AktualitetPolitikëTë fundit

Sulmi ndaj Top Channel, Rama: Agresion kriminal ndaj një institucioni kombëtar

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj sulmit ndaj sulmit të paprecedentë që u krye orët e para të mëngjesit të sotëm ndaj selisë së Top Channel, ku mbeti pa jetë roja i sigurisë Pal Kola.

Në një intervistë në emisionin “Top Story” në Top Channel, Rama tha se, “kjo që ka ndodhur është një agresion kriminal ndaj një institucioni kombëtar dhe nuk ka të bëj me situatë të jashtëzakonshme”.

“Ne do të bëjmë çmos t’i gjejmë autorët dhe motivet e tyre. Unë i them të gjithë atyre që punojnë në top Chanel nga pronari deri tek gazetarët të vazhdojnë punën kryelartë dhe të mos zmprapsen nga mision i tyre”, theksoi Rama.

Rama e cilësoi ngjarjen agresion ndaj institucionit të medias, duke u ndalur edhe tek komentet që e shoqëruan ngjarjen.

“Më e bukura është se Top Channel është i vetëpërmbajtur ndërsa disa të tjerë që duhet të ndjekin rastin e Top Channel gjejnë rastin të bëjnë propagandë. Liria e medias sot është kërcënuar drejtpërdrejtë dhe Top Channel jep shembullin se si një media që ka respekt për veten e të vërtetën nuk shfrytëzon breshërinë e plumbave për të bërë viktimën por e ngre problemin me gjithë fisnikërinë dhe kjo është arsyeja përse dola sot këtu”, u shpreh Rama.

I pyetur nëse Top Channel është në situatë të sigurtë, Rama theksoi se kjo nuk është një ngjarje e radhës, por është një nga ato ngjarje që ndodhin si rrufe në qiell të pastër dhe nuk përbën vazhdimësi.

“Kjo është diçka e lidhur drejtpërdrejtë me Top Channel, qeveria ka qenë një ndër shënjestrat e Top Channel dhe unë jam sot këtu e ajo çfarë mund të them është se nuk ka mundësi e shans të dalë dikush nga Top Channel qofshin pronarë apo gazetarë të thotë që në një sekondë të ketë ndjerë që qeveria t’i ketë ushtruar presion apo polemikën ta ketë parë në një polemikë të përkthyer në veprim”, theksoi Rama.

“Që serioziteti i kësaj çështjeje është kaq i madh është dhe ju siguroj që e kuptoj dhe ndjej shumë thellë këtë goditje dhe do bëjmë çmos të gjejmë autorët, i them individëve që janë pjesë e këtij institucioni të vazhdojnë kryelartë misionin e tyre. Dua të më jepni mundësinë t’i përcjell ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit punonjësit të sigurisë, është një arsye më shumë që të bëjmë çmos për të zbuluar motivet e ngjarjes. Unë dhe qeveria që unë drejtoj nuk kanë ndërhyrë kurrë në asnjë milimetër të lirisë së medias”, tha Rama.

 

Fraksion.com