AktualitetBota+Të fundit

Anëtarët e Kongresit kërkojnë analizë për tërheqjen nga Afganistani

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha ligjvënësve të mërkurën se Departamenti i Shtetit po bën një analizë të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe do të ndajë përfundimet e saj me Kongresin deri në mes të prillit.

“Kemi punuar për të mbledhur informacionin e nevojshëm, për t’u siguruar që të nxjerrim mësime,” tha zoti Blinken në një seance dëgjimore të një komisioni të Senatit.

“Unë jam i përkushtuar dhe i vendosur që t’ia vëmë në dispozicion këtë informacion Kongresit dhe ne do ta bëjmë një gjë të tillë. Ne do ta bëjmë këtë deri në mes të prillit. Ne do t’i ndajmë përfundimet dhe do të gjejmë mekanizmin e duhur për ta bërë këtë brenda tre javëve të ardhshme”, tha ai.

Anëtarët e Kongresit kanë kërkuar informacion në lidhje me tërheqjen e gushtit 2021 nga Afganistani pas 20 vjetësh të luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara.

John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, u tha gazetarëve se pikat kryesore nga analiza do të publikohen dhe do të ndahen me komisionin e Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve.
Republikanët, të cilët morën kontrollin e Dhomës në janar, thonë se nuk ka pasur kurrë një shpjegim të plotë të operacionit kaotik, në të cilin 13 ushtarë amerikanë u vranë në aeroportin e Kabulit.

Qindra qytetarë amerikanë dhe mijëra afganë që kishin punuar me forcat amerikane ngecën pas në aeroport, ndërsa përpiqeshin të iknin nga talebanët, grupi militant islamik që rifilloi kontrollin e Afganistanit.

 

Fraksion.com