Begaj në Forumin e Biznesit Austriak: Të zgjerojmë lidhjet ekonomike
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, morën pjesë në Forumin Ekonomik të Biznesit Austriak, që u zhvillua sot në Tiranë.
Duke marrë fjalën në këtë takim, Begaj tha se, “prania e sipërmarrësve austriakë në delegacion, është një tregues shumë domethënës, që tregon vëmendjen dhe dëshirën e mikut tim për t’i nxitur më shumë këto marrëdhënie”.
Gjatë takimeve të sotme, vijoi ai, patëm kënaqësinë që të vlerësojmë, se veç lidhjeve të hershme historike e mjaft miqësore, është në interesin më të mirë të përbashkët, të forcojmë e zgjerojmë në vazhdimësi lidhjet ekonomike mes Shqipërisë dhe Austrisë.
“Shqipëria ka parë gjithmonë tek Austria një partner mbështetës dhe shumë të vyer politik dhe ekonomik, të fuqishëm e me mjaft eksperiencë. Në mënyrë shumë simbolike ky Forum organizohet sot në ambientet e investimit të parë serioz austriak në Shqipëri, nga sipërmarrësi Robert Rogner. Ai nuk ishte thjeshtë pionieri i investimeve austriake në Shqipëri, por mbi të gjitha themeluesi i një industrie të re të hoteleri-turizmit në Shqipëri”, u shpreh Presidenti.
Begaj vlerësoi hyrjen në tregun shqiptar të Bankës Raiffeisen, e shoqëruar më pas nga kompanitë austriake të mirënjohura në fushën e sigurimeve dhe të konsulencës juridike, që siç tha ai, “krijuan jo thjesht një industri të re në fushat përkatëse, por ato u bënë promotorët kryesore për ndërtimin e besueshmërisë në nivel ndërkombëtar të tregut shqiptar, si dhe të thithjes së mëtejshme të investimeve të huaja”.
Presidenti vlerësoi shumë, gjithashtu, përfshirjen më pas të kompanive e sipërmarrjeve austriake me investime serioze dhe shumë domethënëse në të gjitha sektorët e rëndësishëm strategjikë, si në fushën energjetike ashtu edhe në atë infrastrukturore.
“Falë pranisë së tyre, sot kemi një sistem prodhimi energjetik shumë më cilësor, si nga ana teknologjike, ashtu edhe për nga niveli miqësor me mjedisin dhe komunitetet pranë tyre. Në mënyrë të veçantë do të vlerësoja këtu kompanitë e mirënjohura Verbund dhe EVN, të cilat futën plotësisht në prodhim hidrocentralin e ASHTËS pranë Shkodrës. Bashkë me hidrocentrale të tjerë më të vegjël të viteve 2010, hidrocentrali i ASHTËS shënoi fillimin e sektorit privat të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri. Sot ky sektor prodhon rreth 40% të energjisë elektrike në vend”, tha Begaj, teksa ftoi biznesin austriak për rritjen e investimeve në Shqipëri, falë edhe klimë lehtësuese që ka ndërmarrë qeveria për rritjen e sipërmarrjeve të huaja në vendin tonë.
Fraksion.com