Eksportet drejt Italisë, 33 miliardë lekë gjatë 2-mujorit të parë
Në dymujorin e parë të këtij viti eksportet e mallrave drejt vendeve të BE-së arritën vlerën 58.4 miliardë lekë, ndërsa INSTAT bëri të ditur se partneri kryesor tregtar për këtë periudhë është Italia, drejt së cilës shkuan mbi 50 % e totalit të eksporteve.
Referuar INSTAT, eksportet drejt Italisë në vlerë llogariten 33 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të eksporteve drejt Italisë e zë grupi “tekstile dhe këpucë”. Nga 22.4 miliardë lekë që është vlera e eksporteve të grupit “tekstile dhe këpucë“ për dymujorin, eksporti i këtij grupi drejt Italisë llogaritet gati 17.6 miliardë lekë.
Eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale” drejt vendit fqinj llogariten gati 4.6 miliardë lekë, ndërsa eksporti i grupit “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” llogaritet rreth 3.3 miliardë lekë.
Eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji” shënuan rënie me 2 herë e gjysëm, duke zbritur në vlerën 1.3 miliardë lekë, nga 4.6 miliardë lekë që ishin në janar-shkurt 2022.
Shqipëria eksportoi drejt Italisë edhe produkte ushqimore, që në vlerë për dy muajt e parë të vitit llogariten 2.3 miliard lekë.
Ndërkohë importet shënuan rënie. Referuar statistikave, importet drejt Italisë në dymujorin e parë të vitit llogariten 28.5 miliardë lekë, nga 30 miliardë lekë që ishin në periudhën janar-shkurt të 2022.
Importi i grupit “tekstile dhe këpucë” llogaritet 2.9 miliardë lekë me një rënie prej 300 milionë lekësh krahasuar me janarin e 2022-shit, kur u importuan 3.2 miliardë lekë tekstile dhe këpucë.
Fraksion.com