AktualitetKosovaTë fundit

Lista ‘Srpska’ nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale

Lista ‘Srpska’ thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe se kjo është në përputhje me pikëpamjet e qytetarëve që ajo i përfaqëson me vite. Albin Kurti, fajëson Beogradin për kontroll mbi listën ‘Srpska’.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës Lista Serbe, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale që mbahen në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ky vendim, sipas tyre, është marrë për shkak “të pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale, të cilat i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, që janë formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim të Listës “Srpska”. Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave të veriut – Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – është paraparë të mbahen me 23 prill. Kjo pasi kryetarët e komunave nga Lista Serbe dhanë dorëheqje, siç thanë,  “për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve me  targat serbe në targa të Kosovës”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se afati për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të komunave të veriut ka skaduar më 22 mars. Sipas Komisionit Qendror, nuk ka aplikime të reja, dhe nga 11 kandidatë sa janë paraqitur më herët nga katër subjekte politike, vetëm dy janë të komunitetit serb. Por jo nga Lista “Srpska”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter, se”refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”. Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, fillimisht zgjedhjet ishin paraparë të mbahen me 18 dhjetor të vitit të kaluar. Por ato u shtynë për 23 prill të këtij viti me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. E një kërkesë të re për shtyrje të serishme e bëri edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Kërkesat për shtyrje

“Na vjen keq shumë për refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe e nxisim që ta dorëzojë listën e saj zgjedhore pa vonesë”, shkroi Cramon në Twitter. Ajo në postimin e saj, përmendi nenit 7 të Marrëveshjes për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, ku kërkohet ndër të tjera të sigurohet “një nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Von Cramon tha se “refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhje nga Lista Serbe nuk i përmbushë pritshmëritë për zotimet e dhëna”, prandaj ajo kërkon nga të dyja palët që të tregojnë “përkushtim në zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe Aneksit që u arrit më 18 mars në Ohër”. E pas takimit në Ohër që kishte me kryeministrin e Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor”. “Nuk do të flas në emër të Listës Serbe, por thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse zgjedhjet duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkohë, mediet në Serbi shkruajnë se zëvendës-shefi i Ambasadës së Gjermanisë në Serbi, Carsten Meyer-Wiefhausen, ka thënë se “pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të parakohshme që do të mbahen në katër komunat në veri të vendit, nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”. Ai ka sqaruar se “nëse nuk keni zyrtarë, kryetarë komunash, nuk mund të krijoni një Asociacion komunash”, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Lista Serbe, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtarë, që nga viti 2013 kur është themeluar, ajo gjithnjë ka marrë mbështetje të madhe në vendbanimet me shumicë serbe,  si në zgjedhje lokale ashtu edhe në ato qendrore. /DW

 

Fraksion.com