AktualitetOp-EdTë fundit

 Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të  interesave Kombëtare

Nga Gjeneral ®  Piro Ahmetaj

 

Pa asnjë mëdyshje, agresioni ushtarak i Rusisë Putiniste kundër tërësisë territoriale të një vendi sovran (Ukrainës), mbetet gjithashtu një kërcënim, sfidë dhe kambanë e fortë alarmi për sistemin dhe instrumentet globale të sigurisë.

Përveç luftës në Ukrainë, mësimet e nxjerra nga operacionet/angazhimet e gjata të NATO-s në Irak, Afganistani, Kosovë, Bosnjë Hercegovinë etj. si dhe pesha e kërcënimeve kibernetike etj. po/do të shërbejnë si domosdoshmëri kritike për të transformuar dhe modernizuar jo vetëm institucionet e sigurisë globale (UN/NATO), por edhe ato kombëtare të çdo vendi.

Nga ana tjetër duhet ta ripërsërisim se për 30 vendet e NATO-s, tërësia territoriale mbetet përgjegjësi kolektive (Artikulli 5). Kjo është thelbësore, por kurrsesi një dhuratë pasi vendet kanë obligimin të zhvillojnë kapacitete të afta për përmbushjen e misionit të përballjes me rreziqet konvencionale, ose sulm ushtarak.

Kështu, përtej tërësisë territoriale, të gjitha vendet e NATO-s, por jo vetëm, po modernizojnë konceptet (strategjinë), strukturat, pajisjet, kapacitetet, si dhe aftësitë operacionale për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare.

Pothuaj çdo vend i NATO-s po zhvillon strategji (që harmonizon objektivat, mënyrat dhe mjetet) për garantimin jo vetëm të sovranitetit territorial, por të fokusuara në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare.

Si parim, rishikimi periodik i strategjisë “imponohet” nga dinamika e ambientit të sigurisë dhe pesha e rreziqeve si dhe impaktit ndaj interesave kombëtare. Po ashtu, përtej emërtimit, rishikimi ciklik i Strategjive Kombëtare mbetet si domosdoshmëri kritike për të modernizuar instrumentet dhe kapacitetet e sigurisë kombëtare; për të reflektuar ndryshimet e konceptit strategjik të NATO-s si dhe përmbushur detyrimet në kuadër të NATO, EU, UN.

Përtej modestisë së tepruar, në kapacitetin e ekspertit me eksperiencë në reformat e Sigurisë Kombëtare, Rajonale & NATO-s dhe në përgatitjen e dokumenteve strategjike (SSK, SU, RSM-2013, PAZH, etj.) po paraqes një vlerësim me gjetje, parime si dhe 10 rekomandime strategjike për domosdoshmërinë e hartimit të Strategjisë së Mbrojtjes dhe Zhvillimit të Interesave Kombëtare (SM&ZhIK) të Republikës së Shqipërisë:

1. Vullnet, përpjekje dhe masa gjithëpërfshirëse jo vetëm në rrafshin e vendimmarrjes politike, por në të gjitha hallkat, institucionet, agjencitë dhe fazat e përgatitjes së draftit të Strategjisë. Për më qartë, grupi i punës nuk do duhet kurrsesi të përbëhet nga thjesht “burokratë të emëruar”, por nga personalitete të mirënjohur, shtetarë të përgjegjshëm, patriot mendjehapur si dhe me eksperiencë të spikatur në fushën e mendimit strategjik.

2. Gjithëpërfshirje dhe konsensus sa më i gjerë. Shpresoj që 32 vjet të kemi mësuar se një strategji pa konsensus apo e prodhuar në frymë konfliktuale, mbetet një dokument i padobishëm, pra, një dokument inventar, që dublikon “pa kurrfarë lidhje” programin e qeverisë së radhës. Është po ashtu fakt se në shumë se 3 dekada të përpjekjeve për ndërtimin e shtetit demokratik, të bazuar në parimin “check and balance”, një nga vlerat e gjithëpranuara që do duhet të “gjunjëzohej/t” klasa politike kur vjen mbeten çështjet e Interesave Kombëtare, si p.sh anëtarësimin në NATO, BE, etj. Kjo qasje do të demonstronte edhe pjekuri, edhe përgjegjshmëri të klasës politike dhe po ashtu do shërbejë si një mesazh i fort pozitiv për partnerët strategjikë, SHBA, NATO, BE etj.

3. Vizion strategjik, për të peshuar dhe balancuar skenarët e kërcënimeve të mundshme me interesat kombëtare. Prandaj në përgatitjen e Strategjisë për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Interesave Kombëtare, duhen angazhuar personalitete me ekspertizë dhe integritet të spikatur në fushën e politikës, ekonomisë, diplomacisë, inteligjencës, informacionit/IT, gjeneralë, fusha e emergjencave civile, Policisë së Shtetit, Akademia e Shkencave etj.

4. Konsultim me aktorët e shoqërisë civile, qendrat e studimeve strategjike, akademikë të mirënjohur dhe grupet e interesit është jo vetëm një “kërkesë në modë”, por para së gjithash një detyrim dhe provë e përgjegjshmërisë shtetërore, me qëllim për t’i dhënë dokumentit garanci aplikative si dhe të kohezionit kombëtar. Nuk është shpikje, p.sh., në vendet perëndimore, për zhvillimin e dokumenteve strategjikë angazhojnë personalitete ose “grup të urtësh” si dhe ekspertë me peshë strategjike dhe jo vetëm grupe pune nga “burokracia/zyrtarë të emëruar”!

