Rama kërkon rritjen e pagave nga bizneset: Jo tendera për ata që paguajnë pak punëtorët
Vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale, Kryeministri është i bindur që nuk çon në falimentimin e sipërmarrjeve.
Në bashkëbisedim me pronarët dhe punonjësit e një fasonerie si pjesë e dialogut kombëtar që Rama ka ndërmarrë, ai i kërkon sipërmarrësve të marrin masa sa nuk është vonë për të shpërblyer mundin dhe jo shfrytëzuar të punësuarit e tyre, pasi zëvendësimi i krahut të punës po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
“Procesi i zëvendësimit të forcave të kualifikuara të punës bëhet gjithmonë e më i vështirë, në rast se sipërmarrja nuk do të kuptojë se me këto paga nuk shkon larg. nuk është e vërtetë teoria që po u rrit paga minimale do falimentojë industria dhe duhet të mbarojë, në radhë të parë në mendjen e sipërmarrësve shqiptarë, kapitalistëve shqiptarë filli i logjikës së shfrytëzimit deri në skaj të krahut të punës. Kjo që ne po bëjmë dhe do ta shoqërojmë me masa të tjera është pikërisht një vendosje në krahun e punonjësve për të luftuar bashkë me sipërmarrësit e përgjegjshëm logjikën e shfrytëzimit të krahut të punës”.
Ndërtimi, Kryeministri mendon se është sektori ku sipërmarrësit nuk deklarojnë pagat reale ose punonjësit nuk i paguajnë në raport të drejtë me punën që bëjnë. Për këtë arsye ai deklaron se do të marrin sanksione për ato kompani ku evidentohen abuzime të tilla.
“Qeveria në këtë sistem nuk vendos dot pagat. Madje ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të viteve më parë që e ndalon qeverinë të vendosë paga reference për çdo sektor, por ama askush nuk e ndalon qeverinë që kompanive të ndërtimit t’iu thotë: ju nuk merrni më leje ndërtimi, ju nuk pranoheni më në tendera në qoftë se keni punëtore që paguhen nën një pagë të caktuar e cila nuk do të jetë një pagë arbitrare që e vendosim ne, se kjo do të thotë pastaj ta çosh ekonominë në humnerë, por duhet të jetë një pagë e cila del nga analiza e vetë tregut”.
Një nga arsyet përse investitorët e huaj zgjedhin Shqipërinë për të investuar është dhe krahu i lirë i punës, por për Ramën kjo nuk duhet të jetë më baza e zhvillimit ekonomik.
“Nuk e vendos më kjo zhvillimin sepse kjo faktikisht po godet palcën e ekonomisë që është pikërisht forca e punës. Po ul kapacitet për punë sepse nuk arrin”.
Në mungesë të sindikatave aktive të punonjësve, Kryeministri premton se qeveria do të ndërhyhet për të riparë marrëdhëniet kontraktuale sipërmarrës-punonjës.
Fraksion.com