AktualitetOp-EdTë fundit

Si po e ri-formaton Evropën Giorgia Meloni

Nga Nicholas Farrell

Kryeministrja e parë grua e Italisë, Giorgia Meloni, po bëhet vazhdimisht udhëheqësja politike më e rëndësishme e Evropës. Madje disa thonë se është fati i saj të jetë AngelaMerkel e radhës. Nëse do të ndodhë vërtet, kjo do të nënkuptonte një ndryshim dramatik në drejtimin e Bashkimit Evropian drejt asaj që ajo e quan një Evropë konfederale, në vend të një Evrope federale.

Pra një Evropë e kombeve sovrane dhe jo një super-shtet, gjë që sipas Melonit do të “bënte më pak, por më mirë”. Meloni, 46 vjeçe, drejton një koalicion qeveritar të krahut të djathtë – që përbëhet nga partia e saj Fratelli D’Italia (Vëllezërit e Italisë) plus 2 partnerë të vegjël, Lega e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit – që fitoi një shumicë të gjerë në zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2022.

Në këtë mënyrë, ajo u bë kryeministrja e parë e zgjedhur me votë në Itali që nga viti 2011. Asnjë nga 6 kryeministrat e mëparshëm nuk ishte udhëheqës i një partie apo koalicioni që fitoi zgjedhjet kur u emërua në detyrë. Madje 4 prej tyre nuk ishin as deputetë.

Ndërkohë partitë e krahut të majtë të opozitës, nuk janë në gjendje të sheshojnë dallimet midis tyre për të formuar një koalicion alternativ efektiv. Partia Demokratike post-komuniste, e cila doli e dyta në zgjedhje me 19 për qind të votave, po merr aktualisht vetëm 16 për qind në sondazhe, ndërsa po vazhdon të rritet popullariteti i Fratelli D’Italia.

Ajo mori 26 për qind të votave në zgjedhje, dhe tani në sondazhe renditet me 31 për qind mbështetje. Largimi i Merkel në vitin 2021 në fund të mandatit të saj të katërt si kancelare e Gjermanisë, krijoi një boshllëk në Evropë, i cili nuk është mbushur ende.

Shpresat e presidentit francez Emmanuel Macron për ta zëvendësuar atë si udhëheqëse de facto të BE-së u zhdukën që shumë kohë më parë (pavarësisht se kushtet për një lidershipfrancez nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa këto vitet e fundit), në një kohë që kancelari aktual gjerman Olaf Scholz njihet më së shumti për ngurrimin e tij tipik.

Nga ana tjetër Meloni po e forcon gjithnjë e më shumë staturën e saj kombëtare dhe ndërkombëtare. Shkalla e popullaritetit të saj prej 52 për qind është shumë më e lartë se ajo e Scholz (34 për qind) dhe e Macron (vetëm 28 për qind).

Kryeministrja italiane – që identifikohet si një konservatore, por jashtë Italisë është quajtur pa dyshim si një ekstremiste i djathtë – që ka plane shumë ambicioze për Italinë dhe Evropën. Shumë kohë përpara pushtimit rus të Ukrainës, ajo hoqi dorë nga pozicioni tradicionalisht anti-amerikan i së djathtës italiane për ta vendosur Italinë në një pozicion të ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe.

Por edhe pse atlantizmi i saj është një nga shkaqet e mundshme të tensionit brenda BE-së, ajo është e vendosur të mos i trazojë shumë ujërat për dy arsye kryesore. Së pari, Italia do të marrë më shumë se çdo shtet tjetër anëtar para nga Fondi i Rimëkëmbjes i BE-së për krizën e shkaktuar nga Covid-19.

200 miliardë euro (një e katërta e totalit) midis viteve 2021-2026 në formën e kredive dhe granteve, por vetëm me kushtin që të ndërmarrë dhjetëra reforma strukturore. Për këtë arsye nuk ka luksin të përplaset Komisionin Evropian.

Së dyti, ajo nuk ka ende aleatë për ta fituar një luftë kundër Brukselit. Për këtë arsye, Meloni është e detyruar të ndërtojë një rrjet aleancash dhe të fitojë një rol kontrollues në Parlamentin Evropian, që ka një rol të madh mbi emërimet kyçe në Komisionin Evropian. Pikërisht këtu qëndron fuqia e vërtetë në BE. Në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian të vitit 2019, Fratelli D’Italia mori vetëm 6.4 për qind të votave dhe 5 eurodeputetë (një numër që u rrit në 8 për shkak të Brexit-it dhe largimeve). Por ajo është drejtuese e grupit parlamentar të cilit i përkasin konservatorët evropianë euroskeptikë dhe reformistët (ECR), që u bashkëthemelua nga David Cameron në vitin 2009.

Aktualisht, ECR ka vetëm 64 eurodeputetë. Tradicionalisht, grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP), që ka në përbërje partitë demokristiane, dhe që ka aktualisht 176 eurodeputetë, e ka kontrolluar PE, që pas Brexit ka 705 vende në total.

