Katër akuzat për Ahmetajn: SPAK po heton për pastrim parash, korrupsion, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre
Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj zyrtarisht është nën hetim nga SPAK për 4 akuza. Prokuroria e posaçme po e heton Ahmetajn për veprat penale që i përkasin dy procedimeve penale, të cilat janë bashkuar në një të vetëm.
Për çështjen e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre. Ndërsa për një tjetër kallëzim për pasurinë e tij ai po hetohet për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë”.
Hetimet për Ahmetajn kanë nisur që në 19 shtator të vitit të kaluar por ankimimi i kryer në gjykatë nga mbrojtësit e tij për kontrollet e ushtruara në banesat e tij dhe të bashkëjetueses më 8 mars faktoi bashkimin e 2 procedimeve dhe hetimin e tij për 4 vepra penale.
Mbrojtja kundërshtoi para gjykatës kontrollet e kryera nga Byroja kombëtare e hetimit në shtëpinë e bashkëjetueses e ish-ministrit Ahmetaj në zonën e Hamallajt duke pretenduar se ajo nuk është funksionare e administratës shtetërore dhe nuk lidhet me faktet që po heton prokuroria e posaçme. Më tej ish-ministri Arben Ahmetaj në ankimimin dorëzuar në apel thotë se kontrolli në një prej vilave është anti kushtetues pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty.
Përveç vilës në Hamallaj më 8 mars BKH ushtroi kontrolle në disa prova të Ahmetajt në rezidenca në Tiranë, në zonën e shallvareve dhe Palasë.
Ndërkohë SPAK ka në dorë për ish-ministrin Ahmetaj edhe prova të tjera që e implikojnë në çështjen e inceneratorëve si bileta avioni dhe akomodime në hotele luksoze të cilat ishin paguar nga Klodian Zoto. Këto prova edhe pse të dukshme u injoruan nga prokurorët Ened Nakuçi dhe Klodian Braho. Tashmë çështja e Ahmetajt po hetohet nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurorja Enkeleda Minollai.
Fraksion.com