AktualitetPolitikëTë fundit

Retorika ndaj komunitetit shqiptar në Britani, Rama: Ka sinjale domethënëse pendese

Kryeministri Edi Rama i cilësoi sot të një rëndësie strategjike marrëdhëniet shqiptaro-britanike, ndërsa shtoi se “ato kanë prekur pikën më të ulët në histori qysh se kemi dalë nga komunizmi, për shkak të asaj retorike që e ka vënë të gjithë komunitetin shqiptar në Britani nën një trysni shumë të madhe”.

Në një intervistë në studion e “Sky News Breakfast” në Londër, Rama shtoi se “marrëdhënia jonë nuk është aspak e lidhur vetëm me këtë, por me shumë më tepër”.

“Patëm një takim shumë konstruktiv me Kryeministrin dhe më duhet të them se, qoftë sa i takon asaj çfarë ka qenë me rëndësi për të, për të goditur rrjetet kriminale, ashtu edhe në aspektin e asaj çfarë është e rëndësishme për të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie shumë të forta, kemi shënuar përparime të domethënëse. Më duhet të them se, më në fund, nga ana e Downing Street jemi dëgjuar dhe nuk ka më vetëm fjalë, por edhe vepra në ngritjen dhe funksionimin e grupeve të punës për të goditur rrjetet kriminale, që është sigurisht diçka që Shqipëria e ka dashur gjithnjë”, tha Rama, ndërsa shtoi se, “gjithnjë kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me Britaninë”.

Duke folur mbi komentet e Sekretares së Punëve të Brendshme, Suella Braverman, Rama u shpreh se “nuk do të ishte e drejtë të këmbëngulnim te kjo, ndërkohë që ka sinjale shumë domethënëse pendese dhe një ndjenjë sikleti, që mjaftojnë në këtë pikë”.

“E kam bërë shumë të qartë qëndrimin tim dhe nuk dua ta përsëris herë pas here, sepse nuk do të ishte e drejtë në raport me tablonë shumë më të gjerë e marrëdhëniet shumë më të thella midis Shqipërisë dhe Britanisë dhe, po ashtu, nuk do të ishte e drejtë të këmbëngulnim te kjo, ndërkohë që ka sinjale shumë domethënëse pendese dhe një ndjenjë sikleti, që mjaftojnë në këtë pikë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se shpreson fort se kjo nuk do të përsëritet më dhe që komuniteti shqiptar këtu do të nderohet vërtet për atë që është.

“Sepse një gjë është vënia në qendër të vëmendjes e varkave, e kriminelëve dhe e gjithçkaje shqetësuese, por nga ana tjetër nuk duhet harruar kurrë se shqiptarët ia kanë dalë shkëlqyeshëm dhe kontribuojnë që Britania të jetë një vend më i mirë. Shqiptarët këtu punojnë për firmat e ndërtimit, shqiptarët këtu kujdesen për të moshuarit tuaj, shqiptarët këtu gatuajnë duke përmirësuar kuzhinën britanike, më duhet ta them dhe madje këndojnë për ju. Mos të flasim këtu për akademikët, për studentët. Ka qenë kaq e padrejtë ndaj tyre të viheshin nën një trysni të tillë, ndërkohë që ata janë një bazë kaq e fortë për të ndërtuar diçka shumë të rëndësishme”, shtoi ai.

 

Fraksion.com