AktualitetLife StylePolitikëTë fundit

“T’u tregosh atë që nuk shohin”, Rama çel ekspozitën personale në nisje të vizitës së punës në Athinë

Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën e punës në Athinë, Greqi me çeljen e një ekspozite me vepra artistike të realizuara prej tij, në Zappeion Megaron, e cila u mirëprit dhe vlerësua nga të pranishmit, personalitete të larta të politikës greke, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ministri i Punëve të Jashtme Nikos Dendias, si dhe artistë dhe politikanë të tjerë.

Në ceremoninë e mikpritjes, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias u shpreh se përzgjedhja e Zappeion Megaron, e cila është pjesë e trashëgimisë kombëtare të qytetërimit grek, për të çelur këtë ekspozitë, mbart një simbolikë shumë të fortë dhe të qartë.

“Ky është pikërisht vendi ku në vitin 1979 u nënshkrua Traktati i Anëtarësimit në atë që ishte Komuniteti Ekonomik Europian asokohe. Isha një student shumë i ri i Universitetit të Athinës, që ndodhet diku atje, përtej kolonave, që shihja Georgios Ralis dhe Konstantinos Karamanlis që hidhnin firmën pikërisht këtu. Kështu, ky është pasqyrim i mënyrës si e shohim Shqipërinë, një fqinjë, një mike të afërt dhe, më lejoni ta them, shpresoj, së shpejti, si pjesë e familjes sonë të përbashkët europiane”, u shpreh Dendias.

Në fjalën e mbajtur me rastin e çeljes së ekspozitës, Rama u shpreh se nuk është ekspozita e tij e parë, por kjo është hera e parë që viziton një vend si kryeministër dhe në çantë nuk mban vetëm shënimet, por edhe artin e tij.

Rama shprehu mirënjohjen për këtë pritje të mahnitshme dhe për këtë ngjarje kaq të veçantë.

“Do të doja të flisja disa fjalë greqisht dhe do të më pëlqente shumë t’i drejtohesha këtij auditori përmes kësaj gjuhe kaq të bukur e të lashtë, një gjuhë që është folur nga njerëz, të cilët i sollën kaq shumë mrekulli kësaj bote dhe që folën aq bukur për artin dhe të bukurën. Po, për fat të keq, nuk e flas, kështu që po ju drejtohem në anglisht, sepse e di që edhe shqipja juaj nuk është fort e mirë. Nuk është ekspozita ime e parë artistike, por është e para herë që vizitoj një vend si Kryeministër dhe në çantë nuk mbaj vetëm shënimet, por edhe artin tim”, tha ai.

Rama shprehu po ashtu mirënjohjen për ministrin Dendias, i cili sipas tij, “pati rol kyç për ta bërë të mundur realizimin e gjithë kësaj, pasi vizitoi zyrën time dhe i lindi dëshira ta sillte këtu”.

“Kështu, Niko më solli edhe mua bashkë me zyrën, sepse ajo që do të shihni sot është një variacion i asaj çfarë e përbën zyrën time: vizatimet mbi tryezë, skulpturat e mia, disa prej të cilave varen në zyrë dhe letra e murit që është kompozuar me vizatimet e mia. Dua po ashtu të falënderoj Katerinën, e cila është treguar shumë e duruar, sepse është një kuratore tejet profesioniste dhe nuk ka punuar kurrë më parë me një Kryeministër”, tha Rama.

“Meqë ra fjala, unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë. Katerina është mësuar të jetë ajo kryeministre sa herë merret me subjektet e saj, kështu që kjo ishte një përvojë ndryshe, sepse i duhej koha ime, unë kohë nuk kisha; i duhej vëmendja ime, po mendjen e kisha tjetërkund, pikërisht siç ndodh kur vizatoj”, shtoi ai.

