AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Agresioni kriminal ndaj Top Channel, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sa i përket ngjarjes kriminale, ku roja e Top Channel humbi jetën mbrëmjen e djeshme pas disa të shtënave me armë zjarri.

Duke i shprehur ngushëllimet e familjes së të ndjerit, Rama shkruan se agresioni kriminal ndaj Top Channel, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!”- shkruan Rama.

Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar. Roja i sigurisë, Pal Kola humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën  për zbardhjen e rrethanave.

 

Fraksion.com