24 Marsi i Kosovës: Kur nisi partneriteti i shqiptarëve me Perëndimin
Nga Mimoza Golikja
Lufta e NATO-s në Serbi përbën rastin e parë dhe unikal të arritjes së qëllimeve të luftës, vetëm nëpërmjet operacioneve ajrore dhe pa përdorimin e forcave tokësore
Operacionet ajrore të NATO-s në Kosovë, janë pjesë nga operacioni më i madh i forcave të NATO-s që nga krijimi i kësaj strukture Euro-atlantike. Vërtet NATO nuk mund t’i përgjigjet çdo tragjedie në të njëjtën kohë dhe në çdo cep të globit, vërtet Kosova nuk ishte një vend anëtar i NATO-s, por ajo vlerësohej nga NATO si një vend i vogël, në vijën që ndan Evropën me Azinë dhe Lindjen e Mesme, në vijën ndarëse mes Islamizmit dhe Kristianizmit, vend pranë aleatëve të Jugut të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, vend pranë aleatëve të rinj të NATO-s, Republikës Çeke, Polonisë dhe Hungarisë, vend që kufizohet nga demokraci të brishta, si Shqipëria e Maqedonia ku forcat serbe kishin bërë provokacione të vazhdueshme. Barbarizmat serbe po ndodhnin në dyert e NATO-s dhe po të mos vepronte NATO, konflikti,rreziqet dhe kostot do të ishin më të mëdha. Në shkurt të vitit 1999, pas mbi njëzet ditë bisedimesh në Rambuje të Francës, me gjithë trysninë ndërkombëtare që përfshinte edhe kërcënimet për sulme ajrore kundër Serbisë, delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës nuk arritën dot një marrëveshje.
Në mes të marsit të vitit 1999, delegacioni i Prishtinës u rikthye në Paris, për të nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga perëndimi që synonte t’i jepte fund luftës në Kosovë, ndërsa Beogradi e refuzoi atë.
Pak ditë më vonë më 24 mars të vitit 1999, NATO filloi bombardimet nga ajri kundër forcave serbe duke shënuar fillimin e fundit të luftës gati dy-vjeçare në Kosovë. Fushata e bombardimeve nga ajri zgjati 78 ditë dhe më 10 qershor 1999, NATO nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.
Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj, e cila që nga 4 shkurti i vitit 2011 është njohur nga 116 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu shumica e vendeve të Bashkimit Evropian ( 23 nga 28), e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, si dhe 26 shtete anëtare të NATO-s, nga 30.
Domosdoshmëria e fushatës ajrorë të NATO-s.
Kriza e thellë e Kosovës nisi në vitin 1997 dhe arriti kulmin në vitin 1999. Kjo krizë kërkonte zgjidhje, sepse kërcënonte paqen e stabilitetin në Kosovë, dhe në të gjithë rajonin, si dhe plotësonte aspiratën shekullore të popullit të Kosovës. Vitet 1998-1999 ishin të mbushura me ngjarje të rënda. Përleshje midis serbeve dhe shqiptareve në rrugët e Mitrovicës, atentate kundër serbeve dhe romëve në fshatra të largët malor, shkëmbime zjarri midis ekstremisteve shqiptar dhe policisë serbe në Preshevë të Serbisë Jugore. Në vjeshtën e vitit 1998 ishin vargjet e refugjateve, ato që mbizotëronin në pamjet televizive. Qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës kishin marrë arratinë në male për t’i shpëtuar ushtrisë së Millosheviçit, që në mënyrë të qëllimshme, “kallte në zjarr” shtëpitë dhe katanditë e tyre. Vetëm në sajë të përkushtimit të madh të organizatave ndihmese ndërkombëtare për refugjatët, u arrit të pengohej një keqësim edhe më i madh i gjendjes. Qeveritë në Evropë dhe në Amerikë u përpoqën me këmbëngulje të bindnin Milosheviçin për zgjidhjen me anë të negociatave. Dhënia e miratimit nga Beogradi të dërgonin në Kosovë vëzhgues të OSBE-se solli për njerëzit e munduar të Kosovës një fazë të shkurtër shtensionimi të gënjeshtërt. Por Milosheviçi e vazhdoi politikën e tij të terrorit sistematik. Njësi të policisë speciale serbe dhe të paraushtarakëve, e mbuluan Kosovën me vrasje, plaçkitje dhe zjarre. Ushtria jugosllave zuri pozicione në Kosovë dhe në kufijtë me vendet fqinje, Maqedoni dhe Shqipëri, me synimin spastrim sistematik etnik shqiptar.
