AktualitetBota+Të fundit

Vetmia e tiranit: Si e humbin diktatorët kontaktin me realitetin

Nga Sergiy Gromenko

21 shkurt 2022. Ajo nuk ishte vetëm dita kur u bë e pashmangshme lufta në shkallë të gjerë e Rusisë kundër Ukrainës. Por edhe dita kur u bënë të qarta 2 aspekte jetike kritike të regjimit të presidentit rus Vladimir Putin: dominimi i tij i pakushtëzuar edhe mbi bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe të rangut më të lartë, dhe zhytja e tij e plotë në botën e iluzioneve vetjake, ku është e ndaluar hyrja edhe për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Kur u rreshtuan së bashku këtu dy karakteristika, rezultati ishte vendimi i tij vetëvrasës për të sulmuar Ukrainën. Tiranët dhe despotët e konsiderojnë veten si më të diturit në mesin e gjithë të vdekshmëve. Ata kanë qasje në raporte të detajuara nga shërbimet speciale të gjithëpranishme, të gjithëfuqishme, të cilëve nuk u mungon asgjë.

Kjo është arsyeja pse despoti duket se di gjithçka më mirë sesa njeriu mesatar. Nuk ka nevojë të pyesni njerëzit për asgjë: qafa e tij e gjatë si e gjirafës, sheh gjithmonë më tej. Në fakt, secili ka botëkuptimin e tij. Sa më autoritar të jetë një person, aq më e fortë është bindja se këndvështrimi i tij është i saktë.

Sa më i gjatë të jetë dikush, aq më shumë është i prirur të besojë se po bëjnë gjithçka siç duhet. Duke u ngritur në majat e pushtetit, diktatori bie në një rreth vicioz. Së pari, krerët e shërbimeve inteligjente i sjellin atij informacione pak a shumë të vërteta mbi gjendjen e vendit.

Shtetet autoritare janë gjithmonë në një gjendje më të keqe sesa thotë propaganda zyrtare. Për një farë kohe, tirani i merr informacione të tilla të vërteta, por kjo për aq kohë sa ato nuk prekin pushtetin e tij apo mos e dhënë Zoti njerëzit e afër. Është thuajse e pamundur që një lider autoritar ta pranojë se e ka gabim.

Gradualisht, despoti pajtohet me idenë se nuk mund të ketë gabuar. Përkundrazi fajtore janë shërbimet e inteligjencës, që ose nuk e shohin panoramën e plotë të botës (lideri ka monopolin e së vërtetës), nuk e kuptojnë shkallën e vendimeve, ose janë qëllimisht keqinformuese.

Informatori është i pari që ndjen kamxhikun mbi shpinë. Të parët që ekzekutohen janë bartësit e lajmeve të këqija. Pastaj, edhe në shërbimet më të mira të inteligjencës, mund të ketë një avari. Të ndershmit pushojnë së thëni të vërtetën; ndërsa ata që janë më mercenarë nisin të gënjejnë.

E vërteta e humbet tërësisht vlerën e saj. Kështu forcohen pozitat e servilëve dhe lajkatarëve të udhëheqësit. Shërbimi zëvendësohet me nënshtrimin. Nga agjentët e zakonshëm tek shefat e tyre, që të gjithë i thonë liderit vetëm atë që dëshiron të dëgjojë.

Të tjerët mënjanohen. Fyhreri nuk mund ta ketë gabim. Ndërkohë, u mbyllet goja edhe burimeve të tjera të së vërtetës. Është e kotë të ndjekësh mediat zyrtare. Ato nuk pasqyrojnë realitetin, por e manipulojnë atë. Mediat opozitare mbyllen ose detyrohen të bëhen aq të parëndësishme sa që tirani nuk mund t’ua dëgjojë zërin.

Gazetarët dhe politikanët perëndimorë shpërfillen. Tek e fundit çfarë mund të thonë agjentët e armikut? Analiza kritike zëvendësohet nga propaganda, dhe askush nuk e vë re se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Sa më gjatë të jetosh me iluzione, aq më e vështirë është të heqësh dorë prej tyre.

Bastioni i fundit i së vërtetës janë miqtë personalë të liderit, “garda e vjetër”. Ata që kanë qenë aty që në fillim, dhe e kanë ndihmuar udhëheqësin të ngjitet në pushtet. Vetëm ose në një grup të vogël, ata kanë ende mundësinë të rrezikojnë duke e kundërshtuar, duke ia vënë në dukje gabimet, dhe duke i sugjeruar një metodë tjetër për zgjidhjen e problemeve.

Por edhe kjo pengesë në fund do të bjerë. Në mënyrë të pashmangshme, tirani bëhet i bindur për tiparin e tij hyjnor, dhe ata që i kujtuan se është gjithsesi një njeri si gjithë e tjerët bëhen armiq. Askush nuk dëshiron që t’i kujtohen dobësitë e veta dhe gabimet e rinisë së tij. Kështu autokrati i heq qafe miqtë e vjetër dhe rrethohet me njerëz të rinj, që janë besnikë jo ndaj një ideje apo tradite, por ndaj tij personalisht. Vetmia e tij bëhet absolute, ndërsa rënia thuajse e pashmangshme.

