Shpërthimi i granatës, 45 vjeçari i plagosur flet nga dhoma e spitalit: Nuk e mora vesh si plasi
Pas incidentit të rëndë që ndodhi ditën e djeshme në një fshat të Prrenjasit, ku 3 persona u plagosën nga një granatë e vjetër, një prej tyre ka folur për ngjarjen.
45-vjeçari Olsi Elezi, i cili u plagos në të dyja këmbët nga shpërthimi, teksa po punonte me bel tokën e shtëpisë, ka deklaruar nga dhoma e spitalit ku është shtruar se “nuk e mori vesh” se si plasi granata.
Ai tregoi se ishin 4 persona duke punuar tokën kur ndodhi ngjarja, ndërsa nuk e mbante mend nëse kishte punuar atë pjesë të tokës më parë.
“Duke punuar plasi, nuk e mora vesh si plasi. Ishim 4 veta duke punuar me bel. Ishte toka e shtëpisë. Nuk e mbaj mend nëse kemi punuar më parë aty”, deklaroi ai ende në gjendje shoku nga shpërthimi që i shkaktoi dëme në të dyja këmbët.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Karkavec të Prrenjasit ndërsa të plagosur janë Olsi Elezi 45 vjeç, Yllka Bishtogu 61 vjeçe dhe Viturie Bishtogu 58 vjeçe. Për shkak të plagëve të marra, të plagosurit janë dërguar në spitalin e Elbasanit.
Dy gratë, të cilat janë në gjendje më të rëndë janë nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Janë ende të paqarta rrethanat se si një granatë e pashpërthyer ndodhej në një tokë bujqësore ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Policia thotë se dyshimet janë për një granatë të vjetër e mbetur e pashpërthyer. Në momentin e shpërthimit familjarë të tjerë janë gjendur pranë, por fatmirësisht nuk kanë marrë dëmtime.
Librazhd/Informacion paraprak
Në fshatin Kakavec, bashkia Prrenjas, rreth orës 12:00, shtetasi O. E. dhe shtetaset Y. B. dhe D. B., duke punuar tokën me bel, aksidentalisht ka shpërthyer dyshohet një granatë e vjetër dhe për pasojë, këta shtetas janë plagosur në gjymtyrët e poshtme, janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në momentin e shpërthimit të granatës, kanë qenë duke punuar edhe 2 vëllezërit, bashkëshortët e shtetaseve të mësipërme, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Fraksion.com