Pamje të tmerrshme të masakrës se Reçakut, të janarit 1999, janë të gjalla në kujtesë.. Realiteti i tmerrshëm është se ekspertë të Tribunalit të Hagës për Krime Lufte gjetën në varr jo vetëm 42 të vrarët e Reçakut, por edhe deri në 2100 kufoma. Janë zbuluar qindra varre të tjera masive. Pas Reçakut përpjekjet për bisedime u intensifikuan. Por ato të Rambujesë dhe Parisit nuk kishin asnjë shans për sukses sepse Milosheviçi nuk ishte i interesuar për një zgjidhje paqësore. Të gjitha përpjekjet diplomatike të evropianeve dhe të amerikanëve kishin qenë të kota. “Veç marrjes së vendimit të hidhur për të përdorur kundër dhunë ushtarake nuk kishte mbetur rrugë tjetër”. Në lojë ishte siguria e Evropës Juglindore, madje e gjithë Evropës, shpërthimi i luftës tjetër në Maqedoni e në Mal te Zi do të kishte qenë vetëm një çështje kohe. Politika nacionaliste e regjimit të Beogradit kërcënonte parimin më të rëndësishëm të bashkëjetesës paqësore në kontinentin evropian, atë të integrimit dhe nuk mund të lejohej ky rrezik.
Përgatitjet e NATO-s për fushatën ajrore
“Aleanca e Atlantikut të Veriut ka grumbulluar më shumë se 400 aeroplanë luftarakë dhe dhjetëra anije lufte për veprime ushtarake kundër Jugosllavisë. Mes tyre janë 14 aeroplanë gjermanë Tornado, të vendosur në Piaçensa të Italisë. Forca është nën komandën e Komandantit të Përgjithshëm të NATO-s Uesli Clark”. Shtypi i përditshëm, vendas dhe i huaj, i asaj kohe jepte informacion mbi përgatitjet që po bëheshin dhe masat që po merreshin për fillimin e fushatës ajrore. Ky informacion, pavarësisht nga saktësia, ishte i vetmi burim për tu njohur me përgatitjet e NATO-s nga njëra anë dhe masat që po merreshin nga ushtria serbe nga ana tjetër.
Sipas planeve, të zbuluara, NATO do të sulmonte objektiva serbe në një seri sulmesh për të dobësuar fuqinë ushtarake të Jugosllavisë. Plani operativ i NATO-s për të bombarduar objektivat ushtarake serbe në Jugosllavi, i quajtur “Force e Përcaktuar” përbëhej nga pesë faza.
Faza 0: e filluar nga NATO-ja në vjeshtë, ajo korrespondonte me përgatitjen e operacionit. Bëhej fjalë për rigrupimin e rreth 400 aeroplanëve, kryesisht në bazat italiane ose në aeroplanmbajtëse në detin Adriatik, për stërvitje, për fluturime rikonicioni dhe për mbledhje informacionesh.
Faza 1: e urdhëruar më 24 mars në mbrëmje nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana; përfshinte operacionet e para të bombardimit kundër mbrojtjes kundërajrore serbe( shtretër raketash tokësore, radarë, qendra komunikimi dhe komandimi) që do të drejtoheshin nga komandanti suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali amerikan Uesli Clark.
Faza 2: pas një “dobësimi të madh” të mbrojtjes kundërajrore, Havier Solana mund të jepte urdhrin pas një konsultimi të ri jozyrtar të anëtarëve të Aleancës, për të bombarduar një gamë më të gjerë objektivash, d.m.th forcat e armatosura serbe( përqendrime trupash dhe materiale, kazerma, baza ajrore) deri në paralelin 44, që e ndan Serbinë me dysh, në Jug të Beogradit.