Ajo hyn zakonisht në aleancë me kundërshtarët e saj natyralë, socialistët (S&D), me 144 eurodeputetë, edhe herë pas here me Renew (ish liberalët), që ka 102 eurodeputetë (përfshirë eurodeputetët e Macron plus ata të Guy Verhofstadt). Megjithatë, në legjislaturat e fundit, pjesa e vendeve të EPP-së ka rënë ndjeshëm, ndaj është rritur nevoja për aleatë.

Meloni synon të zëvendësojë rolin e S&D, të zhytur keqazi në skandalin e miliona eurove të dhëna në formën e ryshfeteve, Qatargate, ku ECR do të jetë aleatja kryesore e EPP-së në zgjedhjet evropiane të vitin e ardhshëm, kur Fratelli D’Italia parashikohet të rrisë ndjeshëm përfaqësimin e saj në PE.

Po ashtu, anëtarët e tjerë të ECR, veçanërisht partia populiste spanjolle Vox, mund të jetë  partnerja e vogël në atë që sondazhet parashikojnë se do të jetë një qeveri e koalicionit të krahut të djathtë në zgjedhjet spanjolle këtë vit. Ndërkohë në këtë grupim janë edhe Demokratët Suedezë, të cilët dolën shumë mirë në zgjedhjet e shtatorit 2022, dhe mbështetja e të cilëve është jetike për qeverinë e re të krahut të djathtë.

As Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, Lega i Salvinit apo Alternativa për Gjermanisë (AfD) nuk janë pjesë e ECR, por e grupit rival Identiteti dhe Demokracia (ID), që ka gjithashtu 64 eurodeputetë. Lega, që ka pësuar një rënie të vazhdueshme dhe që arriti kulmin i saj në zgjedhjet e fundit evropiane të 2019-ës, nuk do të jetë në gjendje të përsërisë 34 përqindëshin e saj spektakolar.

Ndërsa shumë në EPP e konsiderojnë ID-në si një grupim më rënie të pandalshme, ata janë shumë më të hapur për një aleancë me ECR-në. Edhe Meloni do të përpiqet ta bindë partinë e Salvinit të braktisë ID-së. Manfred Weber – udhëheqësi i EPP-së nga Unioni Kristian Social, versioni bavarez i Unionit Demokristian të Merkelit – është takuar dy herë me Melonin në Romë që kur ajo u zgjodh kryeministre.

Evropa konfederale që dëshiron Meloni është ajo në të cilën dominon parimi i subsidiaritetit. Siç tha ajo në një intervistë për gazetarin e njohur italian Bruno Vespa: “Brukseli nuk duhet të bëjë atë që Roma mund ta bëjë më mirë”. Kur u pyet nëse ligji i BE-së duhet të mbizotërojë ndaj ligjit italian në rastet e konfliktit, ajo u përgjigj: “Për rastet më të diskutueshme Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur në favor të interesit kombëtar”.

Vizita e Melonit pak kohë më parë në Kiev, menjëherë pas asaj të presidentit amerikan JoeBiden, për të takuar Volodymyr Zelensky dhe për ta siguruar atë se Italia do ta mbështesë me armë “deri në fund” ishte shumë domethënëse. Sepse ndërsa Macron ndryshoi qëndrim në lidhje me mënyrën se si Evropa duhet të reagojë ndaj pushtimit të Vladimir Putinit, dhe Scholz u tërhoq nga sjellja nguruese, mbështetja e Melonit si për sanksionet ndaj Rusisë po ashtu edhe për armët ndaj Ukrainës ka qenë e paqartë që nga fillimi i luftës, kur ajo ishte ende në opozitë.

Shumë analistë thanë se vendimi i Macron për të ftuar vetëm Scholz-in dhe jo Melonin në takimin me Zelensky në Paris dy javë më parë, ishte një shenjë e qartë se udhëheqësja e ekonomisë së tretë më të madhe të BE-së ishte mënjanuar nga “salla e komandimit” të BE-së.

Po ashtu ata nënvizuan se Meloni ishte dobësuar nga deklarata e Silvio Berlusconi, një mik i vjetër i Putinit, se nëse do të ishte kryeministër, nuk do të shkonte kurrë që të takonte Zelenskin, sepse “sulmet e tij në Donbas kishin shkaktuar shkatërrimin në Ukrainë”.

Meloni zgjodhi ta shpërfillë komentin e Berlusconit. Por kryeministrja italiane është e ashpër jo vetëm me dy partnerët e saj të koalicionit, por edhe me shumicën e vendit të saj që kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë (vetëm pak më shumë se 1/3 e italianëve e konsiderojnë Rusinë si armike, krahasuar me 2/3 në Amerikë dhe Britani, madje çereku i italianëve e konsiderojnë Rusinë si aleate).

Meloni është tani udhëheqësja e së djathtës evropiane. Ajo dhe ata që janë rreth saj do të jenë në gjendje të lëvizin boshtin e politikës evropiane në zgjedhjet e ardhshme”- thotë Massimo Cacciari, profesor filozofie, ish-deputet komunist dhe ish-kryetar i bashkisë së Venecias./The Spectator

 

Fraksion.com