Muri kinez i mbron krahët Putinit
Më shumë se kaq simbolikë vështirë të kishte: Vizita e Xi u zhvillua pikërisht në ditën kur u mbushën nëntë vjet nga aneksimi rus i Krimesë. Putin vet, një ditë përpara kësaj vizite, vizitoi për herë të parë qytetin e shkatërruar tërësisht Mariupol – një vend i krimit më të tmerrshëm të luftës. E kësisoj kreu i shtetit kinez zhvilloi një vizitë tri ditore në Rusi sikur kjo luftë brutale të mos ekzistonte. E gjitha u shoqërua me artikuj gazete, në të cilët Xi dhe Putin përbetohen për miqësinë e tyre si dhe partneritetin e ngushtë “krah për krah” të vendeve të tyre.
Kina e mban gjallë ekonominë ruse
Rezultati i dukshëm i takimit ishte: edhe më shumë tregti. Rusia e dobësuar prej luftës në Ukrainë lidhet edhe më fort me Kinën, por njëkohësisht kjo bën që t’i mundësohet asaj të vazhdojë edhe më tej me këtë luftë. Kina vazhdon të blejë gjithnjë e më shumë lëndë të para ruse dhe shet gjithnjë e më shumë mallra në Rusi. Firmat kineze tani po frekuentojnë tregjet, që përpara luftës dominoheshin nga firmat perëndimore.
Ndërsa krejt i padukshëm është një tjetër rezultat i bisedimeve për nismën e re diplomatike kineze lidhur me luftën në Ukrainë. Eshtë për të dyshuar fort, nëse e ka vërtetë seriozisht Pekini me nismën prej dymbëdhjetë pikash, që Putini e cilësoi si “bazë për një zgjidhje paqësore të konfliktit”. Po të qe ndryshe Xi nuk do kishte pritur të vizitonte Moskën pas një viti të ndërhyrjes duke mos përmendur çështjen qendrore – tërheqjen e plotë të trupave ruse. Një ngrirje e luftës aktualisht do të ishte fitore për Putinin. Se sa seriozisht e ka vërtetë Xi me ofertën e tij për ndërjetësim, kjo do të qartësohet vetëm pasi ai të ketë biseduar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyj.
Ishte një ndër ato vizita, kur vetëm më vonë e kupton, se çfarë është biseduar pas dyerve të mbyllura hermetikisht. Eshtë për të druajtur, që Putin në radhë të parë ka sysnuar të informojë Xi mbi hapat e mëtejshëm të mundshëm në Ukrainë, ngjashëm si edhe përpara ndërhyrjes në shkurt 2022. Rusia javët e ardhëshme mund të përforcojë ofensivën në front, me pasoja brutale për popullsinë ukrainase. Nëse është kështu, Moska do me sa duket që ta ketë Kinën në anën e saj, edhe pse kjo e padukshme nga jashtë.
Kina do të parandalojë dështimin e Rusisë
Perëndimi e sheh i befasuar duke mos pasur asnjë ide aleancën, që po forocohet gjithnjë e më shumë. Ende ai është i rezervuar me kritikat e ashpra nisur nga interesat ekonomike dhe shpresa për ndërmjetësim diplomatik. Ndoshta mendohet, se Kina mund të distancohet nga Moska, sapo të ketë shenja për një dështim të qartë të Putinit në këtë luftë. Ndoshta në këtë rast shkërmoqet muri kinez që i mbron krahët Putinit. Por më shumë gjasë ka për një tjetër skenar: Kina do të përpiqet sa të mundet ta parandalojë dështimin e Rusisë, qoftë me diplomaci, qoftë me furnizime hapur me armë. Perëndimi duhet të jetë i përgatitur për këtë.
Nuk ka kaluar shumë kohë, kur në Berlin dhe të tjera kryeqytete europiane thuhej shpesh: “Ne nuk duhet ta shtyjmë Rusinë në krahët e Kinës.” Ishte naivitet – sepse kjo ka kohë që ka ndodhur. Ky përqafim po forcohet gjithnjë e më shumë dhe Perëndimi nuk do kishte mundur ta parandalonte atë. Vizita e Xi në Moskë e ka nxjerrë këtë tani edhe më në pah./DW
Fraksion.com