”Pse nuk kemi shpresa të mëdha?”
Nga Carolyn Giardina
Filmi i shkurtër i animuar i nominuar për çmimin Oscar “The Boy, the Mole, the Fox and the Horse”, i bazuar në librin e ilustruar me të njëjtin emër nga artisti britanik Charlie Mackesy, nuk ishte planifikuar në fillim si një vepër që do të botohej apo si një film.
Gjithçka nisi si një seri vizatimesh në fillim të vitit 2018, të cilat ai i postoi në llogarinë e tij në Instagram (sot me 1.7 milionë ndjekës), ku shfaqeshin 4 personazhet kryesore dhe mendimet e tyre për mirësinë, shpresën, miqësinë dhe guximin.
Për shembull, në një vizatim në Instagram djali pyet:“Cila është gjëja më e guximshme që ke thënë ndonjëherë?” Kali i përgjigjet:”Ndihmë!”. Mackesy nisi të postonte më shumë nga vizatimet e tij dhe u prek nga reagime që po merrte. “Të gjithë po diskutonin mbi ndjenjat e tyre, se çfarë ishte e vështirë dhe çfarë shpresonin”- thotë regjisori për THR.
Kjo çoi në botimin e librit në vitin 2019, i ndjekur nga prodhimi i filmit të shkurtër të animuar që nisi në fillim të vitit 2020 gjatë bllokimit të pandemisë. Mackesy dhe PeterBaynton ishin regjisorë (dhe producentë). Por si të tillë shërbyen edhe Matthew Freud, CaraSpeller dhe Bad Robott’s, J.J. Abrams dhe Hannah Minghella.
Filmi i shkurtër përshkruan djalin dhe miqësinë e pamundur që zhvillohet ndërsa të katër bëhen bashkë për të ndarë mendimet e tyre, dhe teksa djali kërkon shtëpinë e tij. Në një moment mola e pyet djalin se çfarë do të donte të bëhej kur të rritej. Djali i përgjigjet:”I sjellshëm”.
Ekipi i animacionit punoi në distancë për shkak të Covid–19, me një synim të përbashkët:krijimin e një pamjeje që të pasqyronte sa më mirë vizatimet në libër, të cilat ishin realizuar më bojë dhe bojëra uji. “Ne donim që t’i bënim ato vizatime të lëviznin, por nga ana tjetër të ruanim frymën e rrjedhshmërisë së bojës dhe vijës dhe trashësinë e ndryshme të vijave”-thotë Mackesy.
Sipas tij pjesa më e vështirë, ishte zhvillimi i personazheve, sidomos i djalit. “Në libër, ai nuk kishte një strukturë të dallueshme të fytyrës. Ishte gjithmonë paksa i errët. Prandaj ai udhëtim zgjati shumë. Unë bëra shumë studime mbi portretin e tij. Pas studimit të portretit të një djali, e hodha të në letër një mëngjes dhe të gjithë më thanë “Ky është!”.
Por Mackesy e pranon se druhej se mos ishte shumë përshkrues. “Më pëlqente ideja që ai ishte paksa i errët, në mënyrë që njerëzit të mund ta projektonin veten apo që ai mund të ishte kushdo. Por e dija që duhet të jemi shumë më specifik dhe të themi:”Ky është djali, ja si duket. Këto janë emocionet dhe ndaj do të lidhemi me të!”-thotë ai.
Projekti u bë më i rëndësishëm pasi njerëzit u bënë më të izoluar gjatë pandemisë së Covid-19. “Ndonjëherë posta ime elektronike kishte 50.000 e–maile (në përgjigje të vizatimeve dhe librit të tij), dhe shumë prej tyre ishin shumë të dhimbshme.
Shumë prej tyre po më tregonin të vërtetën e jetesës së tyre me Covid-19, qofshin shkolla,spitale apo individë. Ishte shumë emocionuese kur i lexoja”- kujton Mackesy. Ishte dëshira e tij që kur filmi të dilte në kinema, të shkaktonte disa nga ndjenjat e përshkruara në histori, si shpresa ose të kuptuarit se është në normale të kërkosh ndihmë.
“Unë shpresoja që kur të mbaronte filmi, njerëzit do të ndiheshin të prekur, me shpresë dhe më të lidhur me njëri-tjetrin. Dhe të ndihen më pak të vetmuar dhe më rehat me veten. Pse të mos kenë shpresa të mëdha?”. / bota.al
Fraksion.com