“Më vjen keq ta them”, mjekja pediatër: Abuzimi me antibiotikë ka pasoja të larta në organizëm
Pediatria Sonila Batri duke folur sot rreth virozëve që kanë përfshirë këtë periudhë dha edhe disa këshilla në lidhje me përdorimin e antibiotikëve tek fëmijët.
Sipas saj po ndodhin shumë abuzime me përdorimin e antibiotikëve tek fëmijët dhe kjo gjë shoqërohet edhe me pasoja të mëdha në organizëm. Në “Wake Up” në Top Channel, ajo këshillon që prindërit duhet të konsultohen me një mjek pediatër përpara se t’i japin fëmijës antibiotik, ku sipas mjekes nuk është i nevojshëm nëse ata vuajnë nga një gjendje virale e cila mund të kalojë dhe vetë.
“Kujdesi me antibiotikët duhet të jetë realisht i jashtëzakonshëm sepse kemi parë në fakt dhe më vjen keq ta them këtë që në periudhën e Covidit, abuzimi me antibiotikët ka qenë masiv. Fëmijë që kanë përdorur shumë antibiotikë, të rritur që kanë përdorur pafund antibiotikë edhe në periudha të gjata kohore, pra i është dashur të marrin antibiotikë për 3 javë apo një muaj, pastaj efektet që kanë pasur në organizëm kanë qenë realisht të larta. Antibiotikët duhen dhënë gjithmonë në konsultën e mjekut.
Pra prindërit nuk duhet të shkojnë vetë në farmaci apo të nisin diçka vetë tek fëmijët e tyre. Shpesh herë unë ia kam thënë në fakt në periudhën e janarit kur virozat ishin shumë të gjata dhe temperatura shkonte shumë ditë që realisht duhet të rezistojnë dhe nuk duhet të nisin antibiotikun sepse nëse një situatë është virale, është antibiotiku thuajse i panevojshëm”, ka thënë mjekja pediatre Sonila Brati.
Fraksion.com