Rama tha se kur vizaton në zyrën e tij, vëmendja nuk është tek ajo çfarë bën me duar, por i lë sytë të lëvizin bashkë me duart, ndërsa mendja është plotësisht e përqendruar te çështja që diskutohet me bashkëpunëtorët e tij ose te bashkëbisedimet telefonike ose teksa peshon vendimet që duhen marrë kur është vetëm.

“E përjetoj vërtet me shumë përulësi që pritem në këtë pallat të mrekullueshëm që ka një histori të jashtëzakonshme dhe më lini të ndaj me ju diçka shumë personale. Dje, kur isha në makinë duke shkuar drejt Vuliamenit, m’u kujtua një taksi që kisha marrë një vajtje-ardhje për në Vuliameni dhe më pas në Sandro të Athinës, ato ditë të hershme të lirisë sonë, kur vendi i parë që vizitova si njeri i lirë, jo si sportist që përfaqësonte një vend që nuk ishte i lirë, por një vend si njeri i lirë, ishte Greqia dhe Korfuzi. Nga Korfuzi, ku më pritën disa kushërinj të nënës sime, fluturova për në Athinë, ku më pritën disa kushërinj të tim ati. Jeta është e pabesueshme. Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të pritesha në këtë pallat, se do të vija me një makinë me autokolonë dhe se mikpritësi do të ishte një ministër i Jashtëm. Ç’të them?! Jam vërtet falënderues dhe mirënjohës”, u shpreh ai.

Duke folur për ekspozitën, Rama tha se “ajo çfarë do të shihni sonte, shpresoj të flasë vetë”.

“Nuk dua të flas shumë për të. Nuk mendoj se arti ka nevojë për artistin ta përkthejë. Arti fletë vetë. Siç ka thënë edhe Edgar Degas, arti nuk është t’u tregosh njerëzve atë që sheh, por është t’u tregosh atë që nuk shohin, kështu që, çdokush është i lirë të shohë çfarëdo që dëshiron. Arti im është abstrakt, me disa kujtime aty-këtu dhe është mjaft demokratik, në kuptimin që i lejon gjithsecilit të mendojë e të shohë gjithë çfarë dëshiron”, theksoi ai.

“Me këtë rast, dua edhe t’ju them se kjo ekspozitë dhe shumë nga ajo çfarë bëj nuk do të kishte qenë e mundur pa një mik shumë të dashur e të ngushtë timin, i cili është këtu. Quhet Adi Dule. Është edhe ai vetë një artist. Ka një studio qeramike dhe është ai që vendos temperaturën e furrës, është ai që përgatit baltën e duhur për mua dhe materialet e përshtatshme për porcelanin; është ai që merret me shndërrimin e formave të mia në bronz dhe ai që, në fund, sigurohet që ajo që shihni të varet si duhet, në të kundërt do të ishte thyer. Dua të falënderoj edhe një mike tjetër të shtrenjtë e të afërt, Albën, e cila është këtu gjithashtu. Ajo është bashkëshoqëruesja ime në transformimin e vizatimeve në letër muri, në kravata, në shalle dhe jam i sigurt që e ardhmja do ta sjellë të bëjmë edhe më shumë gjëra në këtë drejtim, sepse shpresoj se ka jetë edhe përtej politikës”, u shpreh Rama.

E dini, vijoi ai, “modestia nuk është pika ime më e fortë, por më duhet ta pranoj publikisht se nuk do të isha ky që jam pa dikë që kujdeset për mua, që më duron, që më ndihmon me durim të bëhem një njeri më i mirë”.

“Ajo është Linda, gruaja ime, e cila e ka fituar deri më tani garën midis të dyve si artistë, sepse ka krijuar Zahon, që është një kryevepër, për të cilën jam i sigurt që edhe Fidia do të ishte xheloz për Lindën e jo më unë”, tha ai, ndërsa shtoi se “kjo nuk është një fjalë prej politikani, por një rrëfim prej artisti”.

 

Fraksion.com