AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Londër: Shqiptarët përdoren në shpresat e tyre për të ardhur në Britani nga kriminelët

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që në fokus të qeverisë britanike të mos jenë shqiptarët që emigrojnë në këtë vend, por rrjetet kriminale që shfrytëzojnë këta.

Gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në “Chatham House”, Rama paralajmëroi vënien në zbatim të një plani me qeverinë britanike për ndërtimin e një porte operative për të goditur rrjetet kriminale që shfrytëzojnë shqiptarët që vijnë drejt Britanisë.

“Problemi im nuk është që shqiptarët vijnë në Britani. Problemi im është se shqiptarët përdoren në ëndrrat e shpresat e tyre për të ardhur në Britani nga kriminelët. Nuk e kam problem se kufijtë britanikë mbyllen. E gjykoj të gabuar, por nuk më takon mua të vendos. Problemi është që të mos lëmë shqiptarët të shfrytëzohen nga kriminelët”, tha Rama.

Sipas Ramës, marrja e një mase për të ndaluar kriminelët të mbërrijnë në brigjet britanike është një diskutim që në kohën kur Theresa May ishte Sekretare e Punëve të Brendshme.

Kjo, vuri në dukje ai, po ndodh tani.

Sipas Kryeministrit Rama, komuniteti shqiptar në Britani është fantastik.

“Problemi i dytë është se nuk duhet lënë ky komunitet që është fantastik që nga profesionistët deri te punonjësit e ndërtimit të jenë në presionin e disa “mollëve të kalbura”. Megjithatë thënë kjo, kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, e gjetën këtu, nuk e sollën drogën këtu, e gjetën tregun këtu prandaj erdhën këtu. Është një treg i madh krimi e droge. Kjo është e vërteta”, tha Rama.

Ndaj, vijoi fjalën ai nuk mund të thuhet se ne po fshijmë krimin duke luftuar disa kriminelë shqiptarë.

”Kjo është propagandë. Edhe ne jemi të interesuar për t’i goditur ata dhe do ta bëjmë nëse homologët britanikë do të na ndihmojnë, do të na dëgjojnë dhe do ndjekin atë që do të themi, kur vjen puna për shqiptarët. Kjo do të jetë e suksesshme dhe ne do të jemi në një pozitë më të mirë dhe shqiptarët do të jenë në një pozitë më të mirë“, u shpreh Rama.

Por, theksoi Kryeministri, t’i veçosh shqiptarët dhe të flasësh për ta nuk është korrekt.

“Nuk funksionon të thuash se Dua Lipa është këngëtare britanike, kurse ai djali me varkë është një kriminel shqiptar. Jo! Dua Lipa është shqiptare emigrante shqiptare, e cila këndon si një shqiptaro-britanike. E njëjta gjë vlen edhe për atë djalin që vjen me varkë“, vuri në dukje Rama.

Rama tha se i vinte keq për deklaratat nxitëse të Suella Braverman por se nuk ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Dua të përsëris se na vjen keq. Nuk do të lidhim partneritetin strategjik që kemi me një vend si Britania dhe nuk do të vëmë këto interesa të jashtëzakonshme në atë kutinë e vogël të Suella Braverman. Është shumë më e madhe se sa kaq. Mund t’ju them se ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Kjo nuk është për të thënë fjalë të bukura. Për herë të parë shoh jo vetëm fjalë, por edhe vepra nga Kryeministri britanik”, theksoi ai.

 

Fraksion.com