Faza 3: bombardimet shtriheshin në veri të paralelit 44, që përfshinin kryeqytetin jugosllav.
Faza 4: faza përfundimtare e kthimit në bazat e tyre përkatëse të aeroplanëve dhe anijeve të Aleancës. Përfundimi i operacionit.
Fillimi i fushatës ajrore dhe zhvillimi i saj
Ishin 73 avionë të bazës së Avianos që u ngritën brenda pak minutash të ngarkuara me raketa tokë – ajër dhe ajër tokë që i dhanë jetë sulmit më të fuqishëm dhe i pari që ka ndërmarrë NATO deri më sot ndaj një vendi.
Urdhri i dhënë në orët e vona të natës (23. 03.1999) nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Solana për aktivizimin e forcave të planëzuara të NATO-s për kryerjen e Misionit në Jugosllavi, i dha të drejtën Komandantit të Forcave të NATO-s në Evropë, gjeneralit Clark për të konceptuar me detaje operacionet, pavarësisht se ora e sulmit nuk ishte bërë ende e njohur.Për këtë qëllim NATO vuri në zbatim dy planëzime luftarake. Plani i goditjes së pjesshme ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe (Limitet air response) dhe i ashtuquajturi plan i goditjeve të shkallëzuara të Forcave Ajrore të NATO–s (Fhasedair operations), si një mjet politik për të detyruar udhëheqjen Jugosllave për të ndaluar katastrofën dhe për të detyruar nënshkrimin e planit të paqes.
Në orën 18:00 të datës 23. 03.1999, u mbyllën aeroportet civile që përshkojnë Adriatikun. Ky ishte sinjali i sigurt se sulmi i NATO-s ndaj Jugosllavisë ishte gati për të shpërthyer. Në 18:20 “Alitalia” mbylli aeroportet e “Friuli”, “Venecia”, “Xhulia” dhe fluturonte nga Bari në Brindizi. Vetëm gjysmë ore më vonë Prishtina ishte nën sirenat e alarmit anti ajror. Në orën 19:00 dhjetëra avionë F-16, F-18 dhe EA – 6B “pruler” u ngritën nga baza ajrore e Avianos, Itali. Në një mesazh televiziv presidenti rus Boris Jelcin i kërkonte Bill Clintonit t’i jepte fund ndërhyrjes së NATO-s. 30 minuta më pas avionët “Mirage” franceze u ngritën nga Istrana. Në orën 19:40 nisi alarmi i tretë antiajror në Prishtinë. Pohimet e para për sulmet e NATO-s tashmë ishin një realitet. Pesë minuta më pas u ngritën edhe avionët holandez dhe belg nga Foxhia. Në orën 20:00 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana pohonte se “ Ka nisur një sulm kundër objektivave serbe në Jugosllavi”. Menjëherë më pas, shpërthime të fuqishme tronditën Prishtinën. Ndërkohë pas sulmit Rusia tërhoqi delegatët e përhershëm nga Aleanca Atlantike. Alarmi antiajror zhurmonte Beogradin. Në orën 20:15 një shpërthim i fortë tridhjetë kilometra nga kryeqyteti jugosllav. Prishtina zhytet në terr, ndërpritet ryma elektrike. Presidenti amerikan Bill Clinton konfirmonte sulmin në një konferencë shtypi. Pesë shpërthime të tjera në veriun serb, në Novi Sad. Nga Vatikani, Papa e konsideronte sulmin si një “humbje për njerëzimin”. Në këtë kohë mbyllet hapësira ajrore mbi Bosnjën dhe Kroacinë. Në orën 8:30 forcat e NATO-s kanë hedhur në erë aeroportin e Prishtinës. Menjëherë u ngritën avionët britanikë nga bazat në Itali, të cilët kishin si objektiv Beogradin. SHBA konfirmonte hedhjen e raketave “ kruiz” nga anijet amerikane në Adriatik. Por pas këtij lajmi Rusia njoftonte për pezullimin e partnershipit me Aleancën Atlantike dhe Kina kërkonte që t’i jepej fund bombardimeve. Presidenti