AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Nuk duhet të nënvlerësojmë ndikimin rus në botën serbe

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrëdhëniet në Ballkan nuk kanë qenë ndonjëherë më mirë, ndërsa shtoi se “duhet të sigurohemi që bashkimi në Ballkan kundër agresionit në Ukrainë të mos shpërbëhet, sepse kjo mund të na kthejë shumë shpejt në kohët e shkuara”.

Në një bashkëbisedim në auditorin e Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House, Rama u shpreh se “Ballkani i hapur” është pjesë e një procesi të tërë nismash dhe hapash, pjesë e një transformimi të tërë që po përjeton Ballkani ditët e sotme.

“Ne absolutisht nuk duhet të harrojmë kurrë se jemi në pozitën më të mirë që kemi qenë ndonjëherë. Shqiptarët janë në pozitën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut. Kurrë nuk kanë qenë më mirë marrëdhëniet në Ballkan. Kemi një elefant në dhomë në çdo takim që kemi me serbët, që është mosmarrëveshja e madhe me Kosovën. Ka barrikada, ka ca njerëz të zemëruar, ka deklarata nxitëse, por pastaj i lënë dhe përparojnë. Gjithçka po ecën në drejtimin e duhur. I vetmi problem që kemi për të mos ta nënvlerësuar është ndikimi rus në botën serbe dhe në pjesën sllave ortodokse”, tha Rama.

Dhe për këtë, ai tha se “na duhet të mbajmë Serbinë nga ana jonë dhe na duhet të forcojmë marrëdhëniet me Serbinë dhe të sigurohemi që bashkimi në Ballkan kundër agresionit në Ukrainë të mos shpërbëhet, sepse kjo mund të na kthejë shumë shpejt në kohët e shkuara”./atsh

 

Fraksion.com