AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Depozitojmë ligjin për dyfishimin e rrogave të ulëta

Kryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “PD do të depozitojë në Parlament ligjin për dyfishimin e rrogave të ulëta”.

Përmes një deklarate për shtyp, Berisha tha se ky ligj do të jetë i detyrueshëm për çdo institucion dhe sipërmarrje të këtij vendi.

“Garantoj qytetarët se jo dyfishimi i rrogave, por trefishimi, do jetë objektiv numër një i qeverisjes së PD. Por rritjet e rrogave, në asnjë vend të lirë, nuk bëhen kurrë para zgjedhjeve, para votimit të qytetarëve. Ai që bën një akt të turpshëm, është një kriminel elektoral”, tha ai.

Berisha tha se “pagat e ulëta duhet të dyfishohen, dhe ne i garantojmë të gjithë punonjësit se pagat në të gjithë piramidën e administratës shtetërore do të dyfishohen”.

“Por këto akte nuk merren kurrë në një vend demokratik para zgjedhjeve me qëllim për të ndikuar votën e qytetarëve. Thirrja e tij për rritjen e rrogave të ulëta është thjesht një demagogji, pasi ajo nuk bëhet me vullnet, ajo është një thirrje thjesht propagandistike”, shtoi ai.

Po ashtu, Berisha i bëri thirrje të gjithë punonjësve të administratës të mos bëhen pjesë e “Aktivistit”, një aplikacion sipas tij, i dënueshëm në ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Fraksion.com