Rama takohet me Sunak: Të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale
Kryeministri Rama dhe Kryeministri Sunak vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, të cilat këtë vit shënojnë 100-vjetorin e tyre, dhe shprehën vullnetin e përbashkët për t’i thelluar ato në të ardhmen, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në mënyrë të veçantë në luftën kundër sulmeve kibernetike.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qartazi kanë tashmë një partneritet të fortë dhe presim me padurim të thellojmë këtë marrëdhënie me ju sot. Por po kështu ka më shumë kjo marrëdhënia jonë për të folur, që është forcimi i bashkëpunimit tonë ekonomik, tregtisë, sigurisë, sidomos lufta kundër sulmeve armiqësore dhe kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria”, u shpreh Sunak.
Në takim u vlerësua progresi i bërë në drejtim të luftës kundër migracionit të paligjshëm në respektim edhe të marrëveshjeve të përbashkëta të nënshkruara për këtë qëllim.
“Vitin e kaluar kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë në këtë drejtim”, tha Sunak.
Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se, kjo vizitë shënon një moment të veçantë për bashkëpunimin mes vendeve, në mënyrë të veçantë për të bashkuar forcat dhe bërë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të bien pre e këtyre rrjeteve.
“Faleminderit, Kryeministër! Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve. Në të njëjtën kohë dua t’Ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se, ashtu siç jo të gjithë britanikët janë “James Bond” apo “Mr. Bean”, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken””, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se, “ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju, dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu. Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për t’u luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana Juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën së bashku me Ju. Faleminderit sërish e dua dhe t’Ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri, sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Winston Churchill”.
Fraksion.com