AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Do bëjmë çmos për të mbrojtur të drejtat e punonjësve, fatkeqësisht sindikatat janë fantazma

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se edhe pse nuk i zëvendëson dot sindikatat, qeveria do të bëjë çmos për të mbrojtur të drejtat e punonjësve.

Kryeministri ishte sot në një fabrikë fasonerie në Kamzë, ku nënvizoi domosdoshmërinë e rritjes së pagave të punonjësve.

“Në rast se punon të shtunave, sipërmarrësi shton pjesë në pagë. Këto janë gjëra për të cilat ne do të bëjmë çmos që punonjësit të kenë zërin e tyre. Ne nuk mund t’i zëvendësojmë dot sindikatat dhe rolin e tyre. Sindikatat janë fantazma në Shqipëri”, tha Rama.

Por, kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë të mundur se edhe ky aspekt dhe të tjera, të jenë pjesë e marrëdhënieve kontraktuale mes punonjësve dhe sipërmarrësit.

“Punonjësit kanë nevojë për mbrojtje dhe këtë nuk ja garanton dot vetë sipërmarrësi, por informimi i tyre për të drejtat që kanë sipas ligjit. Ne sot e kemi me ligj se nuk të shkarkojnë dot pa paguar dëmet. Një sipërmarrës që nuk ta jep të gjithë pagën, duke të dhënë një pjesë të pagës në të zezë të ha pensionin dhe shërbimin shëndetësor”, shtoi ai.

Kryeministri tha se qeveria është zgjedhur të përmirësojë jetën e njerëzve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të bëjë të mundur që njerëzit të paguhen më shumë dhe në mënyrë të sigurt.

 

Fraksion.com