Jelcin dënonte agresionin e Aleancës duke cituar se “ Rusia do të mbrohet deri në fund, duke rezervuar të drejtën të marrë masa të plota, përfshi edhe ato ushtarake, për të garantuar sigurinë e saj dhe të Evropës”. Kështu Moska kërcënonte për nisjen e një Lufte të Tretë Botërore nëse sulmeve të NATO-s nuk do t’u jepej fund menjëherë. Ora 21:30, avionët e parë të NATO-s u kthyen në bazat e tyre. Beogradi kërkonte mbështetjen e Rusisë. Në flakë fabrika e avionëve në Pancevo, afër Beogradit si dhe u qëlluan Mig – 29 jugosllav. Rreth orës 22:00 filloi mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në orën 21:00 Jugosllavia shpall gjendjen e luftës. Operacioni i NATO-s vazhdonte. Menjëherë pas bombardimeve të NATO-s në Kosovë nisën përleshje të ashpra mes luftëtarëve të UÇK–se dhe forcave serbe në afërsi të Podujevës, Skenderaj, Rahovec. Zjarr i madh në malin e Qyqavicës, ku ishin strehuar mijëra refugjatë dhe ku ishin zyrat e shtabit qendror të UÇK-së.
Objektivat e para të sulmit ishinVeriu i Beogradit, depo armësh; Pancevo, fabrikë aeroplanësh; Danilovgrad; Uzice; Kursumlije; Kragujevac, fabrika e automjeteve Zastava; Radiovce, aeroport afër Podgoricës; Podgorica; Prishtinë, aeroporti i Slavinës; Novi Sad; Nish , aeroporti ushtarak; Gjakova; Samobar, aeroport në Vojvodinë; Ulqin, bazë ushtarake. U rrëzuan disa avionë jugosllavë, njëri prej tyre në Malishevë.
Fillimi i luftës ajrore kundër Jugosllavisë ishte fillimi i luftës më të përgjakshme në Kosovë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Klinton objektivat e ndërhyrjes së NATO-s ishin tre: së pari, për të demonstruar seriozitetin e kundërshtimit të NATO-s ndaj agresionit; së dyti, për të penguar Milosheviçin që të sulmojë shqiptarët e Kosovës; së treti, për të dëmtuar aftësinë e Serbisë për të bërë luftë në të ardhmen.
Forcat pjesëmarrëse në operacion
“Nëse NATO nuk do të kishte ndërhyrë, spiralja e dhunës do të ishte inesifikuar dhe numri i te vdekurve vetëm sa do të ishte rritur. ‘Denigruesit e Aleancës’, përfshi edhe ata që kritikojnë NATO-n për veprimin e saj, do ta dënonin atëherë për mosveprimin e saj.”. Forcat pjesëmarrëse në operacion ishin si më poshtë:
SHBA, më shume se 260 avionë: 12 avionë special tip F-117 A të paperceptueshëm nga radarët kundërshtarë; 8 avionë bombardues B-52 me raketa të drejtuara; 2 avionë gjuajtës të fshehtë B-2; avionë gjuajtës dhe bombardues tip F-15,F-16,F/A-18;24 helikopterë Apach të destinuar për luftën kundër tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake tokësore; anije amfibe për transportim trupash;2 kryqëzorë; 3 anije sulmuese dragamina; 2 nëndetëse me predha të drejtuara; Aeroplanmbajtëse “Teodor Rusvelt” në Adriatik me 63 avionë në bord.
Franca, 20 – 40 avionë: 5 avionë tip “Jaguar” gjuajtës bombardues; 12 Mirage-2000 C dhe 2000 D1 E-3F për zbulimin e objektivave dhe transmetimin e të dhënave qendrës; 1 KC –135 për furnizim me karburant në ajër; 1 aeroplanmbajtëse “ FOCH”
Britania e Madhe, me 12 avionë por ka mendimin për t’i shtuar: 8 avionë gjuajtës bombardues tip “Harrier GR-7”; 2 E-3 avionë zbulimi; 1 Canberra PR9 zbulues objektesh tokësore me përmasa të kufizuara ; 1 TriStar L-1011 për furnizim me karburant në ajër ; 1 nëndetëse.
