AktualitetPolitikëTë fundit

Bylykbashi në SPAK, denoncon aplikacionin “Aktivisti”

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi ka qenë sot në SPAK për të dorëzuar kallëzimin për aplikacionin e Partisë Socialiste Aktivisti.

Ai u shpreh se SPAK-u nuk e mori në dorëzim padinë, pasi sipas tij, kanë vendosur procedura burokratike që refuzojnë dorëzimin e drejtpërdrejtë.

Ai akuzoi qeverinë se është duke përdorur këtë aplikacion për të penguar lirinë e zgjedhësve duke shtuar se sipas tij punonjësit e administratës janë nën presion të vazhdueshëm. Denoncimi vjen në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Në një deklaratë për mediet pas denoncimit në SPAK ai tha se, “kjo është në shkelje të ligjit dhe Kodit Penal, dhe qartazi edhe në shkelje të atyre që janë rekomandime zyrtare të OSBE/ODIHR”.

Bylykbashi tha se kërkohet nëpërmjet veprimit të SPAK, të ndalen dhe të vihen përpara përgjegjësisë të gjithë këta individë që po dhunojnë të drejtat e shqiptarëve dhe të drejtat e zgjedhësve. “Është cenuar liria dhe sekreti i votës”, u shpreh ai.

“Duhet të vihen para drejtësisë ata që po pengojnë të drejtat e zgjedhësve. Nuk mund të tërhiqet zvarrë një çështje  e tillë. Një kontroll sistematik me një plan kriminal. Ne kërkojmë që nëpërmjet veprimit të SPAK të ndalet dh të vihet përpara përgjegjësisë të gjithë këta individë që po dhunojnë sot të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Mjafton të lexoni raportin e ODIHR-it, duhet të ndalet menjëherë. Ne kemi dorëzuar provat që kemi në dispozicion, pjesa tjetër te barra e prokurorisë. Punonjësit e administratës janë nën presion, shkelje flagrante për të drejtat e zgjedhësve. Kjo është detyra e SPAK, për t’i vënë para drejtësisë. Do ta depozitojmë me postë që mos ketë më alibi.”- tha Oerd Bylykbashi.

 

Fraksion.com