sanksione kundër entiteteve që e pranojnë.
Zëdhënësi i shtypit të Metros tha se: “Që me fillimin e luftës, nuk është investuar më në rritjen e biznesit në Rusi, por vetëm janë mbajtur aktivitetet ekzistuese të biznesit, dhe ne vazhdojmë t’i ndjekim zhvillimet shumë nga afër.”
Qytetarët ukrainas të ofenduar nga mosveprimi i bizneseve
I zemëruar me vendimin e kompanisë për të vazhduar biznesin në Rusi, Taras Korpaniuk shpërndau një video ku shihej ai vetë duke shkruar “para gjaku” me ngjyrë të kuqe në derën e filialit të Metro në Ukrainë. Për këtë akt vandalizmi, ai u gjobit nga policia lokale dhe ra në ujdi me menaxherët e filialit të Metro. Korpaniuk është bashkë me të tjerë themelues i një grupi vullnetarësh që quhet “Port Frankivsk”, duke e marrë emrin nga një libër për qytetin ukrainas Ivano-Frankivsk. Grupi mbledh jelekë antiplumb dhe dylbi dhe i dërgon ato në vende strategjike.
I pyetur pse është personalisht i shqetësuar me biznesin e Metrosë në Rusi, Korpaniuk i tha Deutsche Welles: “Lufta është kthyer në letër lakmusi, dhe tregon se si punojnë disa kompani”. Ai shton se vlerëson bizneset që kanë marrë vendimin e vështirë për t‘u larguar vitin e kaluar nga Rusia, megjithëse kjo ka shkaktuar humbje të ardhurash. “Ky është një sinjal i rëndësishëm për njerëzit në Rusi,” thotë ai, “sepse kur ata shohin se kompanitë largohen nga tregu i tyre, atëherë e kuptojnë se diçka nuk është në rregull. Ajo ia bën jetën më të vështirë dhe jep edhe një arsye tjetër për të vënë diktaturën në pikëpyetje.”
Biznes me njësi në të dy anët e frontit
Biznesi ndërkombëtar i Metrosë shtrihet në 34 vende, përfshirë Rusinë dhe Ukrainën. Metro Cash & Carry ushtron aktivitetin në Ukrainë që prej vitit 2003 dhe ka atje 23 qendra shitjesh me shumicë.
Në faqen e internetit të Metrosë në Ukrainë, një deklaratë për listën e NACP të sponsorizuesve ndërkombëtarë të luftës lexohet: “Vendimi i NACP ka të bëjë me Metron e Rusisë… Ne i bashkohemi vendimit të shtetit për mbylljen e biznesit në vendin agresor dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion mbi partnerët ndërkombëtarë të korporatës dhe frontin diplomatik…Metro Ukrainës për Ukrainën.”
Zëdhënësi i Metrosë theksoi përpjekjet e kompanisë për të mbështetur programet e ndihmës për Ukrainën, duke shtuar se “prioriteti kryesor për ne është të mbështesim kolegët ukrainas, të vazhdojmë aktivitetet për furnizimin me ushqime dhe të ndihmojmë me nisma konkrete njerëzit në vend si dhe refugjatët nga Ukraina.”
Por punëtorët e Metros në Ukrainë mund ta kenë të vështirë të kuptojnë deklaratën e bërë nga qendra në Gjermani për solidaritet, duke pasur parasysh se kompania vazhdon të përfitojë nga aktivitetet e biznesit që ka në Rusi.
Një deklaratë lëshuar nga Metro Ukrainë në mediat sociale thotë se anëtarët e filialit të Ukrainës i kanë “dërguar apel në mënyrë të përsëritur, qendrës së Metrosë në Dyseldorf të Gjermanisë, duke kërkuar “që të mbyllë menjëherë bizneset në territorin e shtetit agresor”. /DW
Fraksion.com