Kanadaja: 6 avionë luftarak
RF e Gjermanisë, 14 avionë luftarak “Tornado”:8 avionë “Tornado” me pajisje speciale për luftën elektronike dhe asgjësimin e mjeteve kundërajrore të kundërshtarit me “ Harm-Raket”; 6 avionë “Tornado” zbulues objektivash ( pa Harm – Raket ).
Italia, 12 avione: 4 avionë EF-18; 1 KC-130 për furnizim me karburant në ajër; 1 Boing 707
Spanja 6 avionë: EF-18; KC-130 për furnizim me karburant në ajër; Casa 212.
Shtete të tjera: Belgjika 4 avionë, Danimarka 6 avionë, Hollanda 8 avionë dhe Turqia 11 avionë luftarak gjuajtës bombardues.
Nga 24 Marsi 1999 e deri më 10 Qershor 1999, NATO me bombardime të përditshme në caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së, detyroi Sllobodan Millosheviç, të nënshkruante kapitullimin në Kumanovë. Nënshkrimi i marrëveshjes plus bëri të mundur përcaktimin e fazave për tërheqjen e forcave ajrore jugosllave. Ultimatumi i NATO-s parashtronte një zinxhir veprimtarish të cilat do të çonin në zëvendësimin e forcave Jugosllave në Kosovë me paqeruajtës ndërkombëtar dhe kthimin e shqiptareve etnik të dëbuar.
Ndalimi i zjarrit në Kosovë
Brenda 24 orëve të para të tërheqjes, jugosllavët duhet të ndërprisnin të gjitha luftimet në Kosovë; të hiqnin nga puna sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore, radarët dhe sistemet e raketave të goditjes tokë – ajër.Brenda 48 orëve të para, jugosllavët duhet t’u jepnin forcave të NATO-s të dhënat për vendndodhjen e minave, pajisjeve shpërthyese, eksplozivave të pashpërthyer dhe minave surprizë.Brenda 72 orëve të para, e gjithë artileria kundërajrore jugosllave, raketat toke ajër dhe avionët duhet të hiqeshin nga Kosova.Brenda gjashtë ditëve të para, forcat jugosllave duhet të largoheshin nga pjesa jugore e Kosovës, përgjatë kufirit shqiptar e maqedonas, duke lejuar hyrjen e trupave paqeruajtës ndërkombëtar.
Jugosllavët kishin 11 ditë në dispozicion që nga nënshkrimi i marrëveshjes për të përfunduar tërheqjen e tyre. Dhe pas tërheqjes, jugosllavët do të lejoheshin të sjellnin një forcë të vogël deri 1000 trupa, për të ruajtur vendet kulturore dhe historike në Kosovë dhe për të punuar për pastrimin minave.
Rezoluta 1244 (1999)e miratuar nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e vet të 4011-të, më 10 Qershor 1999, parashtrontekushtet e paqes, stabilizimin e rajonit pas krizës si dhe implementimin e një pakti stabiliteti për Evropën Juglindore me një pjesëmarrje ndërkombëtare të gjerë me qëllim që të nxitej demokracia, prosperiteti ekonomik, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.
Në këtë luftë u dëbuan 800,000 mijë shqiptarë, u vranë 15,000 persona, nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së, e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5.000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.
Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe, kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë, ku 90% prej tyre qenë civilë të paarmatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare. Gjithashtu, mësohet për rrëmbimin e mbi 3 mijë shqiptarëve, ku pas luftës, një pjesë e tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi, ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 2087 të tjerëve. Sipas një përllogaritjeje, gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur, pjesërisht ose tërësisht, rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare, etj.
Lufta e NATO-s në Serbi përbën rastin e parë dhe unikal të arritjes së qëllimeve të luftës vetëm nëpërmjet operacioneve ajrore dhe pa përdorimin e forcave tokësore.
