“Kosova nuk është Kosovo”, Rama: Propaganda ka bërë punën e vet. Kosova është gjithçka, për ne
Kryeministri Edi Rama i pyetur nga një ish-anëtar i Parlamentit Evropian për rolin e Shqipërisë në ndihmë të Kosovës tha se, “ne bëjmë gjithçka mundemi që t’i ndihmojmë, sigurisht që mirëpresim gjithçka që ata mund të bëjnë për ne për të na ndihmuar”.
Gjatë bashkëbisedimit në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “Chatham House” në Britaninë e Madhe duke ju drejtuar ish-anëtarit të PE-së tha se, “së pari nuk është Kosovo është Kosova, pasi Kosovo është mënyra sesi e thërrasin serbët kështu që ju avokatoni për pavarësinë e Kosovës dhe ju lutem e kërkoj me përulje nuk është faji juaj, pasi propaganda ka bërë punën e vet, pasi dhe unë ndonjëherë them Kosovo, por është Kosova”.
Rama theksoi se, Shqipëria dhe Kosova janë njësoj dhe jemi një komb.
“Kosova nuk është vend mik, është një vend simotër, sivëlla, është gjithçka, pra ne jemi njësoj dhe për arsye të caktuara jemi një komb që jeton në dy shtete. Ne shqiptarët kemi dy shtete, 4 kryeministra në Ballkan diçka nuk duhet të funksionojë, por ja që kështu është. Ne bëjmë gjithçka mundemi që t’i ndihmojmë, sigurisht që mirëpresim gjithçka që ata mund të bëjnë për ne për të na ndihmuar. Ne jemi njësoj, thjesht kemi një kufi, kemi disa rregulla për të respektuar, por jemi njësoj”, u shpreh Rama.
I pyetur mbi bashkimin e dy vendeve, Rama tha se kjo është një çështje që i përket së ardhmes dhe jo momentit që flasim.
“Pjesa e jona në kuptimin e bashkimit, kjo nuk është diçka për sot, në të ardhmen gjithçka do të vlerësohet në bazë të integrimit të plotë midis të gjithëve ne në Ballkan, pikësëpari edhe në Evropë. Pra nëqoftëse Skocia do të largohet nga ju, imagjinojeni ne të bashkohemi me njëri-tjetrin. Duhet të shohim sesi do të shpalosen gjërat në të ardhmen. Për momentin është një shtet ndryshe, është një shtet i pavarur, një shtet etnik, duhet të jap garanci të plota jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët e kështu me radhë”, theksoi Rama.
Ai tha se, “rruga është ajo e duhura, ajo e integrimit të plotë me BE-në dhe nuk mund të parashikoj të ardhmen. Mendoj që për momentin kjo nuk është, të flasësh për këtë temë nuk është t’i ndihmosh ata, por t’i dëmtosh dhe kushdo që flet për këtë duhet të tregoj shumë kujdes”.
Fraksion.com