5. Kohezion mbarëkombëtar. Organizimi i konferencave shkencore apo debat publik për strategjinë, duke hapur një ëebsite të posaçëm (siç ndodh në vendet e tjera), ku çdo qytetar i interesuar shpreh mendimet e veta. Me tej, produkti do duhet të konsultohet me Kolegjin e NATO-s, ”Qendrën Marshall”, NDU/USA, etj., për të marrë edhe “certifikatën” e institucioneve elitare në fushën e mendimit gjeostrategjik. E parë nga sa sipërpërmendur, çdo produkt (Strategji) burokratike, pra, që do t’i mungonte gjithëpërfshirja, konsensusi dhe konsultimi do “mbetej në klasë si dokument inventar” dhe do t’i shkonte shprehja amerikane “breathing neë life into dead reckoning”, ose e përkthyer, “i/e vdekur pa e lindur ende”?!

6. Peshimi i rreziqeve dhe i dinamikës së mjedisit të sigurisë. Ukraina tregoi qartë se jetojmë në një realitet, ku nuk janë zhdukur përgjithmonë rreziqet konvencionale, ose sulmet ushtarake ndaj integritetit territorial. Ndërsa po ashtu Krimea, Kosova, Bosnja etj. na kanë treguar, se kërcënimet po sofistikohen nëpërmjet përdorimit të formave të reja si referendumeve të mbështetura nga jashtë, fundamentalizmit fetar, destabilitetit financiar, krimit të organizuar, axhendës së politikanëve të korruptuar, qeverisjet e dështuara etj.

7. Anëtarësimi në BE të rikonfirmohet jo vetëm si mision dhe opsion i vetëm, por edhe si një projekt që i bashkon mbarë shqiptarët, rreth vlerave perë perëndimore, të drejtën e jetës, fjalës së lirë, pronës dhe tregut të lirë. Ose më mirë e thënë nga një mendje atërore si Profesor Sami Repishti: “Integrimi në bashkësinë e vlerave euroatlantike (BE me 450 milionë banorë) mbetet shprehje e aspiratës dhe Fat i bardhë i të ardhmes së Shqipërisë dhe Kosovës”.

8. Modernizimi i kapaciteteve operacionale në rastet e përballjes me emergjencat/fatkeqësitë natyrore, industriale dhe njerëzore. Ndërsa mbetet ende të përmirësohen mekanizmat e kontrollin civil demokratik të strukturave/agjencive përgjegjëse, për të mos lënë hapësira të devijimit nga misioni kushtetues, si dhe për më keq për të shmangur shpërdorimit nga klientët e pushtetit të burimeve të mbrojtjes kombëtare.

9. Objektivat strategjike do duhet të shoqërohen me një plan/matricë veprimi me aktivitete, përgjegjësi shtetërore dhe mbështetje me financa adekuate. Thënë këtë, do duhet paraprakisht të ngrihej Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK), e cila do të shërbejë për t’u siguruar në kohë reale autoriteteve të larta shtetërore peshën e kërcënimeve ndaj interesave kombëtare, si dhe do të luajë një rol thelbësor në formulimin e dokumenteve baze të Sigurisë Kombëtare, përgatitjen e paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas matricës së detyrimeve ndërinstitucionale etj.

10. Përmbushjen e detyrimeve dhe përmirësimin i kredibilitetit të RSH ne NATO dhe partnerët strategjikë (USA). Ndërkohë, 14 vjet pas anëtarësimit, shqiptarët e kanë tejkaluar perceptimin e NATO-s si ”bank alienësh” që garanton falas paprekshmërinë territoriale të 30 vendeve anëtare. Thënë këtë, RSH do duhet të arrijë Buxhetin e Mbrojtjes në 2% të GDP për vitin tjetër, 2024.

Në shtesë, do t’i rikëshilloja publikisht aktorët politikë dhe faktorët institucionalë të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që për interesat jetike kombëtare: “Të përulen në gjunjë para përgjegjësive shtetërore, duke projektuar dhe zyrtarizuar një qasje të drejtë dhe të mençur = Dy shtete sovrane një komb i vetëm, që përfshin sovranitetin, por fokusohet në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare si dhe axhendën Euroatlantike të dy vendeve. E ritheksoj, se kjo “qasje e fortë, por e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend, përkundrazi do të kontribuojë si balancë dhe garanci shtesë për paqen afatgjate të rajonit. Për të tejkaluar edhe një “kujdes diplomatik”, sjellim shembullin e vendeve skandinave (Norvegji, Suedi, Finlandë); atyre Baltike (Lituani, Letoni, Estoni); të Vishegradit, qasjen zyrtare të Turqisë dhe Greqisë në raport me Qipron, rastin USA me Islandën etj.

Me këtë rast, rikonfirmoj, se: “Mbetem sa i përkushtuar, aq edhe i përulur për të kontribuar me eksperiencë dhe ekspertizë strategjike për përgatitjen e Strategjisë së Mbrojtjes dhe Zhvillimit të Interesave Kombëtare në Rajon, Mesdhe dhe më gjerë”.

*Gjeneral ® Piro Ahmetaj, Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n,Zv/President i Këshillit të Atlantikut,Anëtar i Bordit të “Izraleli House”, si dhe Ish: Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh, Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO

 

Fraksion.com