Gjiknuri: Elbasani nuk është foltore e Sali Berishës
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri bashkë me kryetarin e bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe deputeten Desantila Tahiraj, inspektuan punimet për rehabilitimin e rrugës në fshatin e madh Gjonme të njësisë administrative Gjergjan.
Gjiknuri, siguroi për mbështetjen e bashkisë Elbasan dhe vijimin e investimeve në qytet dhe në fshat.
Ai u shpreh se Elbasani nuk është foltore e Sali Berishës, por e investimeve nga qyteti deri në fshat.
“Ne nuk duam ta kemi Elbasanin bunker politik të Sali Berishës, sepse mëkëmbësi i tij do ta kthejë Elbasanin në foltore të Sali Berishës. Elbasani nuk është për foltore, Elbasani ka qenë foltore për arsimin, për gjëra të mëdha, por nuk është për beteja politike të Sali Berishës”, tha ai.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja u shpreh se investimet janë në rrugë të mbarë për të zgjidhur problematikat 30-vjeçare në fshat dhe në qytet. Llatja nënvizoi se opozita kujtohet vetëm për zgjedhje, duke mos e ngritur zërin në gjithë këto vite.
Ai informoi se, do të ndërhyhet paralelisht në mbi 30 rrugë gjatë kësaj periudhe.
Nga ana e saj, deputetja Desantila Tahiraj deklaroi se, bashkia Elbasan vijon punën për të përmirësuar jetesën e qytetarëve.
“Ne jemi një ekip të cilët funksionojmë të gjithë bashkë për të bërë më të mirën për të gjithë ju që banoni këtu. Qeveria “Rama” ka investuar vit pas viti, si në qytet, por tashmë edhe në zonat rurale”, tha ajo.
Kjo rrugë me një gjatësi rreth 450 metra, ishte një kërkesë e vetë banorëve të zonës gjatë procesit të “Buxhetimit me Pjesëmarrje”, dhe tashmë punimet vijojnë me shtrimin e asfaltit dhe më pas me ndriçimin.