“Fitorja nëpërmjet forcës së ajrit” ka qenë një ide tërheqëse e SHBA-së që në kohën e Luftës së Dytë Botërore, duke ofruar mendimin e një triumfi me çmim të ulët dhe relativisht të lehtë. Këtë gjë e realizoi NATO ndaj Serbisë, ku SHBA përballuan 70 % të fuqisë ajrore të përdorur në fushatën e Kosovës. Sipas eksperteve ushtarakë Lufta ajrore është kaq tunduese sepse ajo është e shpejtë, plot kënaqësi dhe pa detyrime afatgjata. Njeriu i sotëm post modern, nuk i kupton vlerat çerçilliane “gjak, djersë, lot”. Ai pret sulme ajrore kirurgjikisht të sakta, të cilat nuk rrezikojnë as pilotin dhe as civilët në terren por asgjësojnë objektivin ushtarak me përpikmëri të përsosur pa rrezik.
Çfarë tregoi ndërhyrja për Aleancën
Në 50 vjetorin e themelimit të vet, NATO doli në skenë me një përmasë të re: ajo nuk luftoi për të mbrojtur një vend anëtar dhe as për të çliruar një vend të pushtuar. Ajo luftoi në emër të së drejtës universale të lirisë kundër konceptimit autoritarist të sovranitetit, konceptim që i jep një pushteti të drejta të pakufizuara për qytetarët e vet.
Beteja e aleancës dha shembullin e vetëm në të gjitha kohërat se si mund të fitohet një luftë pa humbur as edhe një ushtar të vetëm.
Beteja e NATO-s e pasuron teorinë ushtarake, duke ofruar një përvojë të panjohur më parë. Ajo dëshmoi se në kushtet e sotme një luftë është e mundur të fitohet edhe vetëm nga ajri.
Shtetet e Bashkuara u rikonfirmuan në rolin e një lokomotive në proceset e mëdha të botës përparimtare të sotme.
Kosova sipas analistëvë është një sukses dhe duhet parë si një model, për mënyrën se si do të luftohet në luftërat e tjera, por njëkohësisht duhet mbajtur parasysh se ajo përbën vetëm një rast. Fuqia e bombave është e natyrshme të mbivlerësohet por lufta nuk fitohet vetëm me bomba. Kështu p.sh forcat ajrore aleate derdhën rreth 2 milion ton bomba në Gjermani gjatë luftës së II Botërore , e megjithatë u desh këmbësoria dhe tanket në terren që të mundej Hitleri. Në Vietnam amerikanët përdorën trefishin e kësaj sasie, e megjithatë lufta nuk u fitua. Gjashtë javë sulme ajrore nuk arritën të nxirrnin nga Kuvajti pushtuesit e Sadam Hyseinit, ndërsa 100 orë luftë në terren ia arritën qëllimit. Edhe në Serbi pavarësisht nga bombardimet trupat e Sllobodanit bënë krime të papara lufte mbi kosovarët deri sa kapitulluan.
Në çdo krizë, pavarësisht nga përfundimi i kësaj lufte, duhet të pranojmë se fitorja bazohet në përdorimin e përbashkët të forcave ajrore, tokësore e detare. Vërtet në këtë konflikt nuk morën pjesë forcat tokësore, por në terren veproi UÇK-ja , me të cilat u angazhuan seriozisht forcat serbe krahas masave për mbrojtjen dhe kundërveprimin ndaj mjeteve te sulmit ajror të NATO-s.
Kjo luftë u shoqërua edhe me masa të tjera shtrënguese e psikologjike, që ndikuan në arritjen e fitores si vendosja e një embargoje të plotë ekonomike, lufta e gjithanshme psikologjike duke përdorur të gjitha format e saj, si kërcënimi e përgatitjet për një sulm të mundshëm tokësor, duke përqendruar forcat tokësore në afërsi të kufirit me Serbinë.
Gjithsesi luftën e NATO-s në ish Jugosllavi dhe konfliktin më të ashpër të historisë Kosovë – Serbi e zgjidhi vetëm strategjia, taktika, metodat dhe teknika e përpikmërisë së lartë ajrore.
