AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Liria e medias nuk ka qenë kurrë në situatën e sotme në aspektin pozitiv

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se liria e medias në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në situatën që është sot në aspektin pozitiv.

Në një prononcim për një emision në Top Channel, Rama u shpreh se “motivet e drejtpërdrejta të këtij agresioni ende nuk i dimë por fakti që një breshëri plumbash derdhen në një institucion kombëtar si TCH e bën domosdoshmërisht të lidhur me një media e një institucion kombëtar të lirisë së shtypit dhe shprehjes në tërësi”.

“Pavarësisht se nuk i dimë motivet ekzakte edhe pse mund të them se policia i është afruar autorëve, por ende nuk ka rezultat konkret qoftë në aspektin e kapjes apo motiveve, nuk ka sesi të mbetet pa u përcaktuar si një agresion ndaj një pushteti”, tha Rama.

“Liria e medias në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në situatën që është sot në aspektin pozitiv, kurrë më parë media nuk ka pasur lirinë të thotë çfarë të dojë e të shprehë çdo këndvështrim madje në një aspekt të abuzojë me lirinë e saj në tërësi. Këtu kam parasysh të gjithë mekanizmin në Shqipëri që sot është në një fushë tërësisht të lirë në çdo pikëpamje”, vijoi Rama.

Sipas Ramës, nëse shihen shifrat, rendi nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sa sot në aspektin e akteve me pasojë vrasjen apo plagosjen apo pasoja të rënda të kësaj natyre grabitje personi.

“Ka shumë vend për të përmirësuar, as në pozitat e kryeministrit apo personit që po gjykoj nuk mund të mohoj se këto lloj ngjarjesh kanë një mënyrë dhe një shfaqje të agresivitetit që i bën shumë të bujshme e shume shqetësuese”- tha Rama.

 

Fraksion.com