Në vitin 65 të Erës Sonë, perandori i Romës Neroni urdhëroi Senekën që të bënte vetëvrasje. Një vit më vonë, edhe Petroniusi vrau veten. Që të dy kishin qenë miq dhe këshilltarë të perandorit. Në më pak se dy vjet, çmenduria e sundimtarit çoi në revoltën e legjioneve romake në Gali, që u pasua nga vdekja e vetë Neronit.

Në 1565, Ivani i Tmerrshëm themeloi policinë e tij sekrete, Oprichnina, duke nisur shtypjen sistematike të aristokratëve rusë. Brenda pak vitesh, ai ekzekutoi dhe vrau personalisht qindra bashkëpunëtorë të tij të vjetër, princa dhe fisnikë që u përpoqën ta kthenin Rusinë në rrugën evropiane të një monarkie të kufizuar.

Si rezultat, Moska u dogj nga Khani i Krimesë në vitin 1571, u humb Lufta Livoniane dhe vendi i shkatërruar dhe i zhytur në autoritarizëm, gati u zhduk nga harta në fillim të shekullit XVII-të. Stalini e arriti vetminë e tij absolute në vitin 1938, kur ekzekutoi mikun e tij të fundit që nuk kishte frikë t’i kundërvihej, Nikolai Bukharin, duke lënë gjallë vetëm disa servilë që nuk iu ndihej zëri si Kalinin ose tiranë më të vegjël si Beria.

Bashkimi Sovjetik bëri një marrëveshje me Djallin (Gjermaninë nazistë) dhe gati pushtoi së ekzistuari në fitin 1941. Le ta pranojmë: BRSS mbijetoi vetëm sepse Perëndimi e konsideronte Hitlerin më të rrezikshëm (gjë që ishte e vërtetë) dhe e ndihmoi të fitonte diktatorin me mustaqet e gjata.

Tre ditë para pushtimit të plotë të Ukrainës, të gjithë pamë nga TV Putinin në prag të vetmisë së pashmangshme të tiranit. Një njeri – që beson në epërsinë e mendjes së tij të sofistikuar dhe që nuk e përdor ende internetin – e cilësonte veten aq lart në krahasim me ata që e rrethonin, saqë ai pushoi së marri në konsideruari mendimet e tyre.

Sot në Rusi nuk ka media të pavarura, dhe parlamenti nuk është vend për diskutime. Ushtria e re ultranacionaliste është gati:Rosgvardiya. Asgjë nuk e ilustron këtë situatë më mirë sesa dialogu midis Putinit dhe kreut të inteligjencës së tij të jashtme, Sergey Naryshkin.

Putin jo vetëm që e poshtëroi publikisht, duke treguar plotfuqinë e tij unike mbi Rusinë, por ai refuzoi të dëgjojë qoftë edhe formalisht mendimin e tij. Vendimi për të sulmuar Ukrainën ishte tashmë plotësisht i formuar në kokën e Putinit, dhe nuk ishte më e mundur që dikush t’ia sfidonte apo ndryshonte.

Narshkin nuk duhej të debatonte, por të pajtohej me vullnetin e udhëheqësit. Edhe nëse kjo e çon vendin drejt katastrofës. Fakti që shefi i inteligjencës përmendi pa shumë dëshirë planet e aneksimit rus të Donbasit vetëm sa e thekson këtë tezë. Të gjithë në Kremlin e dinin për luftën dhe askush nuk mundi që ta bindte Putinin të hiqte dorë nga ajo.

Pikërisht për shkak të degradimit në radhët e shërbimit të inteligjencës, FSB, dhe qendrat analitike shtetërore, udhëheqja e lartë ruse ishte e bindur se Kievi do të rrëzohej brenda 3 ditësh. Dhe është pikërisht mbivlerësimi i Rusisë nga Putin dhe nënvlerësimi i Ukrainës dhe botës, ai që do të çojë në fund në rrëzimin e regjimit të tij.

A do t’i dëgjojë Putin ata që nuk janë dakord me të? Apo do të dëgjojë vetëm ata që flasin në unison me mendimet e tij, pra për mobilizimin e radhës, për goditjet me raketa mbi termocentralet ukrainase, apo për përdorimin e ndonjë bombe bërthamore?

A do të përplaset Rusia me botën e jashtme si një anije që e ka humbur tashmë kontrollin? A do t’i paraprijë kolapsit një shtypje në shkallë të gjerë? Pra thënë shkurt: A do të mbetet Putin në këtë botë iluzionesh, i shkëputur nga realiteti, duke e marrë me vete më greminë gjithë Rusinë? Përgjigjen për këtë do ta kemi shumë shpejt./World Crunch

 

Fraksion.com