Si një rast unikal na transmetohet edhe misioni humanitar ajror për Kosovën. Bota s’ka njohur operacione humanitare ajrore në një mjedis, situatë dhe në përmasa të pallogaritshme, në shërbim të 1 milion refugjatëve martirë.
Ky ishte konflikti i parë ushtarak që nga fundi i luftës së ftohtë, i ndodhur kryesisht për qëllime humanitare.
Çfarë tregoi ndërhyrja për Kosovën
“Mësimi është i qartë si kristali. NATO fitoi. Spastrimi etnik dhe dhuna shtetërore u ndalën, kriminelët u tërhoqën, refugjatët janë në shtëpitë e tyre, forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO janë në terren. Nga trashëgimia komunistë, aparteidi dhe brutaliteti, elementë të një demokracie shumetnike, jo pa vështirësi po vihen në zbatim.
Kosova evidentoi qartë: rëndësinë, në operacionet modernë, të marrëdhënieve të afërta e të besueshme midis botëve ushtarake e civilë, si gjatë fushatës ajrore, ashtu dhe gjatë misionit paqeruajtës; në mjedisin e ri të sigurimit Euro- Atlantik, Rusia dhe Perëndimi janë të detyruar të bashkëpunojnë; rëndësinë e partnereve të PfP- së për të gjitha llojet e operacioneve paqeruajtëse.
Ndërhyrja ushtarake pati një rendësi të jashtëzakonshme, ishte një ngjarje me përmasa madhështore për paqen e demokracinë, e lidhur drejtpërsëdrejti me fatin e Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, si dhe me fatin e parimeve themelore që përbejnë bazat e rendit të ri botëror, të Lirisë dhe Drejtësisë për të gjithë. Ky operacion i dha fund kalvarit të popullit të kthyer në refugjat, nisi rrugën për arritjen e paqes dhe të lirisë në Kosovë dhe i dha mundësinë popujve të Ballkanit dhe të gjithë Evropës Juglindore të punojnë për të lenë pas historinë e gjakderdhjeve e të urrejtjeve etnike, për tu integruar në Evropën Demokratike.
Vendimi për ndërmarrjen e këtij aksioni ushtarak nga Komuniteti Ndërkombëtar kundër politikes së spastrimit etnik ishte i drejtë dhe i pashmangshëm. Bashkësia e vendeve demokratike nuk mund të lejonte që në mes të komunitetit Evropian të shkeleshin brutalisht liritë dhe të drejtat njerëzore dhe të ushtrohej hapur politika e gjenocidit shtetëror mbi 2 milion civile të pafajshëm.
Fushata ushtarake e NATO-s realizoi ndërprerjen e dhunës dhe gjenocidit etnik në Kosove. Ajo ndaloi krizën humanitare në Kosovë dhe arriti ta vendosë atë në protektoratin ndërkombëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për një periudhe kalimtare.
Për realizimin e synimeve vëmendje e veçantë i është kushtuar precizonit në goditje me qëllim që të shkaktojë sa më pak viktima. Është dashur shumë punë e përpjekje për sigurimin e informacionit të saktë nga ana e zbulimit si dhe nëpërmjet të dhënave direkt nga vendndodhja e objektit
24 Marsi vlerësohet si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e Kosovës, ditë e kthesës së madhe për të ardhmen e saj, e fillimit të fitimit të lirisë, e thellimit të partneritetit në mes të Kosovës dhe perëndimit. Realiteti i Kosovës së pavarur sot, i jep të drejtë atij vendimi ndërkombëtar për të filluar bombardimet kundër prezencës serbe në Kosovë. Më 24 Mars të vitit 1999, ndodhi kthesa e madhe në historinë e Ballkanit e cila nuk çliroi vetëm shqiptarët e Kosovës, por çliroi tërë rajonin, madje edhe serbët, sepse ata do të kuptojnë një ditë se u çliruan, pavarësisht se u goditën, sepse ata u goditën në pjesën më të errët të tyre, në pjesën e barbarisë të dhunës dhe të terrorit./Tema
Fraksion.com